Ndërlidhjet

logo-print

VAZHDOJNË MOSPAJTIMET NDËRMJET ISH-TË PËRNDJEKURVE DHE QEVERISË


Alma ÇUPI, Tiranë

Prej disa muajsh ka nisur një konflikt mes qeverisë dhe ish- të përndjekurve politikë në kohën e diktaturës komuniste. Këta të fundit kërkojnë dëmshpërblim për të gjitha ditët e burgut që kanë vuajtur nën regjimin e dikatorial të Hoxhës. Disa seanca rresht parlamenti shqiptar ka shqytuar projektligjin “Për kompensimin financiar të ish -të përndjekurve dhe të burgosurve politikë”, por ende politikanët nuk kanë rënë në një emërues të përbashkët përsa i përket miratimit apo jo të këtij projektligji. Deputetët e pozitës e kundërshtojnë idenë për të dëmshpërblyer ish të përndjekurit për çdo ditë burgu, ndërsa deputetët demokratë bashkohen me kërkesën e ish-të përndjekurve që kërkojnë dëmshpërblim prej 3 400 lekë të reja për çdo ditë burgu.
Kryetari i shoqatës së ish-të përndjekurve politikë, Kurt Kola thotë se ish të përndjekurit do të kërkojnë me protesta që të paguhen për çdo ditë burgu të vuajtur.
"Ne kërkojmë aq sa i takon çdo të burgosuri të marë për çdo ditë burg ndihmesë financiare siç e ka kodi penal 3 400 lek".
Ndërsa socialistët thonë se kjo lloj fature financiare është e papërballueshme nga ana e shtetit. Kështu Skënder Gjinushi kryetari i Partisë Socialdemokrate, parti aleate me socialistët, thotë se për aq para sa kërkojnë ish-të përndjekurit duhet të punojnë shumë breza.
"Me amendamentin aktual për shembull Pjetër Arbnori kërkon 300 000 euro. Tani në qoftë se vendosim që 10 breza të punojnë vetëm për kompensimin. Sepse duhet kuptuar një gjë që nuk është thënë qartazi opinionit, që nuk do i kërkohen qeverisë, nuk i jep qeveria lekët, as Parlamenti. Parlamenti e ka shumë të lehtë të votojë, lekët i jepni ju, i japin të gjithë".
Ndërsa kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, thotë se parlamenti dhe shteti kanë një hipokrizi të madhe në lidhje me ata që vuajtën në kohën e diktaturës, pasi nëse ligji për pronat u miratua pa një faturë financiare, ligji për kompensimin e ish-të përndjekurve politikë kërkon faturë financiare.
"Dua të theksoj se ka një hipokrizi shumë të madhe të parlamentit, apo edhe të strukturave të shtetit shqiptar, për faktin sepse ligji për çështjen e pronave private u miratua pa faturë financiare, që është shumë herë më e madhe, ndërsa për të përndjekurit politikë kërkohet faturë financiare. Pra duket që ka një vështrim politik mbi këtë shtresë të caktuar të shoqërisë shqiptare".
Kryetari i komisionit të të Drejtave të Njeriut Pjetër Arbnori, që është nismëtari i hartimit të këtij projektligji, tha se ky komision nuk heq dorë nga qëndrimi i mëparshëm për të trajtuar me përparësi shtresën e ish-të përndjekurve politikë. Ish-të përndjekurit janë të vendosur për të mos i ndalur protestat e tyre dhe ata janë shprehur se nuk do të bien dakort për një pension minimal që shteti kërkon t’ua lidhë, për t'i hequr qafe, siç shprehen ata.

XS
SM
MD
LG