Ndërlidhjet

QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH ZBATIMIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Pavarësisht nga përkatësia etnike, përfaqësuesit shqiptarë e serbë të institucioneve dhe të partive politike kanë qëndrime të ndryshme lidhur me mundësinë e aplikimit të modelit të marrëveshjes së Ohrit, apo pjesëve të saj, për zgjidhjen e problemeve në Kosovë.
Fillimisht, Hajredin Kuçi, nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, nga e cila edhe ka dalë propozimi për zbatimin e modelit të Ohrit në Kosovë, kështu e arsyeton këtë tezë:
"Mendoj se kemi pasur mungesë të një oferte konkrete dhe prandaj do të ishte mirë të ofrojmë diçka dhe duket që po bëjmë diçka për një ofertë konkrete. Përceptimi për decentralizim nuk duhet të jetë vetëm për minoritetet, por në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe mbi bazën e tij përfitojnë edhe minoritetet. Marrëveshja e Ohrit mund të jetë një bazë e mirë."
Mirëpo, këshilltari politik i kryeparlamentarit Daci, Ramush Tahiri, thotë se kjo është e papranueshme:
"Ai model është pasojë e luftës së zhvilluar dhe marrëveshjes ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve dhe garancive ndërkombëtare. Në Kosovë nuk është zhvilluar luftë ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve, por luftë kundër një regjimi dhe në Kosovë nuk kanë probleme institucionale serbët dhe pakicat e tjera dhe nuk ka ligje diskriminuese që duhen hequr ose ndërruar."
Një qëndrim të mesëm lidhur me këtë ka Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Bujar Dugolli, deputet nga kjo parti thotë:
"Mendimi im është që reformimi i pushtetit lokal në Kosovë duhet të jetë rast i veçantë, që në të ardhmen të flitet për një sistem kosovar të decentralizimit. Unë mendoj se modeli i Ohrit mund të ketë ndonjë element, por si tërësi nuk mund të aplikohet në Kosovë. Ndoshta i vetmi element mund të jetë ruajtja e tërësisë territoriale, apo ruajtja e sovranitetit."
Aplikimin e kësaj marrëveshjeje në rastin e Kosovës e sheh të pamundur edhe Gojko Saviç:
"Kopjimi në Kosovë i disa prej marrëveshjeve tashmë të aplikuara apo mënyrave për zgjidhjen e problemeve, është i pamundur sipas meje," thotë Saviç, sipas të cilit, jo vetëm që duhet të merret parasysh pozita e serbëve që jetojnë të përqendruar kryesisht nëpër fshatra, por në këtë kuadër do të duhej menduar seriozisht edhe për zgjidhjen e vetë statusit të Kosovës.
Dje, kryeadministratori i ardhshëm i Kosovës, Soren Jessen Petersen tha se disa pjesë të marrëveshjes së Ohrit mund të jenë të zbatueshme në Kosovë. Në këtë kuadër, Hajredin Kuçi thotë:
"Pjesa kryesore e kësaj marrëveshjeje është ruajtja e tërësisë territoriale të Kosovës, që është me shumë rëndësi, pastaj është raporti lidhur me prezantimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës në raport me përqindjen e tyre dhe jo me ndonjë diskriminim pozitiv apo negativ, pastaj mund të jetë përdorimi i gjuhës për popullatën që merr pjesë me 20 për qind," thotë zoti Kuçi, duke vlerësuar se këto janë disa nga parimet që mund të zbatohen në Kosovë dhe që në një mënyrë zbatohen edhe sot.
Ramush Tahiri, megjithatë mendon se kjo nuk ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit:
"Të mos bëhet një keqkuptim. Cilado marrëveshje që bëhet në botë i ka disa parime dhe në këtë bazë kur thuhet pjesë e Marrëveshjes së Ohrit, ato janë elemente që vlejnë për marrëveshje ndërmjet palëve që konsiderojnë se duhet të bëjnë marrëveshje. Unë nuk konsideroj se shqiptarët dhe serbët e Kosovës duhet të bëjnë marrëveshje, pasi nuk janë as palë ndërluftuese as negociatore".
Në anën tjetër, Momçilo Trajkoviç, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës, mendon se propozimi është interesant:
"Për mua kjo është shumë interesante, pasi është një lëvizje e shqiptarëve kah ajo që në fakt dëshiron pala serbe," thotë Trajkoviç për të shtuar se edhe serbët duhet të bëjnë lëvizje pozitive për afrim qëndrimesh.
Sidoqoftë, ndërkohë që decentralizimi sipas modelit maqedonas ishte në krye të propozimit, tani Kosova duket ta ketë pothuajse të kryer një projekt të përkohshëm për reformimin e pushtetit lokal, i cili nuk mbështet aq shumë në Marrëveshjen e Ohrit.


XS
SM
MD
LG