Ndërlidhjet

SHQIPËRIA DREJT NATO-s


Lutfi Dervishi

Shqipëria, vendi i parë i ish bllokut lindor që aplikoi 12 vjet më parë për t’u anëtarësuar në NATO, pret që në Samitin e Stambollit të mësojë diçka më shumë për afatin e anëtarësimit. Tashmë nuk bëhet
fjalë për sinjale, sepse Aleanca e ka shprehur hapur vullnetin dhe dëshirën për të parë Shqipërinë anëtare të familjes.
Pas rimarrjes së vetes nga goditja që pësoi nga anarkia e vitit 1997, Shqipëria ka dëshmuar se kërkon të jetë jo vetëm konsumatore, por edhe prodhuese e sigurisë. Misionet paqëruajtëse shqiptare në Bosnjë,
Afganistan dhe së fundi në Irak, angazhimet e Shqipërisë në frontin antiterror, stërvitje dy dhe shumëpalëshe në Shqipëri, si dhe angazhimi me një politikë që i kontribuon paqes në rajon, janë
kontribute të rëndësishme që i njihen tashmë Tiranës. Reforma në ushtri nuk mund të quhet e përfunduar, por megjithatë janë bërë hapa të rëndësishëm. Shqipëria ka nënshkruar Kartën e Adriatikut së bashku me Maqedoninë dhe Kroacinë dhe kështu në modelin e vendeve balltike, nuk lobon e vetme për anëtarësimin në Aleancë. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje në Tiranë në prani të Sekretarit amerikan të Shtetit Kolin Pauell, është edhe një tregues i vlerësimit për politikën e jashtme të ndjekur nga Tirana zyrtare. Për arsye historike, por edhe për rolin që pati NATO në çlirimin e Kosovës nga regjimi i Beogradit, të gjithë forcat politike në Shqipëri, si parti të mëdha ashtu edhe të vogla janë pro anëtarësimit. Mbase Shqipëria është një rast unikal që nuk ka asnjë forcë politike sado e vogël qoftë, të jetë shprehur kundër për këtë çështje. Edhe sondazhet e herëpashershme të opinionit kanë dëshmuar se ka një përputhje mes vullnetit politik të shprehur dhe qytetarëve. Por megjithë sa më sipër ka një hije dyshimi për
anëtarësimin. Këtu kemi arsye objektive dhe subjektive. Nëse realizimi tërësor i reformës apo plotësimit të infrastrukturës kërkon kohën e vet, në aspekte të tjera përgjegjësia bie plotësisht mbi palën
shqiptare. NATO, nuk është thjesht një organizatë ushtarake, por në radhë të parë një komunitet i vendeve që ndajnë vlera të përbashkëta në ndërtimin e shtetit ligjor, demokracisë e ekonomisë së tregut. Dhe
këtu qëndron edhe sfida e Shqipërisë: realizimi i standardeve të brendshme. Dhe këtu përgjegjësia është e qeverisjes dhe klasës politike. Mjafton të përmendim faktin se Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, një nga
parakushtet e stabilitetit politik dhe institucional të vendit. Shqipëria vijon të mbetet në listën e shteteve të kritikuara për mungesën e shtetit ligjor, për nivelin e lartë të korrupsionit dhe
pamjaftueshmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Momentalisht Shqipëria është në negociatat e anëtarësimit për Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit me Bashkimin Europian dhe kërkon që të anëtarësohet në NATO. Lajmi i mirë është se si NATO
ashtu edhe BE e kanë pëlqimin për anëtarësimin e Shqipërisë. Lajmi i keq është se vetë vendi nuk po ecën me ritmin e duhur të reformave. Eshtë e pritshme që Tirana të marrë lajme të mira në Samitin e
Stambollit që do të jenë inkurajuese për qeverinë, politikën dhe shoqërinë, por po bëhet gjithnjë e më e qartë se integrimi i vendit në BE dhe NATO do të varet nga “prodhimi i brendshëm”, që fillon me zgjedhjet e ardhshme politike, realizimin e marrëveshjeve kontraktuale me BE-në dhe angazhimin politik dhe publik në sfidat e përbashkëta. Samiti i Stambollit mund të shërbejë edhe si zile
alarmi për zyrtarët shqiptarë. Afati që përmendet viti 2006 apo 2007 si një mundësi për anëtarësim është shumë i shkurtër dhe nëse nuk nxitohet, mund të humbasim jo trenin e fundit, por trenin historik.

XS
SM
MD
LG