Ndërlidhjet

SHTYRJA E ZGJEDHJEVE LOKALE DËMTON PROCESET INTEGRUESE TË MAQEDONISË


Qeveria e Maqedonisë në mbledhjen e mbrëmshme i ka propozuar Kuvendit Republikan t'i shtyjë për rreth një muaj zgjedhjet lokale, të parapara të mbahen më 17 tetor. Ajo propozon që për shkak të zvarritjes së debatit për miratimin e ligjeve të decentralizimit, zgjedhjet lokale të mbahen me 21 nëntor.
Nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Hysni Shaqiri tha se vendimi i qeverisë ishte i domosdoshëm, pasi sipas tij është e qartë se mbledhja kushtuar miratimit të ligjeve për pushtetin lokal nuk do të përfundojë në afatin e paraparë, më 7 gusht. Sipas tij shtyrja e zgjedhjeve lokale do të ketë pasoja negative për proceset në Maqedoni.
"Në bazë të debatit që po zhvillohet në Kuvend, nuk ka kurrfarë mundësie që zgjedhjet të mbahen sipas procedurës që parasheh ligji për zgjedhjet lokale dhe interevenimi i qeverisë në këto rrethana është i domosdoshëm edhe pse kjo ndoshta Maqedonisë do t'i reflektohet shumë negativisht në proceset e saj qoftë për në Bashkimin Evropian apo në NATO", tha Shaqiri.
Ai vlerëson se data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale mund të shtyhet vetëm pasi të ndryshohet ligji për zgjedhjet me të cilin parashihet që ato cdo herë të mbahen në fund të javës së tretë të muajit tetor.
"Patjetër, sepse Kryetari i Kuvendit që është i autorizuar të shpallë zgjedhjet nuk guxon të bie ndesh me ligjet, prandaj është e domosdoshme që ligji të ndryshohet", tha neënkryetari i Kuvendit, Hysni Shaqiri.
Kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale është deklaruar opozita maqedonase e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sipas së cilës vendimi për shtyrjen e tyre është i motivuar politikisht nga partitë në pushtet.
"Ne vlerësojmë se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin e paraparë ndërsa shtyrja e tyre sipas të gjitha gjasave paraqet kalkulim nga partitë në pushtet", tha Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Koce Trajanovski duke bërë të ditur se partia e tij do të kërkojë që zgjedhjet të
mbahen me rregullativën e vjetër ligjore.
"Nëse nuk arrihet që ligjet të miratohen deri më 7 gusht atëherë zgjedhjet lokale duhet të mbahen sipas ndarjes së vjetër territoriale", tha Trajanovski, sipas të cilit nga kjo do të mund vetëm të përfitonte Maqedonia.

Isuf Kadriu, Shkup
XS
SM
MD
LG