Ndërlidhjet

logo-print

PULA: UNMIK-u NUK MUND TË RIFITOJË BESIMIN E KOSOVARËVE


Besnik Pula, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pula si e vlerësoni ju partneritetin e zhvilluar mes misionit të Kombeve të Bashkuara dhe pushtetit vendor gjatë këtij mandati të deritanishëm të UNMIK-ut në Kosovë?

BESNIK PULA
PO siç është treguar dhe nga disa prej sondazheve të bëra nga Instituti RIINVEST, UNMIK-u sot ballafaqohet me një krizë të madhe legjitimiteti në Kosovë dhe këtë jo vetëm tek shqiptarët por edhe tek serbët. Ata nuk kanë besim tek UNMIK-u se mund ta kryejë detyrën e vet. Kjo është pengesa kryesore, nuk janë vetëm problemet institucionale dhe dinamika mes udhëheqjes së Kosovës dhe udhëheqjes së UNMIK-ut, por fakti se në popullatën e Kosovës UNMIK-u nuk e ka më besimin që dikur e kishte si një institucion që kishte ardhur këtu për të ndihmuar, për të krijuar paqen etj.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të rregullohen këto raporte, apo si e shihni rrugëdaljen nga kjo pozitë që është aktualisht Kosova?

BESNIK PULA
Unë nuk shoh shpresë që UNMIK-u të mund të kthejë apo rigjenerojë besim që kishte dikur. Tani për tani mund të merret me menaxhimin e pasojave, të cilat janë krijuar sidomos pas ngjarjeve të marsit, të cilat ishin një goditje e rëndë edhe për UNMIK-un. Prandaj mendoj se problemi është më i thellë dhe duhet të zgjidhet çështja fondamentale e statusit të Kosovës. Duhet të fillojë adresimi i këtij problemi. Nuk është vetëm çështja e raporteve mes UNMIK-ut dhe partive politike kosovare, apo probleme të tjera institucionale, siç janë privatizimi etj. Duhet të zgjidhet përfundimisht çështja thelbësore e statusit të Kosovës. Ky është mendimi im.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje parlamenti i Kosovës miratoi disa amendamente të cilat synojnë ndryshimin e Kornizës Kushtetuese. Ka vlerësime të ndryshme; disa se këto janë përplasje të panevojshme me UNMIK-un, e të tjerët e përkrahin Kuvendin. Si e shihni ju pozicionin e djeshëm të Kuvendit të Kosovës?

BESNIK PULA
Pavarësisht se këto ndryshime të propozuara do të mbulohen nga UNMIK-u, gjë që dihet dhe besoj se e ka ditur gjithë Kuvendi, është një mënyrë e mirë e shprehjes së vullnetit politik që Kuvendi të dalë me një qëndrim të tillë. Në anën tjetër këtu shihet problemi i Kornizës Kushtetuese dhe në një mënyrë e ilustron thellësinë e problemit. Një çështje që duhet të ishte normale në një demokraci, ndryshimi i kushtetutës apo ndryshimi i ligjit, këtu është një proces i gjatë, kompleks, diplomatik, ku duhet të involvohen disa palë, ku duhet të merret leja nga OKB-ja në Nju Jork, ku duhet të ndërhyjnë fuqitë perëndimore përmes diplomacisë së tyre. Çdo çështje që zgjidhet thjesht në vendet demokratike, këtu merr përmasa të një kompleksiteti shumë të madh dhe si pasojë bllokon zhvillimin dhe zbatimin e politikave të duhura për përmirësimin e gjendjes politike, sociale dhe ekonomike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa atëhere konsideroni se vetë subjektet e shumicës kanë zhvilluar një dialog të brendshëm së pari mes vetes, në mënyrë që t'i adresojnë më mirë çështjet tek bashkësia ndërkombëtare?

BESNIK PULA
Për këtë normalisht që duhet të hyjmë pak edhe në histori. Sepse këtu është krijuar një hendek i madh midis dy rrymave politike. Asaj të LDK-së, të rezistencës paqësore dhe asaj të dalë nga UÇK-ja dhe ky hendek vetëm sa është thelluar dhe edhe po i bën dëm politikisht Kosovës, sepse pala ndërkombëtare po e sheh se këtu nuk ka një palë të unifikuar, por ka grupe të ndryshme, të cilat janë në gjendje të bëjnë konkurrencë kundër njëra tjetrës, por duke u munduar që ta eliminojnë njëra tjetrën ndaj pushtetit politik. Mendoj që në këtë stad, meqë statusi i Kosovës është ende i pazgjidhur, domethënë jemi në një pikë fondamentale, ku çështja thelbësore duhet të zgjidhet, duhet të gjendet një forcë, një energji që të vihen në platformë të përbashkët, të kalohen dallimet e ndryshme, sepse ky është momenti vendimtar. Në të ardhmen pasi të krijohen institucionet demokratike ne mund të kemi konkurencë të mirëfilltë politike. Ajo është krejt normale, mirëpo në këto rrethana duhet të gjehet forca që të tejkalohen disa nga dallimet dhe që të gjehet të paktën një platformë e përbashkët për të hyrë në bisedimet për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët si të nevojshme zgjidhjen e statusit të Kosovës. Ndërkohë sa vlerësoni se do të jetë përcaktuese e këtij statusi dhe zgjidhja fillimisht e çështjes së pakicave në Kosovë?

BESNIK PULA
Kjo është një çështje që është shtruar që nga viti 1999. çështja e pakicave është një çështje që duhet të zgjidhet dhe besoj se të paktën në aspektin institucional ka filluar të zgjidhet. Në aspektin shoqëror nuk është zgjidhur sepse ne sot kemi akoma enklava dhe siç e tha në këtë diskutim zoti Dushanjaniç, enklavat nuk janë vetëm serbe, por janë edhe shqiptare. Pra kemi problemin e izolimit të njerëzve nga shoqëria më e gjerë për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Kjo është një gjendje që duhet të kalohet nëse ne do të jemi një shoqëri e vërtetë demokratike dhe do të integrohemi në sistemin evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Grossman në vizitën e tij të fundit në Kosovë bëri thirrje lidershipit kosovar që të përshpejtojë me përmbushjen e standardeve, në mënyrë që në vitin e ardhshëm të hapet çështja e statusit. Bazuar në zhvillimet e deritashme, sa besoni se në vitin e ardhshëm Kosova do të jetë e gatshme që të fillojë bisedimet lidhur me statusin e saj?

BESNIK PULA
Nëse marrim si pikë vlerësimi gjendjen e sotme, Kosova nuk është përgatitur për bisedime. Mirëpo deri në vitin tjetër ka kohë që të bëhen përgatitje dhe kjo duhet të jetë një përgatitje serioze. Në qoftë se mendojmë që të hyjmë në bisedime pa patur një platformë, pa patur një një strategji, ajo do të jetë humbje paraprake, domethënë pa hyrë në bisedime ne do të humbim. Duhet të gjenden mënyra që të forcohet pozicioni i Kosovës në këto bisedime, të zhvillohen argumente të bindshme të cilat do të dëshmojnë se Kosova është në gjendje të funksionojë si shtet, si shoqëri dhe të bëhen përgatitje të tjera për të hyrë në bisedime për status, nëse këto bisedime do të mbahen, sepse akoma duket se nuk është krejt e sigurt që këto do të mbahen. Gjithsesi do të ishte një dëm i madh nëse vazhdon të shtyhet ky proces.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG