Ndërlidhjet

logo-print

DIALOGU DHE PAJTIMI DY PROCESE QË NUK DUHEN NGATËRRUAR- THONË OJQ-të VENDORE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Dialogu është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje për shumë probleme që ngarkojnë komunitetet në Kosovë, është thënë sot në konferencën ndërkombëtare "Dialogu për dialog", të mbajtur në Prishtinë dhe organizuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Nina Soumailen, këshilltare e kryesueses së Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Elizabeth Renn, tha se dialogu duhet zhvilluar edhe atëherë kur duket se asgjë nuk lëviz përpara dhe kur komunitetet nuk kanë raporte të mira mes vete, siç është rasti me shqiptarët dhe serbët. Pa një dialog të brendshëm, shoqëria kosovare nuk mund të shkojë përpara e as të shpresojë në integrimin e saj në strukturat evropiane, thanë diskutuesit.
Nina Solumailen tha se duhet inkurajuar sidomos dialogu ndërmjet njerëzve të rëndomtë, të cilët ndoshta nuk mund ta durojnë njëri tjetrin, por që jeta e tyre do të lehtësohet nëse mund të zgjidhen disa probleme, të cilat i ngarkojnë ata. Suksesi i këtyre bisedimeve, tha ajo, mund të arrihet vetëm nëse mund të identifikohen çështjet, për të cilat të dy palët, si shqiptarët ashtu dhe serbët mund të pajtohen, e që kanë të bëjnë me standardet e domosdoshme të jetës normale. Pjesëmarrësit u angazhuan për zhvillimin e dialogut krahas pajtimit ndërmjet komuniteteve, për çka reagoi Sevdije Ahmeti, nga organizatat joqeveritare vendore. Ajo tha se dialogu dhe pajtimi, janë dy çështje që nuk mund të kuptohen njësoj në Kosovë:
“Do të dëshiroja që në kuadër të dialogut të flitet vetëm për dialogun. Pajtimi nuk ka të bëjë fare me dialogun. Dialogohet edhe gjatë luftës, dialogohet edhe pas luftës e dialogohet edhe para luftës. Dialogu është një çështje krejt tjetër, prandaj nuk kisha patur dëshirë që t’i politizojmë këto dy terme që nuk kanë të bëjnë fare njëra me tjetrën, sepse sipas përvojës që kemi pasur, automatikisht ne paragjykojmë të ardhmen e këtij dialogu që mendojmë ta zhvillojmë”, tha Sevdie Ahmeti.
Në anën tjetër, Soumailen, tha se me rëndësi është që dialogu ndërmjet liderëve politikë të transformohet në një dialog edhe në mes njerëzve të rëndomtë dhe si i tillë të sjellë ndonjë rezultat.
“Çështja është se si të transformohet ky dialog ndërmjet liderëve politikë, në diçka që do të përmirësonte jetën e njerëzve në Kosovë”, tha Soumailen.
Diskutuesit kanë veçuar zhvillimet e marsit si një kthim prapa të proceseve në Kosovë. Kurse mbrëmë, kryeministri Bajram Rexhepi, ka pohuar se dialogu në rastin e Kosovës është esencial. “Vetëm 5 vite kanë kaluar nga lufta dhe pasojat e saj nuk janë vetëm vrasjet dhe djegiet, por edhe urrejtja dhe dhuna”, ka thënë kryeministri, duke shtuar se çdo kosovar ka nevojë të jetojë jetën e tij i sigurt dhe në tolerancë.


XS
SM
MD
LG