Ndërlidhjet

logo-print

SHTYHET FAZA E DYTË GJYKIMIT TË MILLOSHEVIÇIT


Augustin Palokaj, Hagë

Në vend të fillimit të nxjerrjes së dëshmive të mbrojtjes me të cilën është dashur të fillojë faza e dytë e procesit gjyqësor kundër Sllobodan Millosheviçit, seanca e sotme u shndërrua në diskutime lidhur me gjendjen shëndetësore të të akuzuarit. Për shkak të këshillave të mjekut,i cili ka sugjeruar pushim të të akuzuarit edhe për këtë javë për shkak të presionit të lartë të gjakut, është shtyrë fillimi i fazës së dytë të këtij procesi.
Gjatë seancës së sotme madje Millosheviçi ka akuzuar trupin gjykues që me qëllim po e mundojnë dhe po ja keqësojnë gjendjen shëndetësore.
"Një keqësim i tillë është rezultat i vendimit tuaj që të mos më jepni kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes sime. Kjo është e qartë, prandaj mendoj se ju jeni të obliguar të më jepni më shumë kohë", tha Millosheviç, duke shtuar se sipas tij, dikush dëshiron që të mos jem në formë të mirë kur filloj pjesën time të lojës. Por prokurori Xhefri Najs, tha se përgjegjësinë për shëndetin e tij e ka dhe vetë i akuzuari, për shkak të mënyrës se si i qaset këtij procesi. Prokuroria edhe sot ka përsëritur kërkesën që Millosheviçit t'i imponohet një mbrojtës ose të vendoset që vazhdimin e procesit ta ndjekë nëse nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, nga njësia e paraburgimit përmes videolidhjes, sepse sipas prokurorisë procesi duhet të kalojë në një kohë të arsyeshme, pra edhe të përfundojë në një periudhë të arsyeshme kohore. Gjykatësit kanë indikuar se mund të merret një vendim i tillë. Gjykatësi Patrik Robinson nga Xhamajka, i cili pas tërheqjes nga trupi gjykues i të ndjerit gjykatësit Riçard Mej, është kryetar i trupit gjykues tha:
"Koha ka ardhur që të bëhet një rishqyrtim radikal i procesit gjyqësor dhe i vazhdimit të gjykimit, duke marrë parasysh problemet shëndetësore të të akuzuarit", tha gjykatësi duke shtuar se së shpejti, sot ose nesër, mund të japin verdiktin lidhur me kërkesën e prokurorisë për këtë.
Millosheviç ka përsëritur sot se ai nuk mendon të pranojë kurrfarë mbrojtësi se vetë do t'i ekzaminojë dëshmitarët dhe nuk do të pranojë as të përcjellë nga burgu procesin kundër tij. Ndërkaq këshilltari legal i Millosheviçti Zdenjko Tomanoviç, u ka thënë sot gazetarëve se tashmë kanë dorëzuar listën e dëshmitarëve të parë, ndër të cilët do të jenë edhe ish-kryeministri i Greqisë Micotaqis, ish-kryeministri i Rusisë Jevgenji Primakov, pastaj gjenerali gjerman Shpelling, ish-shefi i shërbimit të kundërzbulimit të Francës Iv Bone dhe shumë dëshmitarë të tjerë, të cilët tashmë sipas tij kanë pranuar që të dëshmojnë në favor të Millosheviçit. Ende nuk dihet se kur do të mund të fillojë procesi kundër Millosheviçit, pasi i akuzuari për shkaqe shëndetësore ka kërkuar që ai të mos nisë për më pak se një muaj.




XS
SM
MD
LG