Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS HEDHIN POSHTË PLANET E PARAQITURA NGA INSTITUCIONET E KOSOVËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës dhe përfaqësuesit e koalicionit “Kthimi” i kanë vlerësuar si të papranueshme planet për decentralizimin e Kosovës të kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Nexhat Daci dhe kryetarit të Asociacionit të komunave të Kosovës, Lutfi Hazirit. Kështu ka deklaruar sot shefi i grupit parlamentar “Kthimi”, Dragisha Kërstoviç, pas takimit të përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të koalicionit “Kthimi”, në Mitrovicë. Ai ka thënë se gjatë këtij takimi janë shqyrtuar disa plane dhe ka marrë shembull ato të cilat janë vlerësuar si të papranueshme.
“Çfarë është për shembull plani i kryetarit të Parlamentit, Nexhat Daci dhe plani i kryetarit të Asociacionit të komunave të Kosovës, Lutfi Haziri. Ne edhe sot, njëzëri kemi përkrahur planin e Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe do të përpiqemi që nga ata që do të merren me decentralizimin në Kosovë, të kërkojmë që ky plan të pranohet në tërësi”, tha zoti Kërstoviç, duke shtuar se plani i qeverisë serbe, tani për tani është plani, i cili në mënyrën më të mirë i mbron interesat serbe.
Në takimin e sotëm, sipas zotit Kërstoviç, është biseduar edhe për procesin e kthimit dhe është kërkuar ndërrimi i shefes së Zyrës për Kthimin e të Zhvendosurve, pranë administratës ndërkombëtare, Pegi Higs, për shkak se, siç është thënë në këtë takim, gjatë misionit të saj, në procesin e kthimit të të zhvendosurve nuk është arritur asgjë. Zoti Kërstoviç, ka theksuar se është kërkuar që të definohen vendet ku brenda afatit të shkurtër mund të kthehen serbët e zhvendosur.
“Në ato vende ku janë krijuar kushtet dhe parakushtet për kthim, të mos harxhohet koha dhe shumë mjete dhe nga përfaqësuesit e koalicionit Kthimi” të bëhet një përpjekje ndaj misionit ndërkombëtar dhe liderëve shqiptarë, që ky kthim të përkrahet dhe që ai të ndodhë deri në fund të këtij viti”, tha zoti Kërstoviç. Ai ka shtuar se vendet ku kthimi i shpejtë është i mundur, tashmë janë definuar dhe njëkohësisht janë përcaktuar personat, të cilët do të jenë bartës të këtij aktiviteti. Ndërsa, këshilltari për kthim në zyrën e Shefit të UNMIK-ut, Nenad Radosavleviç, ka thënë se ata që janë përgjegjës për procesin e kthimit duhet të punojnë për kthim të qëndrueshëm, ose duhet ta pranojnë se atë nuk e dëshirojnë apo nuk dinë ta bëjnë. Në këtë rast, ka thënë ai, duhet të vijë deri te ndarja absolute në të gjitha çështjet politike dhe çështjet e tjera. Në takimin e sotëm, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës kanë theksuar se nga qeveria e Serbisë duhet të kërkohet ndihma politike dhe financiare në mënyre që, sipas tyre, kthimi i të zhvendosurve të jetë sa më i suksesshëm.

XS
SM
MD
LG