Ndërlidhjet

SHANON, IRLANDË


Pas samitit të sotëm Shtetet e Bashkuara – Bashkimi Evropian, u kumtua se të dy palët mbështesin rol më të madh ushtarak të Natos në Irak. Për këtë çështje liderët e vendeve anëtare të Natos do të diskutojnë edhe në samitin e aleancës që mbahet në Stamboll. Në kumtesën e përbashkët, poashtu, thuhet se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian premtuan mbështetjen e përpjekjeve për ta luftuar terrorizmin ndërkombëtar. U kumtua poashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë përkushtime të përbashkëta në mbështetjen për popullin e Irakut dhe për një qeveri të plotë e sovrane, përderisa të ndërtohet shteti i lirë, i sigurtë dhe demokratik. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Bertie Ahernin, kryeministër i Irlandës dhe me Romano Prodin, kryetar i Komisionit Evropian, presidenti amerikan, George Bush foli edhe për kandidaturën e Turqisë për pranim në BE:
-Turqia është një vend krenar që me sukses ka kombinuar identitetin evropian me traditën islamike. Përderisa Turqia plotëson standardet e BE-së për anëtarësim, Bashkimi Evropian duhet ti filloj bisedat që do të çonin tek anëtarësia e plotë e Turqisë.

Agjencitë e lajmeve raportojnë se edhe sot, gjatë mbajtjes së samitit, afro 1 mijë persona, që kishin kundërshtuar luftën në Irak, morën pjesë në protestën paqësore që u zhvillua afër vendit ku u mbajt samiti i sotëm.
XS
SM
MD
LG