Ndërlidhjet

PAQARTËSI NË MESIN E SERBËVE TË KOSOVËS PËR PJESËMARRJE NË ZGJEDHJET E TETORIT


Mungesa e një qëndrimi të qartë të Beogradit zyrtar lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës, ka bërë që as partitë politike serbe të mos kenë ende një qëndrim lidhur me pjesëmarrjen apo bojkotin e zgjedhjeve. Megjithatë, përderisa koalicioni i serbëve "Kthimi", që është pjesë e legjislacionit aktual të Parlamentit të Kosovës pret vendimin e Beogradit, së paku një lëvizje qytetare dhe një koalicion i serbëve tashmë janë paraqitur për zgjedhje. Momçilo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes Serbe të Rezistencës tha për "Evropën e Lirë" se do të respektojë afatet e përcaktuara.
"Tri parti politike serbe kanë bërë koalicion dhe janë paraqitur dhe po përpiqemi të përmbushin kushtet dhe të respektojmë afatet e përcaktuara", tha Momçilo Trajkoviq, duke bërë të ditur po ashtu se lista e kandidatëve do të dorëzohet brenda afatit të paraparë.
Zyrtarë të OSBE-së që nuk duan të flasin për përkatësinë etnike të entiteteve garuese në zgjedhje kanë thënë se afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 23 tetorit është 23 korriku.
Vetëm një ditë para skadimit të këtij afati, koalicioni më i madh i serbëve të Kosovës nuk ka qëndrim. Gojko Saviq, anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga ky koalicion thotë se kjo zhagitje nuk është e mirë për vetë serbët:
"Kjo është një pikëpyetje e madhe dhe kjo nuk është mirë për bashkësinë serbe pasi do të kthehemi tri vjet mbrapa dhe do të na duhet të marrim një vendim të ngutshëm", tha Saviq, sipas të cilit përgjegjësia e madhe i takon Qeverisë së Serbisë, e cila në marrëveshje me serbët e Kosovës me kohë duhet të vendosë dhe ta njoftojë opinionin për qëndrimin e saj.
Ndërkaq, kolegu i tij, Oliver Ivanoviq, tha:
"Vendimi nuk është marrë ende dhe do të sillet pas diskutimeve të gjera dhe koncenzusit ndërmjet serbëve të Kosovës dhe pas konsultimeve me Beogradin zyrtar", tha Ivanoviq, ndërkohë që Momçilo Trajkoviq, i cili tashmë ka konkurruar në koalicion me dy parti të tjera tha se Beogradi urgjentisht duhet ta japë përgjigjen pozitive për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje:
"Ne tash insistojmë te Beogradi zyrtar që urgjentisht të hapë dialogun dhe diskutimet për zgjedhjet e Kosovës dhe kjo përgjigje duhet të jetë pozitive", tha Trajkoviq, i cili mëton të kthehet në politikën e Kosovës.
Duke pasur parasysh gjithë këto paqartësi, Saviq ka propozuar edhe idenë e shqyrtimit të shtyrjes së zgjedhjeve:
"Nuk e di se sa është e rëndësishme për këtë moment, por një shtyrje e datës së zgjedhjeve për bashkësinë serbe do të kishte shumë domethënie", tha Saviq. Deri më tash në Kosovë vetëm një herë ka pasur shtyrje të zgjedhjeve, por siç kanë përkujtuar zyrtarët e OSBE-së, pikërisht për shkak të vendimeve të serbëve në momentin e fundit, ka pasur lëshime për pranimin e regjistrimit të partive serbe edhe pas skadimit të afateve ligjore.

Rrahman Paçarizi - Prishtinë
XS
SM
MD
LG