Ndërlidhjet

AI: KFOR-i DHE UNMIK-u DËSHTUAN GJATË MARSIT NË MBROJTJEN E PAKICAVE


Sian Jones, autore e raportit të AI-së për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Xhons, cilat janë gjetjet dhe rekomandimet tuaja në raportin e fundit?

SIAN JONES
Në raportin tonë kemi vënë në qendër të analizës dhunën e 16 dhe 18 marsit në Kosovë dhe incidentet që ndodhën kryesisht mes shqiptarëve dhe serbëve. Në fokus të raportit është mënyra se si kanë vepruar UNMIK-u dhe KFOR-i dhe gjetjet tona janë se UNMIK-u e veçanërisht KFOR-i ishin plotësisht të papërgatitur për mbajtjen e rendit në situata të tilla. Ata dështuan në mbrojtjen e pakicave në gjithë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Amnesty International bën përgjegjës KFOR-in dhe UNMIK-un se kanë dështuar në mbrojtjen e pakicave. Ndërkohë që pas dhunës së marsit OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja bënë përgjegjës drejtuesit kosovarë. Si do t'i vlerësonit këto gjykime?

SIAN JONES
Nuk mendoj se do gjykojmë lidhur me shkallën e përgjegjësisë së strukturave të ndryshme. Ajo që thuhet në raportin tonë është se ka pasur dështime brenda UNMIK-ut, KFOR-it, policisë ndërkombëtare dhe Shërbimit Policor të Kosovës. Gjithashtu ka pasur dështime të udhëheqësve të Kosovës, që nuk mundën të parandalonin dhunën, apo në disa raste ka pasur akuza për përfshirje në dhunë. Ne nuk bëmë raportin për të parë se kush është më shumë fajtor, por për të parë nga të gjitha anët nivelin e përgjegjësisë për ato që ndodhën dhe njëherësh të nxjerrim në pah kush ishin përgjegjës për dështimet në mbrojtjen e pakicave. Dhe duam që këta njerëz të japin llogari. Ne shpresojmë që UNMIK-u dhe KFOR-i do jenë transparent në procesin e hetimit të ngjarjeve. Është bërë publike se ata kanë ndërmarrë hetime të tilla dhe duam që ato të jenë publike. Njëherësh ne kemi kërkuar nga qeveria franceze dhe gjermane dhe NATO të nisin hetimet të shohin se çfarë ka ndodhur në ato ditë dhe t'i bëjnë publike gjetjet e tyre. Kjo pasi bashkësia ndërkombëtare në Kosovë ka për detyrë, bazuar në mandatin e dhënë nga OKB-ja, që të mbrojë të drejtat e njeriut.
KFOR-i e ka për detyrë të krijojë mjedis të sigurt. Ndërkohë që të zhvendosurit nga dhuna e marsit nuk kanë besim tek policia e UNMIK-ut apo tek KFOR-i, që ata do të jetojnë të sigurt në rast të kthimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni kërkuar nga qeveria franceze dhe gjermane të shohin rolin e trupave të tyre gjatë dhunës së marsit. Cili ka qenë reagimi i tyre?

SIAN JONES
I kemi shkruar qeverisë franceze para publikimit të raportit dhe i kemi bërë të njohura shqetësimet tona, të cilat janë publikuar në këtë raport. Por nuk kemi deri tani asnjë përgjigje nga ata. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me qeverinë gjermane. Ne presim përgjigjet e tyre dhe po përpiqemi që të ushtrojmë presionin maksimal që këto qeveri të nisin hetimet mbi rolin e trupave të tyre gjatë trazirave të marsit. Kjo pasi në Kosovë është një forcë paqeruajtëse që ka një mandat të caktuar dhe ne duam që ata ta përmbushin mandatin e tyre, çfarë do t'i lejonte pakicave që të ktheheshin në shtëpitë e tyre me dinjitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke lexuar raportin tuaj të fundit dhe duke pasur parasysh raporte të tilla si ai i GNK-së, a mund të thuhet se ka pasur grupe të interesuara si brenda komuniteteve të ndryshme ashtu edhe brenda bashkësisë ndërkombëtare që incidente të tilla të ndodhnin?

SIAN JONES
Mendoj se ajo çfarë kemi parë nga kërkimet tona në terren, por dhe të organizatave të tjera është e qartë se disa batalione të forcës shumëkombëshe të KFOR-it, nuk mundën të mbronin sa e si duhet pakicat në mënyrë që ato të mos dëboheshin nga shtëpitë e tyre. Një problem që e kemi vënë re edhe më parë është mungesa e një komande të përbashkët efikase të KFOR-it.
Deri tani çdo kontigjent jep llogari para qeverisë së vet. Për më tepër këto kontigjente e interpretojnë në mënyra të ndryshme mandatin e tyre dhe kanë përshtatur strategji të ndryshme operative në terren.
Ajo çfarë ne kemi kërkuar është një komandë e përgjithshme e KFOR-it ku çdo kontigjent do jepte llogari, në mënyrë që të dimë qartë se kush është përgjegjës dhe të mos kemi këtë llojshmëri komandash. Gjithashtu nga bisedat me dëshmitarë të ngjarjeve, kemi parë se ka pasur reagime të ndryshme nga policia e UNMIK-ut dhe Shërbimi Policor i Kosovës, që përbëhet kryesisht nga policë shqiptarë. Këta të fundit në raste të caktuara nuk kanë vepruar siç ia kërkonte detyra, pra të mbronin pakicat. Në zona të caktuara ka gjithashtu akuza se anëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës kanë qenë bashkëpjesëmarrës në lejimin e dëbimit të pakicave, siç ishte rasti me komunitetin ashkali në Vushtri.
Pamja që ofrohet është e ndryshme. Ajo që trondit më së shumti është fakti se nuk ka pasur një përgjigje të bashkërenduar brenda forcave paqeruajtëse apo atyre të rendit. Në disa raste madje ka pasur konflikt mes forcave ushtarake dhe atyre të rendit, se kush duhet të bëjë çfarë dhe se kujt i takon komanda. Ka një shkallë të lartë konfuzioni, ndaj kërkojmë nga UNMIK-u dhe KFOR-i që të sqarojnë gjendjen dhe të tregojnë se si do të mund të përgjigjen në situata të ngjshme në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
OKB-ja dhe KFOR-i hodhën poshtë rekomandimet e raportit tuaj rreth trafikut të qënieve njerëzore. Cili do jetë reagimi i tyre këtë rradhë, a do t'i marrin më seriozisht kritikat?

SIAN JONES
Në ditët e para pas raportit mbi trafikun e qënieve njerëzore ka pasur një numër komunikatash për shtyp që hidhnin poshtë gjetjet e raportit tonë. Por më pas ne patëm disa takime me UNMIK-un, NATO-n dhe departamentin e operacioneve paqeruajtëse në Nju Jork.
Në qershor NATO-ja dhe Kombet e Bashkuara hartuan një përgjigje prej 38 faqesh për raportin tonë. Kjo përgjigje dëshmon se ata janë dakord me afro 75-80 për qind të konkluzioneve tona. Ajo që ne shpresojmë është se kur plani kosovar i veprimit për luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore të publikohet, të jenë marrë parasysh dhe rekomandimet tona.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG