Ndërlidhjet

MOORE:"NDRYSHIMET NË KORNIZËN KUSHTETUESE, LËVIZJE DREJT DEKOLONIZIMIT"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti i Kosovës këto ditë ka miratuar ndryshimet e Kornizës Kushtetuese. UNMIK-u ka thënë se kjo nuk është kompetencë e parlamentit. Si i shihni ju marrëdhëniet e UNMIK-ut dhe institucioneve kosovare në periudhën e ardhshme?

PATRICK MOORE
UNMIK-u gjendet në një pozicioni fatkeq të të qenit një institucion kolonial në një periudhë post koloniale të historisë botërore. Parlamenti e ka pohuar vetveten këtë javë në atë që do ta cilësoja si mosbindje civile legjislative. Mosbindja civile ishte një faktor kyç në përpjekjen për pavarësi në Indi dhe nuk është e panjohur në përpjekjet e tjera për pavarësi nëpër botë. Pra e shoh këtë si pjesë të një lëvizjeje në vazhdimësi për dekolonizim, në këtë rast në Evropë dhe një fazë tjetër të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Parlamenti thotë se ka të drejtën morale, edhe pse rezoluta 12-44 nuk e parasheh si një të drejtë të plotë ligjore.

RADIO EVROPA E LIRË
Shumë analistë të pavarur pajtohen se në rastin e Kosovës, bartja e kompetencave nga ndërkombëtarët te institucionet e Kosovës po bëhet ngadalë dhe me shumë vështirësi. Pse ndodh kjo?

PATRICK MOORE
Arsyeja kryesore për këtë është këmbëngulja në slloganin "Standardet para statusit". Nuk mendoj se kjo është realiste, pasi shumë vende të tjera në Evropë nuk i plotësojnë këto standarde. Shumë nga vendet e ish-Jugosllavisë kur u pavarësuan nuk do të ishin në gjendje t'i plotësonin ato. Mendoj se plotësimi i standardeve do të bëhej në mënyrën më të mirë siç u parashtrua nga i dërguari i Pakistanit në Kombet e Bashkuara kohët e fundit, "Standardet me statusin". Ky do të ishte praktikisht një proces i mësimit përmes praktikës. Ajo që shohim në vend të kësaj është se UNMIK-u po kërkon në disa forma të reformojë punën e tij, po groposet, ndërsa nga ana tjetër Bashkimi Evropian dhe liberalët gjermanë shprehin ide për një mandat tjetër kolonial, për një formë të re të mbikqyrjes koloniale. Mendoj që kjo po shkon në drejtimin e gabuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka sinjale dhe jo vetëm nga analistët e pavarur, se nëse lidhur me statusin përfundimtar gjërat në Kosovë nuk zhvillohen më shpejt, kriza mund të thellohet me trazira të mundshme. Si i komentoni ju këto parashikime?

PATRICK MOORE
Ka të paktën dy mënyra se si shihet dhuna e Marsit. Mënyra e parë është që kosovarët nuk ishin në gjendje të vepronin si evropianë të civilizuar dhe u sollën si fëmijë të këqinj, prandaj kanë nevojë për më shumë kontroll të huaj. Unë nuk jam dakort me këtë tezë. Jam dakort me këndvështrimin e dytë sipas të cilit kemi marrë një thirrje zgjimi nga komuniteti (kosovarë) dhe kjo u lëshua pavarësisht se kush po fliste me kë në celular, kush me kë foli dhe çfarë. Ajo që shohim është se kjo thirrje vjen nga një pasiguri e vazhdueshme që lidhet me çështjen e statusit. Rrjedhimisht, duket se mësimi nga ngjarjet e Marsit është që ka ardhur koha për të vepruar, edhe pse gjërat mund të mos jenë perfekte sa i përket statusit dhe standardeve, por që të veprohet para se situata të shpërthejë sërish. Ka patur mësime të bollshme sa i përket pritjes (deri sa vete shumë vonë) nga historia e procesit të dekolonizimit. Veprimet nga parlamenti këtë javë treguan që zyrtarët e zgjedhur të Kosovës kanë ndërmend të veprojnë dhe jo të presin shpërthime të reja.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG