Ndërlidhjet

logo-print

PIEPER: GJATË MARSIT KFOR-i SHPËTOI KOSOVËN NGA LUFTA CIVILE


Kolonel Horst Pieper,shef i zyrës për marrëdhënie publike të KFOR-it

RADIO EVROPA E LIRË
Kolonel Pieper, të shtunën në mbrëmje, katër ushtarë finlandezë të KFOR-it u plagosën. Kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ftoi KFOR-in dhe policinë që ta ndriçojnë këtë rast, për të evituar spekulimet e mundshme. Çfarë mund të thoni për këtë rast?

HORST PIEPER
Është e sigurt se ky nuk ishte sulm kundër KFOR-it, por ishte një incident me të shtëna, që është me rëndësi të thuhet dhe patrulla e KFOR-it u ndesh në disa veprimtarë kriminalë që ndodheshin në mal. Prandaj, ne jemi shumë të lumtur që kryeministri na ka përkrahur ne dhe punën tonë me deklaratën e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit të organizatës Amnesty International është kritikuar udhëheqja e Kosovës, Shërbimin Policor i Kosovës dhe UNMIK-u, si dhe KFOR-i, posaçërisht ai gjerman dhe francez për ngjarjet e marsit. Cila është përgjigja apo reagimi juaj ndaj kritikave të tilla?

HORST PIEPER
Unë mund të them vetëm se të gjithë ushtarët e KFOR-it kanë bërë më së miri që kanë mundur. Ata kanë shpëtuar jetë të shumta dhe ne kemi strehuar më shumë se 1200 njerëz në kampet tona, si njerëz që ne i evakuuam nga një gjendje shumë kritike. Dua të nënvizoj një gjë - kryesit e këtyre veprimeve janë përgjegjës për këtë dhe jo KFOR-i.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, kolonel, cili ishte roli i KFOR-it në ngjarjet e marsit dhe a ndien KFOR-i ndonjë përgjegjësi për atë që ndodhi?

HORST PIEPER
Jo, pasi siç thashë, përgjegjës janë demonstruesit. Ne kemi përdorur një forcë proporcionale dhe brenda 24 orësh përforcimet e para arritën nga Bosnja dhe nga e gjithë Evropa. Ju duhet t’ia bëni vetes edhe pyetjen se çka do të ndodhte, po qe se Serbia të ndërhynte në këto trazira, pasi edhe kjo ishte njëra nga mundësitë. Prandaj, them se KFOR-i, në të vërtetë, ka shmangur, ka evituar një luftë civile në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas hulumtimeve të fundit të opinionit në Kosovë, KFOR-i vazhdon të mbetet shumë i popullarizuar në mesin e kosovarëve, ndërsa popullariteti i UNMIK-ut ka shënuar rënie të dukshme. Si e shpjegoni këtë, ta quajmë, fenomen?

HORST PIEPER
Natyrisht se unë mund të komentoj vetëm për KFOR-in dhe ne jemi mjaft të lumtur për këtë. Ne e ndiejmë këtë simpati përditë nëpër rrugë. Nganjëherë madje kam ndjenjën se njerëzit e këtushëm i duan edhe postblloqet dhe duan të kontrollohen, pasi duan të sigurohen se ne garantojmë ambjent të sigurt. Kjo është njëra nga arsyet, por në anën tjetër unë ndiej se ne po shfaqim edhe interesin tonë për jetën e përditshme të njerëzve. Ushtarët tanë ndërtojnë rrethoja të shkollave, mbledhin para nga xhepat e tyre për të ndihmuar njerëzit e varfër të Kosovës dhe gjithashtu duhet të përkujtoj aktivitetet nga zyra ime për informim dhe marrëdhënie me publikun, ku kujdesemi edhe për foshnjat e braktisura në Kosovë, ku mund të them se kemi shpenzuar më shumë se një mijë euro sivjet për foshnjat e braktisura.

RADIO EVROPA E LIRË
Në planin global po zhvillohet një luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar. A është Kosova e rrezikuar nga ndonjë sulm eventual terrorist dhe çfarë është situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë?

HORST PIEPER
Situata e sigurisë është stabile, por e brishtë, e ndjeshme dhe për këtë raportojmë përditë në NATO. Sa i përket terrorizmit, unë nuk kam informacione për këtë dhe kjo do të thotë se për momentin ne nuk mendojmë se çështja e terrorizmit është relevante për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Cila është sfida më e madhe e KFOR-it aktualisht, apo cili është prioriteti i KFOR-it për momentin?

HORST PIEPER
Detyra jonë kryesore është ruajtja e ambjentit të sigurt, që do të thotë postoblloqet, pastaj patrullat dhe ju e mbani mend incidentin në Lipjan, që do të thotë se ne mbledhim informacione zbulimi dhe kundërzbulimi dhe kjo do të thotë se ne vëzhgojmë dhe monitorojmë shumë se çfarë ndodh përreth kufijve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka pasur shumë njoftime për reduktimin e forcave paqëruajtëse në Kosovës. Në fakt, zyrtarët e NATO-s kanë thënë se reduktimi do të jetë në pajtim me nevojat në terren. Cilat janë planet e KFOR-it lidhur me këtë çështje?

HORST PIEPER
Unë mund të them se ishte mesazh i qartë ai që erdhi nga Samiti i Stambollit, ku thuhet se KFOR-i do të mbajë një prani të fortë në Kosovë dhe kjo do të thotë se ne nuk do ta reduktojmë numrin e ushtarëve tanë në Kosovë, ku kemi rreth 18 mijë ushtarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, në fund kolonel Pieper, a keni diçka për t’i shtuar kësaj bisede?

HORST PIEPER
Po, së pari më duhet të them se kam kaluar gati dy vjet në Kosovë dhe dua t’i inkurajoj njerëzit e Kosovës të vazhdojnë të besojnë në Kosovën, e cila ka një të ardhme të ndritshme përpara. Ju duhet ta ndërtoni vendin dhe ta keni parasysh se 36 shtete kanë dërguar ushtarët e tyre në Kosovë dhe kur ne si KFOR, jemi të gatshëm ta demonstrojmë këtë shumetnicitet, atë herë edhe ju duhet të jeni të aftë ta dëshmoni multietnicitetin tuaj në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG