Ndërlidhjet

MOORE:"ADOLESHENCA E POLITIKËS EVROPIANE"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Nga fundi i vitit 2004 Unioni Evropian do të marrë mbi vete nga NATO misionin paqëruajtës në Bosnjë. Çdo të thotë kjo për Bosnjen dhe Ballkanin?

PATRICK MOORE
Në terma praktike nuk do të thotë shumë. Dimë që paqeruajtësit që gjenden atje tani janë kryesisht nga vendet e Bashkimit Evropian. Gjithsesi numri do të pakësohet nga 12 000 në 7 000 trupa. Nuk shihet më rreziku i shpërthimit të luftimeve të reja dhe prania e paqeruajtësve aty siguron që asnjë luftim të mos fillojë. Amerikanët do vazhdojnë të jenë të pranishëm, do të kenë bazën e tyre në Tuzëll. Do të jenë në gjendje të reagojnë në rast se interesat e tyre kërcënohen nga terroristët apo nga qarqe të tjera dhe NATO-ja do të ketë ende një lloj pranie për të ndihmuar kapjen e kriminelëve të luftës dhe për të modernizuar ushtrinë boshnjake. Pra në terma praktikë nuk do ndryshojnë shumë gjëra dhe ndryshimi është simbolik. Bashkimi Evropian është shumë i padurueshëm të tregojë që mundet të menaxhojë misionet paqësore në oborrin e vet. Pse ndodh kjo? Për faktin se u ndien shumë keq në Slloveni, në Kroaci, në Bosnje që nuk qenë në gjendje të bëjnë diçka. Lufta në Bosnje përfundoi kur amerikanët treguan udhëheqje. Në luftën e Kosovës amerikanët gjithashtu udhëhoqën duke e përfunduar ate për disa javë dhe jo si në Bosnje që zgjati me vite të tëra. Rrjedhimisht, kjo është diçka simbolike përmes të cilës Bashkimi Evropian dëshiron të sugjeroj se mund të menaxhojë punët e veta. Edhe në rastin e Maqedonisë Bashkimi Evropian me misionin e vet, e mori përsipër situatën kur nuk kishte shumë rrezik apo turbullira, pra kur tashmë ekzistonte një ambient i sigurt. NATO e ka bërë punën më të rëndë dhe dikush mund të debatojë sa të dojë sa serioze është sa i përket demonstrimit nga ana e Bashkimit Evropian se mundet të manaxhojë një situatë të vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka zëra në Gjermani, Francë dhe gjetiu që ftojnë Shtetet e Bashkuara të braktisin Balkanin. A do të thotë kjo se ata dëshirojnë Ballkanin dhe Evropën pa prani amerikan dhe përse?

PATRICK MOORE
Është një gjë shumë e çuditshme dhe për të qeshur. Në fakt ka njerëz në vendet e Bashkimit Evropian, sidomos në vendet e reja anëtare por jo vetëm atje, që e marrin Aleancën Veriatlantike mjaft seriozisht dhe e shikojnë veten më shumë si të bashkuar për shkak të vlerave dhe interesave të përbashkëta, sesa të ndarë. Por ka të tjerë që tregojnë një, siç do ta quaja unë, "psikologji adoleshente" dhe që kanë gati një interes të fiksuar për të treguar që mund të manaxhojnë punët e tyre dhe përdorin një term mjaft të shëmtuar, fjalën "emancipim" për të shpjeguar atë që kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara. Këtë ate e shpjegojnë me, siç thonë, dëshirën se duan të ndihen të emancipuar. Në historinë amerikane termi emancipim nënkupton vetëm një gjë - lirimin e skllevërve. Ne (amerikanët) kemi ndihmuar në mbrojtjen e këtyre shteve evropiane për rreth gjysëm shekulli. Dhe kur amerikanët dëgjojnë disa politikanë atje (në Evropë) që ndiejnë se duan të emancipohen, e perceptojmë këtë si një fyerje. Më kanë pyetur se ç'mendoj lidhur me këtë lloj sjelljeje të disa njerëzve në Bashkimin Evropian dhe jam përgjigjur që kam studjuar histori dhe profesioni im ka qenë analist politik, por nuk jam marrë asnjëherë profesionalisht me psikologjinë e adoleshentëve. Dhe mendoj që kjo është ajo që përfaqëson kjo sjellje. Është interesante të vihet re se edhe këta persona (në Gjermani dhe Francë), që do donin madje vendin e tyre jashtë NATO-s, sërish duan që amerikanët të mbajnë njëlloj pranie ushtarake (bazat ushtarake), që atyre t'u garantohet siguria. Këta njerëz (mendoj veçanërisht në mendimtarin politik të socialdemokratëve gjermanë Egon Bar) që shkruajnë se amerikanët mund të sfidohen, që Gjermania duhet t'i japë fund aleancës së saj me Shtetet e Bashkuara, por që që amerikanët megjithate duhet t'i garantojnë Gjermanisë siguri maksimale; njerëzit që mendojnë në këtë mënyrë nuk e njohin mentalitetin e amerikanëve dhe me siguri nuk njohin mentalitetin e njerëzve nga Teksasi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ne po bisedojmë për Ballkanin dhe Evropën dhe dëshiroj t'ju përkujtoi një deklaratë të Presidentit të Serbisë Boris Tadiç i cili ftoi Evropën të ndihmoj Serbinë në mbajtjen e Kosovës. Ai tha se nëse Kosova është e humbur për Serbinë, atëherë ajo është e humbur edhe për Evropën. Çdo të thotë kjo deklaratë?

PATRICK MOORE
Ka disa mënyra se si mund të trajtohet kjo deklaratë që Tadiç e bëri në "Financial Times" këtë javë. Nëse Tadiç mendon se mund të humbet, kur flet për mbajtjen e Kosovës si pjesë të Serbisë, atëhere mendoj se shkon në të njëjtën rrugë që do çojë në frustrim vendin e tij, ashtu si Koshtunica dhe të tjerë para tij. Mendoj dhe shpresoj, se ajo që nënkuptonte, ishte jo fakti se me të vërtetë Kosova do të mbahet pjesë e Serbisë, por se do të jetë e sigurt për serbët që të jetojnë aty. Pra, që do të thotë se serbët nuk do të shpërngulen siç u shpërngulën gjermanët nga Polonia dhe Çekosllovakia pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, shpresoj se ajo për të cilën flet është një rajon i Ballkanit ku kufinjët nuk kanë ndonjë domethënie të madhe, ku kufinjët janë të hapur dhe ku njerëzit nuk duhet të shqetësohen se janë pakicë në një vend ku qeveria dominohet nga dikush tjetër, e që në rastin e Kosovës do të thotë qeveri e dominuar nga shqiptarët me serbët si pakicë që gëzojnë të drejta të plota.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG