Ndërlidhjet

MUSTAFA: SPIN-OFF-i SPECIAL MUND TË HAPË RRUGËN PËR KEQPËRDORIME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Një nga ndryshimet më të rëndësishme të politikave operacionale që kanë mundësuar vazhdimin e privatizimit në Kosovë është aplikimi i metodës së spin-off-it special. Tani, në bazë të rregullores së Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit dhe politikave operacionale, procesi i privatizimit në Kosovë duhet të kryhet në dy metoda.
Njëra është metoda e privatimit të rëndomtë dhe e dyta është aplikimi i spin -off –it special.
Muhamet Mustafa, kryetar i Institutit Për Hulumtime Zhvillimore RIINVEST, duke shpjeguar se çfarë është spin-off special, tha se me këtë formë do të privatizohen ndërmarrjet më me rëndësi për Kosovën, ndërsa blerësi duhet të bëjë ofertë speciale.
“Në konkurs mund të ketë kërkesa speciale. Kërkesat speciale kanë të bëjnë me planin e biznesit, d.m.th sa një ofertues ofron investime në të ardhmen dhe sa punëtorë ofron që t'i mbajë. Në spin-off-in e zakonshëm i vetmi kriter për zgjidhjen është çmimi i ofruar, ndërsa në spin-off-in special futen edhe kritere speciale siç janë numri i punëtorëve, investimet që parashikojnë me planin e biznesit dhe kërkesa të tjera të ngjashme”.
Ali Dragusha, nënkryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës, ka thënë se sindikalistët, kanë pasur vërejtje lidhur me këtë lloj të privatimit. Ai tha se sindikata ka kërkuar që ndërmarrjet të cilat shiten, të ruajnë më shumë se pesëdhjetë punëtorë nga numri i punëtorëve që ka në momentin e shitjes.
“Në bazë të elementeve që janë dhënë në politikat operacionale, ndërmarrjet duhet të kenë një plan qarkullimi prej 10 milion eurosh dhe së paku duhet t'i bëjë kompenzimin për tre muaj 300 punëtorëve. Ndërsa ne kemi pasur vërejtje dhe kemi thënë se në këtë aspekt të zbutet ky numër dhe në spin-off-in special të hyjnë ndërmarrjet që kanë më shumë se 50 punëtorë dhe të përfshihen më shumë spinn-off-e, sepse këtu kërkohet dhe duhet të plotësohet edhe kriteri i politikës kadrovike të punësimit”.
Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë kanë bërë shumë vërejtje për aplikimin e spin-off-it special, pasi sipas zotit Mustafa, një metodë e tillë lë shumë hapësirë për korrupsion.
“Kështu që praktika ka treguar se premtimet e investitorëve gjatë privatizmit lidhur më numrin e punëtorëve apo lidhur më investimet që do t'i bëjnë, zakonisht ato nuk janë mbajtur. Mirëpo, unë nuk jam ndonjë ithtar i madh i spinoff-it special sepse spin-off-i special, nëse zhvillohet në më shumë ndërmarrje, edhe në ato që nuk janë të rëndësishme për Kosovën, nuk është transparent e mund të hapë rrugë për keqpërdorime”.
Pikërisht, negociatat paraprake me blerësin, ka qenë një nga kërkesat e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, që është pranuar së fundi edhe nga zyra ligjore e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Mirëpo, përfaqësuesi i sindikalistëve, Dragusha, thotë se ata kanë kërkuar një formë tjetër të negociimit për privatizimin e ndërmarrjeve.
“Në qoftëse se zbatohet një formë e transparencës që ne kërkojmë si sindikatë dhe nuk veprohet në formën e deri tashme të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit, që i ka bërë të gjitha incizimet në ndërmarrjet, por punëtorët, sindikata dhe bordi nganjeherë nuk ka ditur asgjë d.m.th ata persona kanë qenë shumë enigmatikë dhe persona që nuk kanë dashur të legjimitohen, atëhere egzistojnë bazat e dyshimit se shumë shpejt do të këtë korrupsion”
Sidoqoftë, para disa ditësh ka filluar raundi i tretë i privatizimit, pas nëntë muajsh të ndërprerjes. Ndërmarrjet e para që do t’i nënshtrohen metodës së spin-off-it special janë Feronikeli në Drenas, përkatësisht Gllogovc, Banja e Kllokotit në Viti dhe Përparimi në Skënderaj.


XS
SM
MD
LG