Ndërlidhjet

logo-print

NË PRISHTINË FITORJA E BORIS TADIÇ KOMENTOHET NË MËNYRA TË NDRYSHME


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Qasja ndaj Kosovës do të jetë sfida e vërtetë ku Boris Tadiç do të duhet të dëshmojë orientimin e tij demokratik, kanë vlerësuar zyrtarë të institucioneve të Kosovës, duke komentuar fitoren e djeshme të kandidatit demokrat në zgjedhjet presidenciale të Serbisë.
Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova tha se është mirë kur edhe fqinjët e Kosovës shikojnë nga perëndimi, por pikërisht Kosova do të jetë sfida e parë e presidentit serb.
"Ka kohë që Kosova është nisur në rrugën e integrimit politik dhe ekonomik në Evropë. Synimi ynë është pavarësimi i Kosovës dhe integrimi në strukturat evro-atlantike. Na bëhet qefi nëse shohim edhe fqinjët tanë të shikojnë drejt perëndimit. Presidenti i sapozgjedhur i Serbisë, me një automatizëm tipik perëndimor, për karakterizime të orientimeve politike të figurave të kësaj pjese të Evropës, po quhet pro reformist dhe pro-perëndimor. Qëndrimi i tij ndaj Kosovës do ta vërë shpejt në sprovë këtë orientim", tha Hamiti, për të shtuar se nuk mund të jesh pro-perëndimor me idetë e vjetra të dominimit ndaj një populli tjetër. Ai tha se elitat politike të Beogradit, edhe kur janë parë si reformiste nga perëndimi, e kanë patur këtë defekt karshi shqiptarëve të Kosovës.
Bajram Kosumi, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, tha se Serbia me vite të tëra po përpëlitet ndërmjet një shteti diktatorial që paraqet rrezik për rajonin dhe një shteti që së paku tenton që shkojë nga demokracia.
"Është lajm i mirë ajo që ndodhi dje, që kanë fituar forca që së paku tentojnë të shkojnë drejt krijimit të demokracisë në Serbi, edhe pse unë mendoj se Serbia dhe demokracia janë dy nocione ende shumë të largëta me njëri tjetrin", tha zoti Kosumi, duke e quajtur një zgjidhje demokratike në Serbi si përkrahje edhe për proceset në Kosovë.
"Përkrahja e shteteve fqinje e në veçanti e Serbisë, do të ishte e mirëseardhur për Kosovën, duke patur parasysh faktin se në të vërtetë serbët e Kosovës i udhëheq Beogradi dhe nuk udhëhiqen me vetëveten. Dhe nëse Beogradi e shikon procesin në mënyrë më demokratike, atëhere edhe serbët e Kosovës do të ishin pjesë e demokracisë". Ndërkaq kolegu i tij serb Oliver Ivanoviç, tha se ishte i kënaqur nga fitorja e kandidatit demokrat Tadiç, pasi kjo është e rëndësishme edhe për serbët e Kosovës.
"Në të kaluarën shpesh jemi ndier të vetmuar sepse deri në vitin 2001, Serbia nuk është pranuar si bashkëbiseduese për çështjet e Kosovës, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar," tha Ivanoviç, sipas të cilit tani nuk mund të shmanget përfshirja e Beogradit për problemet në Kosovë. Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari ndërkaq tha se këto zgjedhje nuk kanë qenë befasuese për Kosovën dhe nuk pritet shumë, pasi të gjithë kandidatët presidencialë kanë patur një qëndrim të njëjtë për Kosovën.
"Fatkeqësisht nuk mund të thuhet se ka patur mjaft kurajo dhe guxim që të thuhet haptazi, ose të diskutohet haptazi për këtë çështje, megjithatë në njëfarë forme, qëndrimi ka qenë i njëjtë. Mbetet të shihet në një të ardhme se meqënëse kemi të bëjmë tani me një kandidat të Partisë Demokratike, ose më të moderuar, mbetet të shihet se sa forcë ka ky kandidat dhe sa do të ketë kredibilitet për të lëvizur gjërat përpara në aspektin pozitiv, sa i përket çështjes së Kosovës".
Sa i përket faktit se shumica e serbëve të Kosovës kanë votuar për kandidatin radikal Tomisllav Nikoliç, përfaqësuesi i koalicionit "Kthimi" Oliver Ivanoviç, tha se është i pakënaqur për orientimin radikal të popullatës serbe të Kosovës dhe kjo gjë duhet të ndryshojë, tha ai.
"Serbët në Kosovë duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi për votën e tyre dhe duhet të kuptojnë se gjendja në Kosovë nuk mund të ketë zgjidhje të shpejta, por zgjidhje demokratike," tha Ivanoviç, gjë që sipas të cilit mund ta garantojnë vetëm forcat e orientuara në mënyrë demokratike.
Në Kosovë para së gjithash pritet të dihet qëndrimi presidentit të ri të Serbisë lidhur me bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një nga standardet, si dhe qasja e Beogradit zyrtar ndaj rikthimit të serbëve në institucionet e Kosovës.




XS
SM
MD
LG