Ndërlidhjet

GRUPI I KONTAKTIT PLUS: NË KOSOVË JANË SHËNUAR ARRITJE POZITIVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi i Kontaktit Plus, ka vlerësuar sot pozitivisht zhvillimet në Kosovë këto gjashtë javët e fundit. Vlerësimi i gjendjes është përqëndruar në çështjen e rindërtimit pas trazirave të marsit, në zhvillimin e dialogut ndëretnik, pastaj në reformën e filluar në pushtetit lokal si dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Konkluzionet e miratuara ishin rezultat i një takimi të përbashkët të Grupit të Kontaktit me liderët vendorë dhe misionin e Kombeve të Bashkuara. Për dallim nga takimi i fundit i mbajtur më 8 qershor, kësaj radhe në deklaratën e Grupit të Kontaktit, thuhet se vërehen të arritura pozitive, ku mbi 35 përqind e dëmeve të trazirave të marsit vetëm se janë sanuar, kurse vlerësohet pozitivisht dhe përpilimi i një drafti për decentralizimin, si rezultat i punës së përbashkët të UNMIK-ut dhe qeverisë së Kosovës. Ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut Charles Brayshaw, tha se UNMIK-u ndihet i kënaqur me rezultatet e këtij takimi dhe përmbushjen e prioriteteve që u caktuan nga takimi paraprak. Kësaj radhe, Brayshaw veçoi finalizimin e projekt-drafitit për decentralizimin:
“Ka një përkushtim të fuqishëm nga qeveria që të lëvizet përpara ky proces dhe besoj se ka një mirëkuptim dhe nga komuniteti serb se ky është një projekt në interesin e tyre”, tha Brayshaw, duke shtuar se plani për decentralimin megjithatë ende nuk është në atë fazë që do të mund të bëhej publik.
Ndërkohë, president Ibrahim Rugova tha se në Kosovë po krijohet një klimë stabile për të gjithë:
"Rindërtimi po zhvillohet shumë mirë, pastaj dhe çështjet tjera, një klimë stabile në Kosovë, një ndërkomunikim në mes të shoqërisë kosovare dhe gjithsesi sot ishte tejet e veçantë që biseduam për çështjet ekonomike, që të vazhdojë privatizimi”, tha Rugova.
Për kryeministrin e Kosovës Bajram Rexhepin, ky ishte takimi më i frytshëm me Grupin e Kontaktit Plus, duke vlerësuar se prioritetet e caktuara nga takimi i kaluar në një formë janë plotësuar nga qeveria e Kosovës.
“Ka qenë takimi më i mirë nga të gjitha takimet e mëparshme që në një mënyrë edhe përfaqësuesit e komunitetit serb, shumica prej tyre, u pajtuan me të arriturat që janë bërë. Ne si qeveri e kemi dorëzuar në formën e shkruar se çfarë është bërë këto gjashtë javë dhe megjithatë institucionet kanë punuar mirë," vlerësoi Rexhepi.
Për dallim nga tre takimet e mëparshme, kësaj radhe përfaqësuesit serbë nuk u takuan ndaras me Grupin e Kontaktit, por morën pjesë në takimin e përbashkët. Oliver Ivanoviç, tha se serbët ende nuk mund të jenë të kënaqur, sidomos nëse rindërtimi nuk përfundon deri më 1 shtator kur do të fillojë viti i ri shkollor. Sidoqoftë, Ivanoviç përshëndeti përpjekjet për procesin e decentralizimit, ndërsa nuk ishte i sigurtë nëse serbët do të marrin pjesë në zgjedhjet e sivjetme në Kosovë.
Ivanoviq tha se vendimi për pjesmarrje në zgjedhje nuk është marrë ende. Ky vendim sipas tij, varet nga klima politike dhe mund të arrihet me ndikimin e drejtpërdrejtë të Beogradit. Sidoqoftë, ai tha se ka ende mjaft kohë që serbët të vendosin për pjesëmarrje apo jo në zgjedhjet e 23 tetorit.
Sipas liderit të Partisë Demokratike, Hashim Thaçit, ky takim ka dëshmuar se Kosova gjatë vitit 2005 do të jetë e gatshme për vendosjen e statusit të saj dhe dhënien fund status quo-s aktuale. Ndërkohë, në deklaratën e Grupit të Kontaktit, kërkohet që vazhdimi i dialogut me Beogradin, për çka Hashim Thaçi tha se ky dialog do të fillojë kur të piqen kushtet për bisedime:
“Dialogu i brendshëm do të fillojë, kurse kur të krijojnë kushtet Prishtina gjithmonë ka qenë e gatshme të ndërtojë raporte të mira të fqinjësisë së mirë me të gjitha vendet e rajonit”, tha Thaçi.
Në çështjen e zhvillimit ekonomik dhe privatizimin, është përqëndruar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi që në funksion të përshpejtimit të privatizimit, të hartohet një plan konkret për dinamizimin e procesit:
“Me rezultatet e arritura deri tani klima politike dhe ndëretnike ka shënuar përparim, por kjo nuk ka ndikuar drejtpërdrejt dhe në klimën ekonomike, pra në pozitën ekonomike të njerëzve. Avancimi i planit të privatizimit që do ta ketë dhe udhërrëfyesin dhe afatin kohor si do të ndodhë, duhet vlerësuar se kjo do të kishte dhe ndikim të drejtpërdrejtë në situatën ekonomike në Kosovë”, theksoi Haradinaj.
Në deklaratën e Grupit të Kontaktit Plus, ku bëjnë pjesë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe NATO, kërkohet vazhdimi i plotësimit të standardeve, fuqizimi i institucioneve të Kosovës në fushat e ekonomisë, energjetikës dhe sundimit të ligjit. Po ashtu, kërkohet realizimi i kthimit të personave të zhvendosur dhe respektimi i akteve ligjore, duke e përgatitur Kosovën për një proces të rregullt zgjedhor.


XS
SM
MD
LG