Ndërlidhjet

SHQIPTARËT KËRKOJNË ROL KËSHILLDHËNËS TË UNMIK-ut, SERBËT TË KUNDËRTËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Përfaqësuesit shqiptarë dhe ata serbë të institucioneve të Kosovës kanë paraqitur qëndrime të kundërta para ambasadorit norvegjez në NATO-s, Kai Eide, njëkohësisht i dërguar i sekretarit Kofi Anan, lidhur me ristrukturimin e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ndërsa përfaqësuesit shqiptarë kanë kërkuar që roli i UNMIK-ut të shndërrohet në mbikqyrje dhe këshilldhënie, përfaqësuesit serbë kanë kërkuar që roli i UNMIK-ut të sforcohet edhe më.
Kryetari iPDK-së, Hashim Thaçi u është bashkangjitur sot kërkesave të krerëve të institucioneve të Kosovës, që UNMIK-u të shndërrohet në organ këshilldhënës dhe mbikqyrës, ndërsa kompetencat të barten tek institucionet vendore. “Unë e ripotencova edhe një herë se definitivisht Kosova duhet të qeveriset nga institucionet që dalin nga vota e qytetarëve, nga autoritetet që kanë legjitimitet dhe UNMIK-u gradualisht duhet të marrë rol mbikqyrës të proceseve politike dhe të zhvillimeve dhe institucionale’, tha zoti Thaçi, duke u angazhuar njëkohësisht për të mbështetur synimet e NATO-s për ta mbajtur praninë e theksuar në Kosovë: “Ne duhet të mbështesim angazhimet e komunitetit ndërkombëtar për vazhdimin e pranisë së theksuar të NATO-s në Kosovë në mënyrë që deri në vitin 2005 të zgjidhet përfundimisht statusi politik”.
Zoti Eide, i cili brenda dy javësh dy herë ka vizituar Kosovën me qëllim që të hulumtojë shkaqet që çuan në trazirat e marsit, do të përpilojë një raport për sekretarin Anan, bashkë me rekomandimet për ristrukturimin e misionit ndërkombëtar civil në Kosovë. Pasi dje paradite është takuar me zyrtarë të qeverisë së Serbisë në Beograd, Eide, ka takuar sot edhe përfaqësuesit e koalicionit të serbëve të Kosovës, "Kthimi". Anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga ky koalicion, Oliver Ivanoviç, tha për Evropën e Lirë se raporti i zoti Eide duhet të jetë i fortë dhe kritik. “Është fakt se ai duhet të bëjë një raport të fortë me propozime për masa shtesë që do të parashihnin gjithsesi forcimin e rolit të UNMIK-ut dhe KFOR-it”, tha Ivanoviç. Ai tha se UNMIK-u aktualisht nuk ka shfrytëzuar gjithë autoritetin dhe kompetencat që ka, pasi sikur UNMIK-u të punonte si duhej, nuk do të ndodhte 17 marsi, tha Ivanoviç.
Sidoqoftë, zoti Eide në në këtë vizitë dyditëshe edhe për çështjen e decentralizimit. Me këtë rast ai është takuar me Ministrin e Shërbimeve Publike Jakup Krasniqi, që është bashkësponsor me UNMIK-un për ndërtimin e kornizës për reformimin e pushtetit lokal.
Ndërsa, vetë Eide nuk është paraqitur sot para gazetarëve, zoti Krasniqi tha se e kishte njoftuar zotin Eide për formimin e grupit për reformimin e pushtetit lokal, në bashkëpunim me UNMIK-un, qëllimi i të cilit është formimi i kornizës për reformën e pushtetit lokal: “Ne si mekanizma vendore jemi të interesuar që ta bëjmë decentralizimin në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe që në epiqendër të jetë qytetari, por që mekanizmat ndërkombëtare të bëjnë një presion tek politika e Beogradit që serbët e Ksooëvs të mos i përdorin për çështje politike”. Sipas tij, decentralizimi është në shërbim të të gjithëve dhe i mbështetur mbi dokumente dhe modele ndërkombëtare mbi decentralizimin. Në këtë kuadër, zoti Krasniqi tha se projektet e tjera për decentralizimin si ai i kryeparlamentarit Daci, nuk e pengojnë punën e grupit për reformimin e pushtetit vendor në Kosovë, por dokumenti kornizë duhet të dalë nga grupi i lartë punues i qeverisë dhe UNMIK-ut.
Zoti Eide sot ka përfunduar vizitën dyditëshe Kosovës, por nuk ka shpalosur detaje nga raporti që sipas tij së shpejti do t’ia dorëzojë sekretarit Anan. Para më se dy javësh, më 20 qershor, zoti Eide pati thënë se UNMIK-u duhet të evoluojë që t’u përgjigjet kërkesave dhe ndryshimeve të kohës.

XS
SM
MD
LG