Ndërlidhjet

logo-print

KOSOVA BOMBË SOCIALE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosovës i duhet një agjendë e qartë dhe duhet rikthyer partneriteti ndërmjet UNMIK-ut dhe qytetarëve të Kosovës, është thënë sot në një konferencë ndërkombëtare organizuar nga koalicioni i organizatave joqeveritare Forumi 2015, në të cilën u tha gjithashtu se vetëm zgjidhja e statusit përfundimtar dhe e papunësisë, mund ta shpëtojnë Kosovën nga shpërthimi i asaj që u quajt bombë sociale.
Luan Shllaku, nga fondacioni kosovar për Shoqëri të Hapur, tha se qëllimi i konferencës është identifikimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre, pasi në Kosovë ka mjaft probleme, duke filluar nga ato politike e deri te problemet ekonomike:
"Importi është tepër i madh, ndërsa i vetmi eksport në rritje është ai i rinisë kosovare, që nuk po gjen perspektivë për jetë në Kosovë, pasi as ka punë dhe as mund të mësojë brenda një sistemi edukativ të pareformuar si duhet."
Në seancën e parë të titulluar: Bashkëqeverisja – shumë tutelë, pak partneritet, u tha se pesë vjet pas, Kosova ka shumë probleme të pazgjidhura, ndërsa kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi, tha se pyetja kryesore që shtrohet është se çfarë agjende i duhet Kosovës:
"Në radhë të parë Kosovës i duhet agjenda. Nuk guxon të ketë aktivitet sporadik të nxitur nga bindja se vetë kalimi i kohës do t’i zgjidhë problemet, se stagnimi në vend do t’i ulë tensionet, apo se ngrirja e kontesteve do t’i zhdukë armiqësitë," tha kryeministri Rexhepi, sipas të cilit problemet duhen konfrontuar dhe zgjidhjet duhen kërkuar, duke mos kursyer as çështjet më delikate.
Ndërkaq, publicisti Veton Surroi tha se pesë vjet më parë Kosova kishte një festë të madhe të pritjes së NATO-s, UNMIK-ut dhe refugjatëve që ktheheshin në shtëpi, ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar:
"Para pesë vjetësh UNMIK-u u prit si çlirimtar dhe pas 5 vjetësh UNMIK-u, është në fazën më të ulët të popullaritetit ndonjëherë, i kanë mbetur vetëm edhe 20 për qind në shkallën e popullaritetit për të rënë në zero."
Zoti Surroi tha se paneli i sotëm synon të shpjegojë shkaqet për mungesën e tolerancës së ndërsjellë ndërmjet kosovarëve dhe UNMIK-ut, që në mënyrën më tragjike, sipas tij është manifestuar në ngjarjet e marsit. Ai tha se duhen kërkuar rrugët që të kthehet partneriteti.
Profesori i filozofisë në Paris, Muhamedin Kullashi ndërkaq ka kritikuar UNMIK-un për arbitraritet:
"Një shembull i tillë mund të jetë rasti i anullimit të rezolutës së Kuvendit të Kosovës për marrëveshjen kufitare ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, sado që sovraniteti i Jugosllavisë mbi Kosovën ishte suspenduar me rezolutën 1244 të OKB-së."
Ndërkaq, ish-shefi i zyrës gjermane në Prishtinë, Michael Schmunk, aktualisht anëtar i Institutit shtetëror gjerman për studime politike, tha se ngjarjet e marsit shënojnë një kthim mbrapa dhe ekstremistët nuk duhen lejuar që t’ua rrëmbejnë njerëzve të ardhmen dhe reputacionin që kishte krijuar Kosova:
"E ardhmja e Kosovës do të përcaktohet mbi të gjitha sipas asaj se çka ju jeni të gatshëm të bëni, dhe jo vetëm nga qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare," tha zoti Schmunk.
Në seancën Ekonomia politike e Kosovës ndërmjet dilemave të UNMIK-ut dhe bombës së kurdisur sociale, drejtori i Institutit RIINVEST, Muhamet Mustafa tha se nga qershori i vitit 2003 deri në qershor të vitit 2004 nuk ka pasur asnjë lëvizje pozitive në ekonominë e Kosovës, ndërsa problemet më shqetësuese janë statusi i pazgjidhur dhe papunësia:
"Nëse i mblidhni këto, do të shihni se këto dy probleme përbëjnë 65 për qind të të gjitha 12 problemeve të tjera dhe paneli i kaluar ka thënë këto probleme duhet të zgjidhen tani dhe menjëherë, pra problemi i statusit dhe problemi i papunësisë, nëse duam që vërtet bomba sociale të mos eksplodojë," tha zoti Mustafa, sipas të cilit, privatizimi, hapja e vendeve të punës dhe prodhimi vendor, kanë shënuar trende të panryshueshme, vazhdimisht negative në pasqyrën e përgjithshme ekonomike të Kosovës.


XS
SM
MD
LG