Ndërlidhjet

PUNËTORËT PROTESTUAN KUNDËR GJENDJES SË RËNDË SOCIALE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, disa mijëra punëtorë kanë protestuar sot në qendër të Prishtinës, duke kërkuar zgjidhjen e gjendjes së rëndë sociale të tyre. Sindikalistët si dhe punëtorët kosovarë, kanë fajësuar për gjendjen e rëndë të tyre, institucionet e Kosovës, administratën e UNMIK-ut si dhe Agjensionin Kosovar të Mirëbesimit. Kryesindikalisti Bahri Shabani, tha se UNMIK-u nuk e ka përmbushur misionin e vet në rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, sikurse institucionet e Kosovës, sipas tij nuk i kanë përmbushur obligimet për miratimin e ligjeve që kanë të bëjnë me punën dhe të drejtat e punëtorëve. Në anën tjetër, AKM-ja, tha Shabani, funksionon vetëm për interesat e veta dhe nuk ka bërë asgjë sa i përket privatizimit të ndërmarrjeve. Shabani tha, se mbi sindikatat ishte ushtruar presion që të mos mbahen protesta për shkak të problemeve të grumbulluara në Kosovë, çka ishte kundërshtuar nga sindikata:
"Të gjitha këto koncepte bëhen në emër të dy preteksteve. Institucionet e Kosovës flasin shumë politikë në emër të patriotizmit, duke kërkuar nga ne që të mos kërkojmë asgjë, sepse duhet fituar pavarësia, duke e arsyetuar atë se kjo është më e madhe se kërkesat tona si punëtorë. Nga ana tjetër UNMIK-u thotë gjithmonë se ne jemi duke bërë privatizimin, ristrukturimin, i cili do të sjellë investorë të rinj dhe do të krijojë kushte për hapjen e vendeve të reja të punës. Për sindikalistët kjo është më tepër demagogji e të dyja palëve, sepse sa i përket çështjes së pavarësisë, punëtorët këtë e kanë dëshmuar shumë herët."
Në mesin e gjashtë kërkesave të punëtorëve, kërkohet miratimi i ligjeve për mbështetje sociale për punëtorët e Kosovës, në të cilën përfshihen: nënshkrimi i kontratës të përgjithshme kolektive të Kosovës, miratimi i ligjit të punës, ligjit për pensionim të parakohshëm dhe ligjit mbi nxitjen e punësimit. Ata kërkuan vazhdimin e privatizimit duke parashtruar si kërkesë të veçantë, që punëtorët që i kanë mbushur 50 vjet dhe për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve do të mbesin pa punë, të pensionohen para kohe me një pagesë minimale prej 79 euro. Duke u shpërndarë të qetë, punëtorët shprehnin dhe pakënaqësitë e tyre me gjendjen e rëndë sociale, duke përkrahur vazhdimin e protestave të caktuara për muajin shtator:
Beqir Beqiri: "Që prej 5 vitesh nuk ka rritje rroge. Për këtë kemi ardhur në mënyrë sindikale me kërku të drejtat e punëtorëve."
Agim Hasani: "Problemet kryesore tonat janë që nuk kemi ushqim, udhëtimet nuk i kemi të paguara dhe janë pagat shumë të ulëta. Mbrojtja shëndetësore e këto të gjitha janë kërkesat tona".
Beqir Ibishi: " Minator jam që me 8.3. 1971. kërkesat janë ato që i tha zoti Shabani. Jemi ngopur nga dallaveret e tyre për karrige. Ne që më 1988-1989 jemi larguar nga puna. I llogarit të ardhurat dhe për çdo anëtar të familjes marr nga 40 cent. Çfarë jete është kjo?"
Në protestë u lexua dhe një letër përkrahëse e Konfederata e Sindikatave të Lira të Botës me seli në Bruksel që përfaqëson interesat e 150 vendeve të botës dhe numëron mbi 150 milion anëtarë. Sipas të dhënave të prezantuara deri më tani, thuhet se rreth 15 përqind e popullatës së Kosovës jeton në varfëri të skajshme, kurse 50 përqind llogariten në shkallën e varfërisë. Gjithashtu, sipas të dhënave të përafërta thuhet se papunësia në Kosovë mund të matet me shkallën prej 70 përqind të të papunëve. Ndërkohë që protesta e sotme ka ngritur dhe çështjen e gjendjes së rëndë të atyre që punojnë, por nuk mund të sigurojnë një jete normale.

XS
SM
MD
LG