Ndërlidhjet

M. MUSTAFA: KRIZA EKONOMIKE PASOJË E STATUSIT TË PAPËRCAKTUAR TË KOSOVËS


Muhamet Mustafa, drejtor i Institutit RIINVEST

RADIO Evropa e Lirë
Zoti Mustafa, gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë e keni cilësuar si një bombë para shpërthimit. A është kjo situate reale apo më shumë një alarm për tërheqjen e vërejtjes?

MUHAMET MUSTAFA
Unë do të thosha se situata reale ka elemente të krizës sociale. Ndoshta bombë është tepër e fortë, por kriza sociale është shumë e pranishme. Papunësia rritet me norma shumë më të larta sesa numri i të punësuarve, varfëria po ashtu ka disa tendenca të rritjes. Ne nuk kemi krijuar një mjedis që gjeneron rritje ekonomike dhe që është miqësor me investuesit dhe nuk kemi krijuar një model të qeverisjes më të suksesshme me çështjet ekonomike dhe qeverisja duhet të bëhet menjëherë. Së dyti duhet të përmirësohen politikat ekonomike, duhet të krijohet dhe zbatohet shteti ligjor dhe më pas duhet të disenjohet një strategji afatgjatë, e cila në epiqendër do të kishte infrastrukturën institucionale dhe shtetin ligjor, arsimimin modern dhe së treti krijimi i insfrastrukturës fizike që Kosovës i krijon lidhje me rajonin dhe për shkak të pozitës së saj qendrore, e bën Kosovën një vend që gjeneron inicitiva positive dhe stabilitet në rajon. Mirëpo, për të ndodhur kjo duhen të dy gjëra elementare: të evitohet paqartësia rreth statusit përfundimtar, që do të thotë të dihet cili do të jetë ky status final dhe të tregohet rruga deri tek ajo pikë. Pra, jo që të jetë një rrugë që po shkojmë diku, por nuk e dimë se ku po shkojmë, pasi kjo po shkakton pasiguri, jostabilitet dhe tensione në marrëdhënie, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe e dyta, një program i tërësishëm i gjenerimit të rritjes ekonomike dhe të punësimit, elemente këto që i përmenda më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Po, si duhet të dilet nga kjo situatë e krizës?

MUHAMET MUSTAFA
Për fillim duhet të përmirësohet qeverisja me ekonominë, dhe këtë e shoh si transfer të ngutshëm të të gjitha kompetencave që kanë të bëjnë me qeverisjen e ekonomisë, krijimi i një aparati efektiv të UNMIK-ut, të BE-së apo të grupit të Kontaktit, që e monitoron punën e institucioneve të Kosovës dhe një programi për asistencë efektive dhe cilësore teknike brenda institucioneve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, a kanë institucionet e Kosovës kapacitete të mjaftueshme për t’u përballur me këtë situatë të krizës edhe në rast të marrjes së kompetencave?

MUHAMET MUSTAFA
Unë thashë se në rast se kemi një monitorim dhe asistencë efektive dhe kur them se duhet një asistencë efektive, kjo do të thotë se nuk kemi kapacitete të mjaftueshme, mirëpo, qeverisja nga dy blloqe që nuk bashkëpunojnë me njëri tjetrin, po shihet se është joefektive, shumë e shtrenjtë dhe e ruan status-quo-në dhe ky status-quo u pa se shkon në favor të kësaj bombe të kurdisur që përmendet.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, cilat do të jenë pasojat e mosintervenimit për ta zgjidhur këtë situatë?

MUHAMET MUSTAFA
Kjo konferencë ka pasur për qëllim që të japë ide që kjo situatë të menaxhohet. Domethënë të merren masa preventive që do të hapnin perspektivë dhe të krijonin disa parakushte që të pengohen këto trazira sociale dhe të dhunshme, që nganjëherë janë të manipuluara nga ekstremistët, e nganjëherë janë veprim i njerëzve të pashpresë. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm, të punojmë në mënyrë politike, ekonomike, me një qeverisje efektive, pra agjenda e statusit final të jetë e qartë, të përmirësohet qeverisja, të hapet perspektiva dhe mendoj se ka kapacitete edhe te vendorët edhe te ndërkombëtarët që kjo të bëhet, në mënyrë që investimi i madh i ndërkombëtarëve dhe kosovarëve të shpaguhet në mënyrë më efektive.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mustafa, a mendoni ju se ka forma të tjera, alternative të përfshirjes së Kosovës në programe të ndryshme ndërkombëtare për shembull të Bankës Botërore, të Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe pa zgjidhjen e statusit të saj përfundimtar?

MUHAMET MUSTAFA
Po, kjo deri tani u pa se është e vështirë dhe këto pesë vjet nuk u treguan këto forma. Unë po frikësohem se shtyrja dhe pasiguria rreth statusit final nuk i ndihmon askujt, pavarësisht se çka flasin politikanët në Serbi, si Tadiçi që tha për njëzet vjetët e ardhshme është ky problem, apo çka flasin politikanët në Kosovë, por pasiguria rreth statusit final të Kosovës nuk po i ndihmon askujt, as në rajon, as në Kosovë dhe as bashkësisë ndërkombëtare. Ndoshta për bashkësinë ndërkombëtare është një qasje më oportune që kjo të shtyhet, por mendoj se nuk do të arrihet asgjë me shtyrje, me përjashtim që kostoja për menaxhimin dhe kostoja sociale dhe të gjitha llojet e një kostoje do të jenë më të larta.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, si e shihni ju përmbushjen e standardeve për ekonominë, mendoj standardet e përcaktuara deri në vitin 2005, a do të mund të përmbushen deri në mesin e vitit 2005?

MUHAMET MUSTAFA
Unë mendoj se do të mund të përmbushen në mënyrë të kënaqshme, mirëpo qasja ndaj standardeve si një kushtëzim dhe frikësim i kosovarëve me standarde nuk mendoj se është produktive. Qasja e standardeve para statusit duhet të shndërrohet në standarde për Kosovën. Kosovarët duhet t’i përqafojnë ato standarde dhe duhet ta dijnë se ato standarde janë për të mirën e tyre dhe duhet t’i marrin si diçka që i integron në qarqet evroatlantike. Pra, duhet të dihet statusi final, standardet që i kërkon ai status dhe duhet të hiqen iluzionet për të cilat u fol.


Intervistoi Rrahman Paçarizi


XS
SM
MD
LG