Ndërlidhjet

HASANI: ZYRA NUK BËN POLITIKË TË JASHTME


Enver Hasani, shef i Zyrës për Koordinim dhe Bashkëpunim ndërkombëtar

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani. Këto ditë ju keni marrë postin e shefit të Zyrës për Koordinim dhe Bashkëpunim me Jashtë. Fillimisht a mund të na i përshkruani cilat do të jenë funksionet e kësaj zyre të cilën ju do e drejtoni?

ENVER HASANI
Kjo zyrë është pjesë e shërbimit civil të Kosovës, do të thotë zyrë e cila ka për qëllim, siç e thotë dhe titulli, të kryejë punët e bashkëpunimit me jashtë të Kosovës, përfshirë këtu dhe dialogun rajonal, kryesisht në nivel të koordinimit të punëve me jashtë, do të thotë prej zyrës së kryeministrit, ministrive dhe institucioneve tjera. Pra do të jetë një lloj servisi për të lehtësuar komunikimin me jashtë dhe dialogun e strukturave dhe institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kjo zyrë ndihmon në plotësimin e kërkesës së vazhdueshme të kryeministrit të Kosovës, që zyra e tij dhe qeveria e Kosovës të kenë qasje në raporte me jashtë?

ENVER HASANI
Kërkesat për politikë të jashtme dhe për bashkëpunim me jashtë të një popullsie 2 milionëshe sigurisht që nuk i plotëson. Por, ajo që sigurisht se plotëson kjo zyre është shërbimi si një pikë fokale e koordinimit të punëve me jashtë të strukturave të Kosovës, në atë nivel që politika e Kosovës e sheh të arsyeshme. Kjo zyrë nuk është zyrë që bën ose ekzekuton politikën me jashtë, por është një zyrë, e cila shërben si një lloj servisi i strukturave të Kosovës për bashkëpunim me jashtë. Ajo, sigurisht është larg asaj që mendojnë kosovarët dhe sigurisht që është larg të qenit një institucion politik, ministerial për politikë të jashtme, së paku për këtë fazë.

RADION EVROPA E LIRË
Ishte dhe një kërkesë tjetër e kryeministrit Rexhepi dhe qeverisë së Kosovës që përmes zgjerimit të kapaciteteve në përfaqësimin me jashtë të mund të hapen dhe disa zyra përfaqësuese të Kosovës jashtë vendit. Sa krijohet kjo mundësi me këtë zyrë?

ENVER HASANI
Hapja e zyrave jashtë është një çështje tjetër. Ajo është një çështje politike, e cila duhet të jetë pjesë e një dialogu politik në mes të UNMIK-ut dhe strukturave vendore dhe nuk është në kompetencë dhe në mandatin e kësaj zyreje.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa janë nevojat që Kosova të ketë një përfaqësim politik, një përfaqësim diplomatik në arenën ndërkombëtare?

ENVER HASANI
Më lejoni ta them një çështje. Këtu ngatërrohen gabimisht, do të thotë shërbimi i jashtëm, ministria e jashtme dhe statusi i Kosovës. Unë mund t’i numëroj me dhjetra vende të cilat janë entitete siç themi ne parashtetërore e që kanë Ministri të Jashtme, duke filluar nga këtu afër me Malin e Zi e deri te entitetet siç janë Kebeku, ose Ishujt e Hollandës ose Tiroli, që kanë një komunikim shumë të dendur me jashtë, por që nuk janë shtete, që do të thotë se nuk lidhen me statusin që quhet shtet. Prandaj, mendoj se statusi i Kosovës në gjendjen që është tani nuk e pengon dhe nuk ka asnjë argument të bindshëm që do ta pengonte që Kosova me një popullësi prej 2 milionësh, një territor me 11 mijë kilometra katror, të ketë ministri të jashtme për të kontaktuar me botën. Ajo çka do të thotë është pjesë e statusit aktual të Kosovës, është se natyre e asaj ministrie mund të mos jetë, dhe në këtë fazë nuk do të mund të ishte, sikur janë ministritë e vendeve sovrane. Pra do të kishte pasur kompetenca vetëm në fusha dhe lëmi të caktuara dhe për problemet e caktuara. Këto dy çështje duhet të ndahen fuqishëm, sepse Kosova nuk do të thotë se është në komunikim me botën nëse bota është këtu. Kosova sigurisht ka pasur dhe do të ketë nevojë të jetë prezente dhe të ketë një zë pak më origjinal për atë se çfarë ndodh këtu, në çështje të ndryshme, për shembull arsimi, kultura, sporti, por pse jo edhe në çështjet politike në një fazë të më vonshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse do të përqëndroheshim në këtë fazë të më vonshme, sa atëherë konsideroni se kjo zyrë, mund të jetë celulë e një ministrie të jashtme në mandatin e ardhshëm të qeverisë së Kosovës?

ENVER HASANI
Mendoj se me ndihmën e institucioneve të Kosovës, por edhe liderëve politikë, të ekspertizës ndërkombëtare dhe ndihmën e faktorit të jashtëm, unë besoj se kjo zyrë mund të vendosë në mënyrë graduale themelet e asaj pjese që quhet profesionale e jo politike, të shërbimit të jashtëm të Kosovës. Në këtë drejtim mendoj që mund të luajë një rol mjaft pozitiv, por po përsëris, ato janë probleme politike, kurse kjo zyrë në stadin që është tani ka nevojë më shumë për ndihmën e ekspertizës nga jashtë, sepse Kosova nuk ka, siç dihet një përvojë të madhe në këtë fushë. Ka ekzistuar përpara, shërbimi i jashtëm i Kosovës në kuadër të ish-Jugosllavisë, por megjithatë ata njerëz ose janë shumë të moshuar ose nuk jetojnë në Kosovë dhe ajo ka nevojë për një ekspertizë dhe ndihmë nga jashtë, ndihmë profesionale në ngritjen e kësaj zyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Hasani, nëse mund të përqëndrohemi dhe në një çështje tjetër. Pas trazirave të marsit bashkësia ndërkombëtare adresoi disa kritika të ashpra ndaj Prishtinës. Sa konsideroni se me punën që është bërë pas marsit është arritur të përmirësohet ky imazh i prishur nga këto trazira?

ENVER HASANI
Mendoj se imazhi i marsit ka mbetur, si të thuash i njëjtë, përjashtim që rindërtimi i shtëpive dhe iniciativa e zotit Rexhepi për dialog të brendshëm, në njëfarë mënyre e ndajnë disa hapa nga ky imazh. Megjithatë struktura e atij imazhi që është krijuar në mars mbetet e njëjtë dhe ajo çka është më e keqja ngjarjet e marsit kanë filluar të qëndrojnë mbi kokën e ne të gjithëve si një shenjë e shëmtuar e asaj çfarë mund të ndodhë në të ardhmen, nëse nuk ndërmerren hapa shumë më radikalë të rindërtimit dhe ridefinimit të raporteve ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore në njërën anë dhe në anën tjetër institucione vendore dhe UNMIK bashkarisht me popullësinë lokale. Kështu që po që se diçka nuk bëhet në këtë drejtim, mendoj që viti tjetër na pret jo me shenja të mira dhe jo me përspektivë për të gjithë ne.

Intervistoi: Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG