Ndërlidhjet

EMIGRACIONI: KRAHU I PUNËS DHE TRURI JASHTË SHQIPËRISË


Lutfi Dervishi

Në korrik të vitit 1990, 5 mijë shqiptarë u futën në ambasadat e huaja në Tiranë duke shënuar për Shqipërinë çeljen e epokës së emigracionit. Ndryshe nga gjithë vendet e tjera të rajonit që pas Luftës së Dytë Botërore deri më 1990, shifra e emigrantëve nga
Shqipëria i afrohej zeros. Pas eksodit të ambasadave pasoi vala tjetër e emigrantëve në gusht të vitit 1991 drejt Italisë dhe që nga ky vit e në vazhdim qindra e mijëra shqiptarë kaluan kufijtë në mënyrë legale dhe ilegale në kërkim të një jete më të mirë në Perëndim.
Një familje në Shqipëri klasifikohet e varfër ose e pasur në varësi të numrit të emigrantëve që ka jashtë shtetit. Sipas një studimi të Bankës Botërore, paratë që dërgojnë emigrantët përbëjnë burimin e dytë të të ardhurave për familjet.
Vlerësohet se 600 milionë dollarë në vit, hyjnë në Shqipëri nga emigrantët, kjo shifër është dy herë më e lartë se investimet direkte në vend. Sipas burimeve zyrtare janë 800 mijë shqiptarë që kanë emigruar pas viteve 90'. Sipas burimeve të tjera numri arrin në 1 400 000. Megjithëse të paktën një në çdo tre shqiptarë punon jashtë shtetit dhe falë tyre varfëria ekstreme është zbutur, nuk duket se ka shenja që ekonomia shqiptare të jetë vënë në lëvizje. Përkundrazi janë
vënë në lëvizje dhe janë gjallëruar ekonomitë e vendeve fqinje si Greqia ku mendohet të punojnë rreth 500 mijë shqiptarë. Krahu i lirë dhe puna pjesërisht apo plotësisht në të zezë ka sjellë mjaft të ardhura për ekonominë greke. Ekonomistët prej vitesh i kanë cilësuar të ardhurat që vijnë nga emigracioni si “motorri i ekonomisë”, por pas 15 vjetësh kanë filluar pikëpyetjet e para për çështjen e emigracionit. Një nga problemet që ka ardhur duke u përkeqësuar është
“rrjedhja e trurit”. Pas vitit 1997, me mijëra të rinj, specialistë dhe pedagogë emigruan kryesisht në Kanada dhe vende të tjera të Perëndimit. Tani që ekonomia kërkon specialistë ndihet më shumë dhe
mungesa e tyre. Përveç, atyre që emigrojnë për të punuar, janë me mijëra të rinj që studiojnë në universitetet dhe kolegjet e Perëndimit, por për të cilët nuk ekzistojnë të dhëna në asnjë institucion të shtetit shqiptar. Në anën tjetër megjithëse në mënyrë
sporadike, qeveritarët shqiptarë i ftojnë studentët që pas mbarimit të shkollës të kthehen në atdhe, këto ftesa mbeten në kuadrin e retorikës, pasi, përjashto ndonjë shembull në bashkinë e kryeqytetit, mungojnë politikat nxitëse për punësimin e të diplomuarve jashtë shtetit. Shteti shqiptar nuk ka mundur të dëshmojë aftësi në trajtimin e problemit të emigracionit në tërësi. Një marrëveshje për punësim sezonal në Itali dhe disa përmirësime të shërbimit konsullor në Greqi, janë shumë pak, përballë problematikës së vështirë të emigrantëve. Dy vjet më parë Presidenti Moisiu ngriti idenë e krijimit të një ministrie vetëm për emigrantët. Ideja u mirëprit, por
nuk u mbështet më tej nga ekzekutivi. Ngritja e klubeve të emigrantëve, hartimi i një databaze, një politikë më agresive e qeverisë në mbrojtjen e interesave të ligjshme të emigrantëve shqiptarë kudo që ato ndodhen, do të bënin të mundur që qindra mijëra
shqiptarë të ndjenin pranë shtetin e vet. Sipas disa studimeve të fundit, më shumë se 80 % e emigrantëve në një të ardhme dëshirojnë të kthehen në Shqipëri. Por mungesa e vendeve të punës dhe politikave që do të nxisnin investimet e brendshme dhe të huaja e kanë lënë këtë perspektivë të hapur. Perëndimi afron shumë shembuj të vendeve që janë
rimëkëmbur dhe gjallëruar nga emigracioni. Shifrat e Shqipërisë nuk kanë nevojë për shumë koment. Një në çdo tre shqiptarë është jashtë shtetit ose 40% e fuqisë punëtore ka emigruar. Emigrantët janë një forcë e tillë që nuk duhen neglizhuar dhe nuk duhen përmendur sa herë ofron sezoni turistik. Ndikimi i tyre në ekonominë shqiptare nuk është vetëm dobësimi sezonal i valutave të huaja në raport me lekun, por më shumë më tepër se kaq.

XS
SM
MD
LG