Ndërlidhjet

BETEJA PËR SHUMICËN


Lutfi Dervishi

Mazhoranca aktuale nuk ka mundur të kalojë tre ligje në Parlament, duke ndezur debatin për ndryshime në qeveri dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Nuk mund të flitet për krijimin e mazhorancave të reja,por mund të vihet re krijimi i aleancave fluide. Në Parlament tashmë janë ravijëzuar tre grupe, ai i Partisë Socialiste, i opozitës dhe grupi i mbështetësve të ish-kryeministrit Meta dhe disa partive aleate të Partisë Socialiste. Deputetët e
partive të vogla, që bëjnë pjesë në koalicionin qeveritar kanë kërkuar votëbesimin e kryeministrit dhe disa ministrave, gjë që ka shkaktuar nervozizëm dhe tension në radhët e mazhorancës. Por, nëse bllokimi i kryeministrit Nano është arritur, nuk duket të ketë
ndonjë skenar të qartë se çfarë do të bëhet më pas.Partia Demokratike, partia më e madhe e opozitës, është shprehur për krijimin e një qeverie teknike që do t’a çonte vendin në zgjedhje. Një skenar i tillë do të kërkonte miratimin e Partisë Socialiste, gjë që duket e pamundur. Një variant tjetër do të ishte krijimi i një
mazhorance të re, duke bashkuar të gjitha votat kundër qeverisë. Por, kjo mundësi mbetet vetëm teorike. Partitë e vogla, si ato që janë aleate me qeverinë, si ato që janë në opozitë kanë pakënaqësitë e tyre të shprehura publike, kanë kërkesa që shkojnë kundër interesit të dy partive të mëdha. Të gjithë partitë e vogla parlamentare të spektrit të majtë dhe të djathtë janë kundër marrëveshjes që PD dhe PS arritën me ndërmjetësimin e OSBE-së për përmirësimet në kodin
zgjedhor. Partitë e vogla duan të jenë jo vetëm pjesë e debatit, por edhe pjesëmarrës në komisionet zgjedhore me të drejta të plota, një mënyrë që jo vetëm të vëzhgojnë, por edhe të jenë përgjegjës për
procesin. Republikanët që janë dëshmuar aleatët më të qëndrueshëm të demokratëve, kanë mospajtime serioze me PD-në për ligjin e pronave dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Po ashtu edhe grupi i demokratëve të reformuar është tejet kritik për marrëveshjet që arrijnë dy partitë kryesore. Në këtë situatë duket se i vetmi shans për të realizuar zgjedhje të reja është pritja edhe 10 muaj të tjerë,kur zgjedhjet janë përcaktuar sipas Kushtetutës. Situata e krijuar është pasojë e zhvillimeve të brendshme në Partinë Socialiste dhe kristalizimit të qartë të grupit të deputetëve mbështetës të ish
kryeministrit Meta, që pritet të shpallin krijimin e një partie të re politike në muajin shtator. Megjithatë është për t'u shënuar se ky grup i pagëzuar me emrin Lëvizja Socialiste për Integrim, deri më tani
po operon brenda strukturave ekzistuese të Partisë Socialiste, madje ka raste që përkrahësit e tij arrijnë të fitojnë në konferencat zgjedhore, siç ishte edhe rasti i ditëve të fundit në qytetin e Burrelit.
Lëvizja Socialiste për Integrim është deklaruar se krijimi i një mazhorance duke bashkuar votat me Partinë Demokratike është një gjë e pakuptimtë. Në historikun e zhvillimit parlamentar të Shqipërisë së
pas vitit 1990, qeveria nuk e ka humbur shumicën në parlament si rrjedhojë e aritmetikës së numrave të deputetëve. Në dy raste që janë zhvilluar zgjedhje të parakohshme (1991 dhe 1997), ka qenë kriza ekonomike dhe sociale që ka diktuar marrëveshje mes palëve për
t’iu drejtuar kutive të votimit. Nisur nga përvoja shqiptare, ku me përjashtim të vitit 1992, të gjitha zgjedhjet janë kontestuar nga pala humbëse, sfida e vërtetë e klasës politike në Shqipëri nuk qëndron në zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, por të zgjedhjeve të rregullta. Në kushtet kur në Shqipëri ende nuk ka nisur përmirësimi për infrastrukturën zgjedhore, në kushtet kur ende janë në diskutim institucione të tilla si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në kushtet kur nuk është e sigurtë se vota do të numërohet dhe zëri i votuesve do të dëgjohet, debatet për krijimin e shumicave të reja në kushtet e vapës së korrikut, janë një luks i panevojshëm. Në një
vend demokratik, koncepti i shumicës parlamentare do të thotë se përfaqësohet vullneti i shumicës së votuesve. Zgjedhjet e parakohshme mund të bëhen të pashmangshme, por mënyra se si do të zhvillohen ato është me rëndësi jetike për të ardhmen e Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG