Ndërlidhjet

ERMIRA MEHMETI: MARRËVESHJA QË KEMI ARRITUR REFLEKTON PIKËRISHT FRYMËN E MARRËVESHJES SË OHRIT


"Qëllimi ishte që të mos krijojmë hapësirë për të shtyrë zgjedhjet, për shkak se shtyrja e zgjedhjeve do të na ballafaqonte me sfida të reja, pasojat e të cilave, megjithatë, nuk do të kishin qenë të mira për asnjërën nga palët", thotë, pos tjerash, Ermira Mehmeti, zëdhënëse e Bashkimit Demokratik për Integrim, duke folur për arritjen e marrëveshjes ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar në Maqedoni, për çështjen e decentralizimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Mehmeti, në cilat pika është arritur kompromisi në aspektin e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi u raportua se në këtë çështje kishte mospajtime ndërmjet partnerëve të koalicionit?

ERMIRA MEHMETI
Për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, më duhet të them, se ne kemi arritur zgjidhjen më të mirë, me atë që në kryeqytet gjuha shqipe do të hyjë në përdorim zyrtar në të gjitha nivelet, në të gjitha instancat dhe komplet në administratën e qytetit të Shkupit, me qëllim që kryeqyteti i Maqedonisë të reflektoj në mënyrën më të mirë atë që quhet bashkëjetesë, shoqëri multietnike, multikulturore, multireligjoze e kështu me radhë. Zgjidhja e dytë ka të bëjë me qytetin e Strugës. Sipas marrëveshjes, që u arritë mbrëmë, qytetit të Strugës do t'i bashkangjiten komunat rurale, me ç'rast do të sigurohet shumicë e popullatës shqiptare në kryeqytet, ndërsa mbetet vetëm komuna e Vevçanit. Kjo pak a shumë përmbahej në propozimin fillestar të projektligjit, i cili kaloi procedurën qeveritare dhe hyri në procedurë parlamentare. Ndërsa Kërçova në këtë fazë transitore, do të mbetet ashtu siç është aktualisht, pra e përbërë prej 5 komunave të veçanta, me atë që prej vitit 2008 do të aplikohet ndarja e re territoriale siç është paraparë në propozimin aktual, që do të thotë se prej vitit 2008, edhe komuna e Kërçovës do të jetë një komunë e vetme me popullatë shumicë shqiptare. Ndërsa, sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe, ne kemi siguruar përdorim zyrtar të shqipes krahas maqedonishtes, në të gjitha rajonet ku jeton popullata mbi 20 % shqiptare, në të gjitha komunat ku ka mbi 20 % shqiptarë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët pak më parë se ky projektligj kaloi procedurën qeveritare dhe tash duhet të miratohet në Parlament. Kur mendoni se Parlamenti i Maqedonisë do jetë në gjendje ta miratoj këtë projektligj?

ERMIRA MEHMETI
Komplet projektligji ka hyrë në procedurë parlamentare, ndërsa vetëm këto tri çështje kontestuese kishin mbetur për t'u diskutuar brenda qeverisë. Nesër qeveria do të mbajë mbledhje urgjente në të cilën do të kalohet projektligji me këto zgjidhje për tri çështjet kontestuese. Kur kemi parasysh afatet ligjore, të cilat duhet t'i respektojmë të gjithë, e dinë se Parlamenti, kryetari i Parlamentit, deri më 7 gusht duhet ti shpallë zgjedhjet lokale, që do të thotë se deri më 27 korrik, në fakt duhet të kryhet procedura, të hynë ligjet në procedurë parlamentare, të diskutohen dhe më 7 gusht të kemi shpallje të zgjedhjeve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë, në mënyrë që zgjedhjet të mbahen më 17 tetor, ashtu siç është caktuar me ligjin mbi zgjedhjet lokale.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra në këtë aspekt, në bazë të asaj që thatë, nuk ka rrezik që të shtyhen zgjedhjet në Maqedoni.

ERMIRA MEHMETI
Pikërisht ky ishte qëllimi, të mos krijojmë hapësirë për të shtyrë zgjedhjet, për shkak se shtyrja e zgjedhjeve do të na ballafaqonte me sfida të reja, pasojat e të cilave megjithatë nuk do të kishin qenë të mira për asnjërën nga palët. Ne konsiderojmë që marrëveshja që kemi arritur reflekton në mënyrën më të mirë pikërisht frymën e marrëveshjes së Ohrit dhe nuk konsideron se këtu bëhet fjalë për fitimtarë apo për humbës, por bëhet fjalë pikërisht për respektimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit dhe krijimin e statusit të barabartë për komunitetet, për të cilat ajo u përpilua dhe u nënshkrua në vitin 2001.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG