Ndërlidhjet

BUSH TAKON PRESIDENTËT E SHQIPËRISË, MAQEDONISË DHE KROACISË


Sefer Tahiri, Stamboll

Në samitin e NATO-s në Stamboll, u takuan shefat e shteteve të vendeve anëtare të Këshillit Evro-Atllantik të Partneritetit, takim ky që shënon 10 vjetorin e lansimit të programit Partneriteti për Paqe. Me qëllim të përgjigjes së aspiratave të Serbisë e Malit të Zi dhe të Bosnje Hercegovinës, që të përfshihen në Partneritetin për Paqe, ata morën pjesë në këtë konferencë si vëzhgues.
Në konferencën e sivjetme të Këshillit për Partneritet Evro-Atllantik, njëra prej temave kryesore ishte gjendja në Afganistan dhe zgjerimi i operacioneve të ISAF-it si çështje kyçe jo vetëm për aleatët, por edhe për partnerët e tyre. Shumë nga vendet partnere janë në mënyrë direkte të kyçur në operacionin ISAF, ose janë mbështetje logjistike e operacioneve.
Në konferencën e Këshillit të Partneritetit Evro-Atllantik, përfaqësuesit e vendeve anëtare të tij, miratuan disa dokumente të rëndësishme siç janë procesi i jetësimit të planit aksional të partneritetit për luftë kundër terrorizmit dhe ndërmarrja e aktiviteteve të përbashkëta në bazë të këtij dokumenti. Dokumenti i dytë që u miratua në këtë këshill është plani aksional i partnerëve për ndërtimin e institucioneve në sferën e mbrojtjes, ndërsa dokumenti i tretë ka të bëjë me mbështetjen e NATO-s për luftimin e tregtisë me njerëz.
Në margjinat e Samitit të NATO-s u zhvillua një takim midis presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xhorxh Bush me presidentin e Maqedonisë Branko Crvenkovski, atë të Shqipërisë Alfred Moisiu dhe presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç, në të cilin shefat e vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut presidentit amerikan i kanë shprehur falenderim për mbështetjen amerikane dhënë përpjekjeve të tyre për anëtarësim në NATO. Ndërkohë kryetari i Maqedonisë Branko Crvenkovski deklaroi se Maqedonia në samitin e ardhshëm të NATO-s në vitin 2006 do të marrë ftesë për anëtarësim ndërsa në vitin 2007 do të bëhet anëtare e barabartë e aleancës më të fuqishme politiko- ushtarake.
Crvenkovski tha se përderisa kusht për anëtarësimin e Kroacisë në NATO është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, për Shqipërinë përforcimi i demokracisë dhe i shtetit juridik, Maqedonia kushtëzohet me jetësimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Ndërsa presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu deklaroi se në samitin e ardhshëm Shqipëria duhet t'i plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme, që kanë të bëjnë me stabilitetin e brendshëm politik, reformat dhe me luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në takimin e presidentit amerikan me kryeministrin shqiptar Fatos Nano, Xhorxh Bush e ka vlerësuar pozitivisht pjesëmarrjen e Shqipërisë në operacionet në Irak dhe Afganistan. Edhe sot policia në Stamboll ka përdorur lotësjellës me qëllim që t'i shpërndajë demonstruesit, të cilët protestuan për shkak të mbajtjes së këtij samiti.





XS
SM
MD
LG