Ndërlidhjet

logo-print

MARK GROSMAN KËRKON NGA BEOGRADI BASHKËPUNIM PA KUSHTE ME GJYKATEN E HAGËS


Marash Berisha, Beograd

Me zgjedhjen e Boris Tadiçit president të Republikës, populli serb vërtetoi se është i vendosur për integrime evroatlantike, e këtë do ta vërtetojë përfundimisht kur të eleminojë pengesën e fundit në rrugën e tij. Ky është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës. Këtë e deklaroi sot në Beograd Sekretari amerikan i Shtetit për çështje politike Mark Grosman, pas bisedimeve me shefin e diplomacisë së Serbisë e Malit të Zi Vuk Drashkoviç. Obligimet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës duhen plotësuar, jo sepse këtë e kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, por për arsye që kjo është një gjë që i përket popullit serb, sepse ky është obligimi juaj moral, tha në vazhdim Grosman, për të theksuar:
"Është koha që Radko Mlladiç dhe katër gjeneralë të gjenden në Hagë dhe që të plotësohe drejtësia. Mungesa e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës është pengesë në rrugën e Serbisë dhe të Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian dhe Partneritetit për Paqe."
Edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Vuk Drashkoviç nënvizoi domosdoshmërinë e plotësimit të obligimeve ndaj Tribunalit të Hagës dhe që të bëhet çmos për evropianizimin e Serbisë në fushën e brendshme:
"Rreth kësaj nuk ka më pazarllëk, s'ka më vend për obstruksion dhe për as kurrfarë pretekstesh politike. Kjo është koha, që liderët politikë të këtij vendi ta kuptojnë më në fund këtë, i thashë zotit Grosman", nënvizoi Drashkoviç, duke shtuar se ra dakort me atë që Kosova ka rëndësi qënësore jo vetëm për stabilitetin e Serbisë dhe të Malit të Zi, por edhe të tërë rajonit.
Grosman konkludoi: "Dëshirojmë të shohim përparim në aplikimin e standardeve në Kosovë, sepse ato janë standarde evropiane që kanë të bëjnë me statusin e njerëzve, me të drejtat e minoriteteve, privatizimin dhe suksesin e ekonomisë".

XS
SM
MD
LG