Ndërlidhjet

UNMIK OFRON BASHKËPUNIM NË NDRYSHIMET KUSHTETUESE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Administrata e Kombeve të Bashkuara, i ka sugjeruar dhe sot Kuvendit të Kosovës që të mos procedojë njëanshëm me ndryshimet në Kornizën Kushtetuese. Duke i ofruar Kuvendit që të formojnë një grup të përbashkët, i cili do t’i vlerësonte amendamentet që do të mund të hynin në procedurën e ndryshimeve, UNMIK-u i ka përkujtuar Kuvendit se ndryshimet rrënjësore dhe të njëanshme janë jashtë mandatit të tij:
“Ndryshimet e propozuara duke rishqyrtuar tërë dokumentin, i tejkalojnë kompetencat e Kuvendit dhe ne nuk mund ta legjitimojmë një qëndrim të tillë”, thotë zëdhënësja e UNMIK-ut Mathilde Heneke. Korniza Kushtetuese, shtoi ajo, është një dokument që duhet zhvilluar, por balanset e vëna në mes të komuniteteve në Kosovë duhet të ruhen.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës i ka vënë në rend dite për miratim për seancën e nesërme amendametet e propozuara nga komisioni përkatës parlamentar. Për këto ndryshime Kuvendit, sot i është dhënë mbështetje dhe nga qeveria e Kosovës. Zëdhënësja Mimoza Kusari tha se këto ndryshime do të lehtësojnë dhe rrugën e miratimit të ligjit për qeverinë, i cili ka mbetur i varur nga akti më i lartë juridik:
“Ka sinjale që mund të kundërshtohet nga UNMIK-u. Por, atëherë si zakonisht shkon në procedurën, e cila pritet të shihet se çfarë do të jetë ose do të miratohet nga Kuvendi. Natyrisht se Kuvendi si organi më i lartë legjislativ ka të drejtë ta bëjë atë dhe qeveria e përkrah”, tha Kusari.
Mirëpo, UNMIK-u thotë se çfarëdo ndryshme që do t’i bëjë Kuvendi, për të qenë të plotfuqishme, ato duhet të miratohen nga Këshillin e Sigurimit, instancë kjo e vetme, që sipas zëdhënëses Heneke, mund ta caktojë dhe grupin negociues për këto ndryshime.
“Sidoqoftë UNMIK-u është i gatshëm të bashkëpunojë me Kuvendin për ndryshimet dhe për t’i identifikuar amendamentet që do të mund të ndryshoheshin”, thotë Heneke, duke shtuar se puna e përbashkët do të kontribonte dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore.
Mirëpo, mbetet që seance e nesërme të dëshmojë vullnetin e deputetëve për miratimin e këtyre ndryshimeve, edhe pse procedura parasheh, që edhe pas vendimit të Kuvendit, për ta zbatuar Kornizën e re Kushtetuese, ajo duhet të marrë dhe nënshkrimin e shefit të misionit ndërkombëtar.


XS
SM
MD
LG