Ndërlidhjet

logo-print

M. GROSSMAN: VITI 2005 ËSHTË SHUMË AFËR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Nënsekretari amerikan i Shtetit Marc Grossman ka ritërhequr sot vërejtjen, se është shumë afër viti 2005, kur Kosova duhet të përballet me vlerësimin e përmbushjes së standardeve, para se t’i hyhet përcaktimit të statusit të saj përfundimtar. Ndërsa dje nuk ka dashur të japë vlerësime nëse ka pasur përparime në Kosovë që nga përcaktimi i politikës së standardeve para statusit.
"Mendoj se kjo është një çështje ende e hapur, pasi kemi standardet dhe ato duhen përmbushur, ndërsa viti 2005 që është afati për jetësimin e tyre është shumë afër," tha Grossman.
Ai i ka bërë këto komente në Fushë Kosovë, afër Prishtinës, ndërsa po përcillte punimet për rindërtimin e shtëpive të serbëve, të dëmtuara gjatë trazirave të dhunshme të 17 dhe 18 marsit të këtij viti. Grossman që shoqërohej nga Kathleen Stevens, zëvendëse e ndihmëssekretarit për çështje të Evropës dhe të Azisë, tha se rindërtimi dhe kthimi janë proceset në të cilat duhet të përqendrohen institucionet e Kosovës:
"Ne duam që procesi i rëndërtimi të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur," tha nënsekretari Grossman, duke përsëritur se dje dhe në Prishtinë dhe në Beograd kishte thënë që rindërtimi dhe kthimi i të zhvendosurve janë esenciale për t’u përballur me pasojat e 17 dhe 18 marsit. Ai tha se në komunën e Fushë Kosovës ishte bërë punë e mirë për rindërtimin e shtëpive të dëmtuara, por kjo punë duhet të kryhet sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa shkollat duhet të jenë të gatshme që të hapen në shtator, në mënyrë që nxënësit të mund të fillojnë mësimin dhe njerëzit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ndërkaq, kryetari i komunës së Fushë-Kosovës që e shoqëroi zotin Grossman gjatë gjithë vizitës, zoti Skënder Zogaj, tha se organet komunale po bëjnë gjithëshka është e mundur për eliminimin e dëmeve të shkaktuara në trazirat e dhunshme të marsit:
"Ne po përpiqemi të zëmë dinamikën. Ne jemi përafërsisht të kënaqur me dinamikën, në rrethanat në të cilat po punojmë, po japim maksimumin dhe jemi të lumtur që po kemi përkrahje të gjerë, sidomos vizita e zotit Grossman është një përkrahje shumë e madhe për ne".
Duke u ndërlidhur me këto vlerësime, zoti Grossman tha se procesi i rindërtimit të shtëpive të dëmtuara është edhe parakusht për rikthimin e të zhvendosurve dhe këtë e kishte vërejtur në bisedat me qytetarët:
"Jam i lumtur që takova pronarët e këtyre shtëpive, pasi secili prej tyre më tha se ajo që duan është të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të jetojnë jetë të lirë," tha Grossman, duke e vlerësuar këtë si shumë të rëndësishme, pasi nëse njerëzit duan të kthehen dhe të jetojnë në shtëpitë e tyre, është edhe një sukses i Kosovës në përgjithësi.
Zoti Grossman, i cili më 5 nëntor të vitit të kaluar ka lansuar vitin 2005, si kohë kur Kosova me standarde të përmbushura duhet të hyjë në përcaktimin e statusit përfundimtar, sot e ka përfunduar vizitën e tij dyditëshe Kosovës, pasi dje pasdite ka takuar në një mbledhje të përbashkët drejtuesit e institucioneve të Kosovës, liderët partiakë dhe ata të komuniteteve, të cilët takimin me zotin Grossman e kanë cilësuar të suksesshëm.

XS
SM
MD
LG