Ndërlidhjet

REZERVA NDAJ PLANIT TË AUSTRISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Plani austriak për Kosovën i paraqitur tek ministrat e jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, në Prishtinë është pritur me rezerva dhe kryesisht është cilësuar si jo i përshtatshëm për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Për kryeministrin Bajram Rexhepi, sipas zëdhënëses Mimoza Kusarit, ky propozim mund të cilësohet më tepër si plan pune, sesa si një plan i gatshëm. Kurse shumë aspekte që i parasheh ai, tha Kusari, qeveria tashmë është duke i zbatuar edhe pa u bërë publik ky propozim. Gjithashtu, tha ajo parashikimi që zgjidhja e statusit të Kosovës të shtyhet, nuk përkon me realitetin, pasi proceset integruese dhe zhvillimore të Kosovës, sipas Kusarit, janë bërë peng të statusit të saj të pazgjidhur:
“Është pikërisht mangësia në zgjidhjen e problemeve të caktuara, që lidhet me zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Një ilustrim i këtij fakti shkon në rastin e zgjidhjes së problemit të ekonomisë dhe sigurisë, që drejtpërdrejt lidhen me definimin e statusit të Kosovës”, tha Kusari.
Në anën tjetër, për kryeparlamentarin e Kosovës, Nexhat Dacin, sipas këshilltarit të tij, Ramush Tahirit, propozimi austriak përkundër dëshirës së mirë, nuk përkon me realitetin në Kosovë dhe nuk parasheh zgjidhje të drejta të problemeve ekzistuese:
“Konsideroj se nuk është plan i mirë për arsye se nuk i merr për bazë karakteristikat kosovare dhe problemin e Kosovës dëshiron që si pikënisje ta trajtojë si problem serbo – shqiptar. Një arsye tjetër është se pakicat në Kosovë janë në numër shumë të vogël dhe si të tilla nuk mund të organizojnë parimin e autonomisë politiko – territoriale dhe nuk mund të jenë autonomi në autonomi, tha zoti Tahiri, duke shtuar se ky plan, përkundër faktit se pozicionohet kundër ndarjes së Kosovës, ai në fakt, sipas tij, si i tillë do t’i jepte një rast tjetër ndarjes së Kosovës:
Ndërkohë, zëdhënësja Mimoza Kusari, thotë se në Kosovë po punohet në bazë të planit të prezantuar fillimisht nga nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman, “Standardet për Kosovën”, i cili mes të tjerave parasheh dhe një afat të caktuar për definimin e statusit të Kosovës dhe i parasheh bartësit e procesit deri në këtë afat të përcaktuar për mesin e vitit 2005:
“Ky dokument mund të konsiderohet si dokument pune, domethënë që mund të punohet më tutje, ndërsa plani i zotit Grossman u ka dhënë edhe një shpresë të përgjithshme si institucioneve të Kosovës ashtu edhe popullatës kosovare se do të ketë një datë rishqyrtimi, do të thotë një datë kur pas së cilës do të ulen të gjitha palët e inkuadruara në situatën në Kosovë dhe do të shqyrtojnë të arriturat dhe si mund të vazhdohet tutje”, theksoi Kusari.
Kurse për Ramush Tahirin, plani austriak nuk nënkupton ndonjë tentim të ri për një rol më të madh të BE-së në Kosovë. Kjo për arsye se roli i BE-së mund të rritet me marrjen e misionit ndërkombëtar dhe jo me paraqitjen e planeve, siç ishte ky i fundit nga Austria, që sipas tij, ishte jo i drejtë dhe mëton vetëm kujdesin ndaj një komuniteti dhe vihet kundër shumicës në Kosovë:
“Pavarësisht se duken të rrezikuar, mbrojtja vetëm e serbëve, me frustrimin e shqiptarëve, ose me humbjen e vizionit për shqiptarët apo me dënimin e shqiptarëve, pse nuk po funksionon jeta në momentin kur është bashkësia ndërkombëtare dhe kur ka kaq shumë trupa të NATO-s dhe të policisë, pak a shumë duket politikë dyfytyrëshe. Nuk mundet me ofrimin e modeleve zvicerane apo belge, sepse kjo nuk i përshtatet kushteve tona. Shtetet që kanë më pak se 7 përqind të popullsisë nga radhët e minoriteteve nuk krijojnë enklava e as territore politiko-administrative”, tha në vazhdim Tahiri.
Plani austriak është pritur me rezerva dhe nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Deputeti Gojko Saviç, thotë se është e pranueshme ajo pjesë që flet për më shumë autonomi për serbët në Kosovë, por ai shprehet kundër fuqizimit të institucioneve të Kosovës:
“Është brengosës fakti se parashihen kompetenca edhe më të mëdha për bashkësinë shqiptare dhe institucionet e Kosovës, që do të thotë që ata të marrin më shumë përgjegjësi për vete dhe mbi Kosovën”, thotë Saviç. Ai beson se intensifikimi i paraqitjes së planeve të ndryshme, po dëshmon se Kosova po i ofrohet fazës së hapjes së çështjes së definimit të statusit të saj.



XS
SM
MD
LG