Ndërlidhjet

BRAJSHORI: 50 % E SHTËPIVE JANË RIPARUAR OSE JANË DUKE U RIPARUAR


Bekim Bislimi, Prishtinë

Procesi i riparimit të shtëpive të dëmtuara gjatë trazirave të muajit mars është duke u zhvilluar me sukses dhe deri më tani janë riparuar tërësisht 263 shtëpi, ndërkaq në 205 të tjera, është duke u zhvilluar faza e rindërtimit të tyre, ka thënë sot Ministri i Kulturës, Sportit dhe çështjeve jorezidente, Bexhet Brajshori, i cili është edhe kryetar i Komisionit qeveritar për riparimin e objekteve të dëmtuara gjatë trazirave të marsit.
“Këto dy kategori bëjnë 50 përqind të shtëpive që janë në fazën e rindërtimit dhe që janë kryer. Do të thotë, gjysma e programit është në fazën e rindërtimit dhe është mbaruar. 170 shtëpi janë në fazën e kontraktimit dhe ky numër i shtëpive, brenda një jave mund të dalë në fazën e rindërtimit, të gjitha”.
Ai ka bërë të ditur se në fazën e përgatitjes teknike për riparim, të cilën janë duke e zhvilluar komunat janë 97 shtëpi dhe siç tha ai, brenda javës ato do të kalojnë në fazën e tenderimit. Sipas ministrit Brajshori, për 201 shtëpi të tjera përgatitjet janë duke i zhvilluar organizatat joqeveritare, ndërkaq riparimi i rreth 50 shtëpive, të cilat gjenden në pjesën e nënkalasë në Prizren, nuk do të mund të përfundojë në muajin tetor, afat ky i paralajmëruar. Ai theksoi se për riparimin i këtyre shtëpive do të bëhet me program të veçantë dhe kjo do të marrë kohë. Ministri Brajshori ka bërë të ditur se sot ka filluar edhe riparimi i shkollës në Fushë Kosovë dhe sipas tij, punimet do të përfundojnë para fillimit të vitit shkollor në shtator. Ai ka shtuar se brenda 10 ditësh punimet do të fillojnë edhe në objektin shëndetësor në Fushë Kosovë dhe në objektin shkollor në Kastriot, përkatësisht Obiliq. Për realizimin e programit për riparimin e objekteve të dëmtuara gjatë trazirave, ministri Brajshori ka kërkuar bashkëpunimin e komunitetit serb.
“Kërkohet bashkëpunimi i komunitetit serb. Në komunën e Prizrenit kemi filluar me programin, 4 shtëpi kanë filluar, pas pak ditësh pronarët e shtëpive në një farë forme kanë kërkuar që të ndërpritet programi, për arsye se kërkojnë një shumë të konsiderueshme të mjeteve për t'ua kompensuar e pastaj për të lejuar për t'u punuar në shtëpitë e tyre, gjë që, natyrisht për ne, ne e kemi atë vijën e veprimit dhe ne i ftojmë ata që të jenë bashkëpunues dhe të kooperojnë me komisionin dhe pushtetet komunale, me qëllim që vërtet programi të mbarojë, sepse është i dedikuar për ta”.
Ndryshe, lidhur me riparimin e dëmeve në objektet e kultit, sipas ministrit Brajshori Qeveria e Kosovës ka treguar gatishmërinë për të ndarë një fond inicial prej 3. 7 milion euro, por ende nuk është arritur që të përcaktohet dinamika me të cilën do të punohet dhe siç tha ai, tash për tash nuk mund të dihet afati i përfundimit të këtyre riparimeve.
“Ajo është çështje që Këshilli i Evropës e ka vlerësuar dhe as ata nuk kanë dhënë akoma ndonjë dinamikë, por sigurisht që është një proces i gjatë dhe aty nevojiten fonde më të mëdha. Unë e ftoj bashkësinë ndërkombëtare që të ndihmojë edhe në këtë fond. Përveç pjesës së nënkalasë ku nevojitet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare, për ta trajtuar si të tërë, nevojitet ndihma e bashkësisë ndërkombëtare edhe në objektet e kultit. Qeveria ka treguar një vullnet shumë të mirë dhe gadishmëri për të ndarë këtë fond inicial, por është e vërtetë që qeveria nuk ka mundësi për të bërë mbulimin e të gjitha dëmeve që janë bërë në objektet e kultit”.
Sidoqoftë, sipas ministrit Brajshori administrata ndërkombëtare në Kosovë, është e obliguar që të ndihmojë qeverinë e Kosovë për të gjetur burimet për fondin prej 3. 7 milion euro për rindërtimin e objekteve të dëmtuara të kultit.

XS
SM
MD
LG