Ndërlidhjet

R. BLAKU: MARRËVESHJA PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE, NGJARJE E SHËNUAR


Rifat Blaku, drejtor i Institutit për Hulumtimin e Migracionit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Blaku, si e vlerësoni marrëveshjen e arritur në zyrën amerikane ndërmjet udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe liderëve partiakë shqiptarë e serbë për të inkurajuar kthimin e të zhvendosurve?

RIFAT BLAKU
Është një ngjarje e shënuar në politikën dhe në praktikën në Kosovë, lidhur me një çështje tepër të rëndësishme dhe të një sfide për përmbushjen e standardeve për Kosovën. Krijimi i kësaj ministrie paraqet zenitin, kryesynimin, jo vetëm të serbëve lokalë, por edhe të Qendrës Koordinuese të Beogradit, të cilët me këtë e realizojnë kryekërkesën e tyre. Por unë do të thosha se kjo, edhe pse e bërë në mënyrë të shpejtë, të rrëmbyeshme, por gjithsesi në zyrën amerikane dhe ndërmjet liderëve vendorë, shqiptarë dhe të minoritetit serb, kujtoj se do të ketë efekte të shumanshme. E para- mendoj se për palën serbe, më në fund, do të përfundojë arsyeja e një qëndrimi dhe pozicionimi shpërfillës ndaj institucioneve të Kosovës, pasi do të jenë pjesëmarrës aktivë në krijimin e politikave dhe praktikave të kthimit. Po ashtu, pala shqiptare para opinionit ndërkombëtar do të dëshmojë gatishmërinë maksimale të tolerancës, mirëkuptimit, të ndihmës në krijimin e relative të reja me minoritarët, ndërkohë që do të fitojë në substancë, ngase me këtë bëhet edhe transferimi i kompetencave nga UNMIK-u në institucionet vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Në deklaratën e përbashkët u propozua formimi i një ministrie për bashkësitë, të drejtat e njeriut dhe për kthimin, e cila u mbështet më pas edhe nga UNMIK-u. Si do të ndikojë kjo në procesin e kthimit?

RIFAT BLAKU
Kjo me siguri do të paraqesë një ngjarje ku gradualisht bëhet transformimi i një zyreje që ishte për kthimin dhe komunitetet dhe paraqet një ngjarje të papreçedencë për zgjidhjen e problemit të zhvendosurve dhe në vatrat e krizës, por edhe në vendet e rajonit, të ish-Jugosllavisë, pasi vetëm për minoritarët, në kuadër të një qeverie, e cila është në konsolidim e sipër, krijohet një ministri e veçantë, e cila sipas projektimit dhe idesë nënkupton koncentrimin dhe rrumbullakësimin e të gjitha planeve, projekteve, ideve, strategjive dhe modeleve të artikuluara deri më tani nga pala serbe. Tani, ata, me këtë sukses, do ta quaja të tyre, të krijimit të një ministrie, nuk do të kenë arsye që të ankohen, të sulmojnë dhe të satanizojnë palën shqiptare, institucionet e Kosovës dhe zyrën për kthim të UNMIK-ut. Tani është momenti që edhe pala shqiptare të jetë pjesëmarrëse aktive për ta rrumbullakësuar punën në kuadër të një ministrie, e cila më vonë kujtoj se do të paraqesë bërthamën për një ministri, që do të nënkuptojë punën ndërkombëtarisht të mirëfilltë për të gjithë tipat e emigrantëve kosovarë dhe nuk do të jetë vetëm zyrë për kthime, por një politike e re e migracionit kosovar në kuadër të një strategjie, e cila reflekton nga të gjitha dokumentet që ndodhin në rajon, lidhur me qarkullimin e lirë dhe tregun ndërkombëtar të punës. Të gjitha këto, me një menaxhim të mirë të institucioneve do të ndihmonin që të zbutet papunësia tmerrësisht e lartë dhe do të bëhej një bashkëpunim i mirëfilltë ndërmjet Kosoëvs dhe vendeve punëdhënëse dhe strehimdhënëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh se kthimi është një nga standardet, si do të vlerësohet ky hap me rastin e evaluimit apo vlerësimit të përmbushjes së standardeve nga bashkësia ndërkombëtare?

RIFAT BLAKU
Unë kujtoj se me këtë realizohet dhe tejkalohet para afatit një nga kërkesat e planit të ri për implementimin e standardeve dhe është një hap përshpejtues në inkurajimin, stimulimin dhe ndihmën konkrete personave të zhvendosur për kthim dhe integrim në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Blaku, nënshkrues të dokumentit nga pala serbe kanë thënë se kjo është oferta më serioze dhe më e sinqertë e shqiptarëve drejtuar palës serbe për kthimin e të zhvendosurve. Si mendoni ju për këtë dhe çka mbetet për t’u bërë?

RIFAT BLAKU
Meqë dokumenti nuk e ka marrë ende formën e tij të prerë dhe ende shoh hezitime dhe dilema përsëri nga pala serbe, kujtoj se me fillimin e punës së kryeadministratorit të ri, i cili është një nga njohësit më të mirë të rajonit në punë të refugjatëve dhe migracionit, kujtoj se ky dokument me plotësime do të nënshkruhet nga kryeadministratori i ri dhe shpresoj se do të fillojë një etapë e re, më serioze e trajtimit të këtij problemi.

Intervistoi Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG