Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK: "MOSPJESËMARRJA E SERBËVE NË ZGJEDHJET E TETORIT DOBËSON POZITËN E TYRE"


Mospjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhjet për parlamentin e Kosovës vetëm sa e dobëson pozicionin e serbëve, prandaj zyrtarët e Beogradit duhet të jenë të ndërgjegjshëm për këtë dhe të kenë kujdes kur bëjnë deklarata kundër zgjedhjeve, kanë thënë zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Koshtunica se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Mechtilde Henneke, tha për Evropën e Lirë, se nuk është e vërtetë se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e tetorit, pasi vetë korniza kushtetuese ofron kushte për këtë.
"Për shembull, në Kuvend ne kemi vendet e rezervuara për bashkësitë etnike, prandaj ka kushte që ndihmojnë pakicat që ta përfaqësojnë vetveten", tha zëdhënësja e Henneke, duke vlerësuar se bojkoti nuk është i mirë për askë, prandaj as për serbët.
Këto reagime kanë pasuar deklaratat e djeshme të kryeministrit të Serbisë Koshtunica dhe shefit të Qendrës Koordinuese të Serbisë për Kosovën, Nebojsha Çoviq se nuk ka kushte për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Deklaratat janë bërë pas takimit të këtyre të fundit me përfaqësues të koalicionit të serbëve Kthimi, sipas të cilëve në takimet e djeshme është thënë se pranimi i planit të qeverisë së Serbisë për autonominë territoriale të serbëve në Kosovë do të krijonte kushtet për pjesëmarrje në zgjedhje. Dragisha Kërstoviq, shefi i grupit parlamentar Kthimi tha se megjithatë, ende nuk ka një qëndrim definitiv, edhe pse është njoftuar se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje.
"Sa i përket koalicionit Kthimi, ne do ta respektojmë qëndrimin definitiv të Beogradit zyrtar", tha Dragisha Kërstoviq, sipas të cilit qëndrimi përfundimtar i Beogradit zyrtar ende nuk ekziston dhe kjo do të bëhet e ditur shumë shpejt.
Qeveria e Kosovës nuk është e befasuar nga këto deklarata, duke marë parasysh faktin se prej nga vijnë ato, tha zëdhënësja Mimoza Kusari.
"Megjithatë konsiderohet si e papranueshme kjo deklaratë, me vetë faktins e deri më tash janë organizaur disa zgjedhje të Serbisë në Kosovë dhe popullata serbe e Kosovës ka dalë në votime. Prej rastit më të fundit të zgjedhjeve presidenciale në Serbi që ata kanë votuar 70 për qind për radikalët, që tregon se vetëm me atë disponim dhe qëndrim politik të popullatës serbe në Ksoovë, dëshmon se bëhet fjalë për një gjë politike, që nuk ka të bëjë asgjë me aspektin e sigurisë apo me ndonjë ndërhyrje tjetër nga çfarëdo faktori në Kosovë", tha Kusari.
Zyrtarët e UNMIK-ut, ndërkaq, ua tërheqin vërejtjen udhëheqësve të Serbisë për pasojat që mund të kenë deklaratat e këtilla.
"Ne shpresojmë se ata që kanë bërë deklarata për mospjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, do të shqyrtojnë me kujdes pasojat dhe dobësimin e pozicionit të tyre në rast se nuk do të jenë të përfaqësuar në Parlament", tha zëdhënësja Henneke, duke shfaqur shpresën e UNMIK-ut se këto deklarata nuk janë fjala e fundit e udhëheqjes serbe dhe se do të ketë pjesëmarrje aktive të tyre në tetor. Mirëpo, zoti Kërstoviq tha se në takimet e djeshme me zyrtarët e Beogradit janë shqyrtuar të gjitha pasojat, edhe të pjesëmarrjes edhe të bojkotit të zgjedhjeve të tetorit dhe vendimi përfundimtar pritet së shpejti.

Rrahman Paçarizi, Prishtinë
XS
SM
MD
LG