Ndërlidhjet

logo-print

XH. HALITI: KUVENDI KA HAPUR KONFLIKTE TË PANEVOJSHME ME UNMIK-un


Xhavit Haliti, deputet i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haliti, Kuvendi i Kosovës është kushtimisht thënë në fund të mandatit të tij. Fillimisht cilat janë vlerësimet tuaja rreth punës dhe rezultateve që i ka arritur Kuvendi i Kosovës gjatë këtij mandati?

XHAVIT HALITI
Unë mendoj që Kuvendi i Kosovës, rezultatet e tij janë ato që janë, pra një rezultat jo shumë i arsyeshëm. Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë arsyetuar mandatin e tyre. Institucioni i Kuvendit të Kosovës do duhej të miratonte të paktën gjysmën e legjislacionit i cili i duhet Kosovës. Ka patur gjatë kësaj periudhe konflikte t'i quajmë, në qoftë se janë konflikte, mes UNMIK-ut dhe Kuvendit për disa çështje, për të cilat mbase nuk është dashur që të krijohen në nivel konfliktesh dhe pastaj të krijohen panele qoftë për ligje, qoftë për refuzim rezolutash, sepse rrugët kanë qenë të hapura për bisedime dhe në qoftë se ne themi që jemi partnerë, atëhere mendoj që partneriteti duhet të ndërtohet duke bërë lëshime ndaj njëri tjetrit dhe jo duke u përplasur vazhdimisht dhe rezultati ka qenë gjithmonë negativ për parlamentin e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët përplasjet me administratën ndërkombëtare. Këto ditë pritet që sërisht të kthehet në rendin e ditës miratimi i ndryshimeve të Kornizës Kushtetuese në Kuvendin e Kosovës. A prisni që edhe në këtë rast këto përplasje të përsëriten me shefin e UNMIK-ut në këtë administratë?

XHAVIT HALITI
Në Kosovë janë disa politikanë të vonuar në veprimtarinë e tyre patriotike, që kanë dëshirë të mbeten në skenë si patriotë dhe atdhetarë të mëdhenj dhe nxjerrin çështje të cilat tani realisht nuk e kanë kohën. Administrata ndërkombëtare, zyrat e huaja që janë këtu, Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit, nuk kanë rënë dakort që të ndërrohet Korniza Kushtetuese e Kosovës. Ne mund ta humbim një ditë për t'i miratuar ato, mirëpo UNMIK-u do t'i shpallë të pavlefshme ato po atë ditë. Pastaj cili do të jetë rezultati i këtij farë lloji miratimi? Kush është në gjendje t'i zbatojë ato?

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, ka propozuar një projekt për decentralizimin e pushtetit në Kosovë. Si e shihni ju këtë plan dhe a prisni që ai të mund të jetë objekt shqyrtimi eventual nga institucionet vendore?

XHAVIT HALITI
Së pari unë mendoj që asnjë deputeti nuk i ndalohet për të bërë propozime, asnjë politikani dhe asnjë qytetari. Por mënyra se si kryetari i Kuvendit të Kosovës ka dalë me propozim mendoj që nuk ka qenë e rregullt dhe e mirë, sepse ka një konsensus të gjerë në mes të subjekteve politike, institucioneve të vendit dhe bashkësisë ndërkombëtare për t'u marrë me këtë çështje një komision, i cili është krijuar dhe në krye të të cilit është emëruar Ministri i Shërbimeve Publike.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse shikohet vetëm projekti si i tillë, si e vlerësoni ju atë?

XHAVIT HALITI
Unë mendoj që ne nuk duhet të jemi shpikësit e rinj të formulave të pushteteve. Evropa e ka një kod për pushtetin lokal, është Karta Evropiane e pushtetit lokal dhe unë mendoj që edhe në Kosovë duhet të aplikohet ajo dhe s'kemi nevojë të merremi me zbulime të reja.

RADIO EVROPA E LIRË
Decentralizimi është vetëm një prej standardeve të vëna Kosovës. Sa konsideroni që viti 2005 do ta gjejë Kosovën të përgatitur që ajo të hyjë në procesin e definimit të statusit të Kosovës?

XHAVIT HALITI
Me mënyrën se si po ecim ne në kryerjen e detyrave dhe obligimeve që kemi karshi standardeve, unë mendoj që nuk do të jemi aq të përgatitur. Megjithatë ka lëvizje pozitive, ka përpjekje për të bërë diçka, por në lëmin e sigurisë veçanërisht është problemi i madh për neve, ndërsa në çështje të tjera është problemi kryesor se njerëzit në Kosovë, ose institucionet e Kosovës, mendoj që nuk janë dhe aq të përgjegjshme për realizimin e detyrave të shtëpisë që i kemi për t'i realizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri Rexhepi ka thënë se shtyrja e vazhdueshme e zgjidhjes së statusit të Kosovës, mund të nxitë radikalizimin e gjendjes në Kosovë. Si i shihni ju këto vlerësime të zotit Rexhepi?

XHAVIT HALITI
Unë mendoj që për shkak të krizës së rëndë ekonomike që ka Kosova, papunësisë së madhe, trazira sociale nga ky aspekt mund të parashikojë çdo njeri normal. Në kushtet kur Kosova ka më shumë se 60- 70 % të papunë, do të thoja që durimi është shumë i madh i njerëzve të cilët durojnë këtë situatë që e kanë. Dhe varfëria është ditë për ditë më e rëndë, kushtet janë për secilin më të rënda dhe normalisht që trazirat nga ky aspekt, mund të jenë evidente. Statusi unë mendoj që duhet të vijë. Kosova ka luftuar për pavarësinë. Kosova është e përcaktuar për pavarësinë e saj, por unë jam realist sa i përket qëndrimeve që ka bashkësia ndërkombëtare dhe do t'i kthehem sërisht asaj që thashë pak më parë, se në qoftë se ne nuk i kryejmë obligimet tona, në qoftë se ne nuk jemi të gatshëm që të ballafaqohemi me ekstremizmin në Kosovë, në qoftë se nuk jemi të gatshëm që të ndërtojmë një legjislacion demokratik do thoja, të respektueshëm nga të gjithë dhe të zbatueshëm nga secili, pra një shtet juridik, një vend me të drejta të barabarta për të gjithë, normalisht që edhe bashkësia ndërkombëtare do të hezitojë që të na i lëshojë të gjitha fijet në duart tona. Së bashku me një politikë të arsyeshme, me marrjen e përgjegjësive të përbashkëta, me ndërtimin e një partneriteti të mirëfilltë ne do t'ia dalim mendoj që t'i realizojmë të gjitha objektivat që kemi si qytetarë dhe si Kosovë.

Intervistoi Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG