Ndërlidhjet

UNMIK-U PRET RAPORTIN E ANANIT PËR RISTRUKTURIM, DERISA VENDORËT KËRKOJNË PËRGJEGJËSITË


Administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë pret që pas raportit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, që thuhet se do të bazohet në rekomandimet e të dërguarit të tij Kai Aide dhe pas ardhjes në krye të UNMIK-ut të Soren Jesen Petersenit, të dihet më mirë formati i misionit ndërkombëtar në Kosovë. Ndërsa liderët vendorë si dhe mediat kosovare vlerësojnë se ka ardhur koha që UNMIK-u të ristrukturohet dhe reformohet, zyrtarët e kësaj administrate thonë se janë në pritje të ardhjes së kryeadministratorit të ri, Petersen, që gjërat të duken më të qarta rreth vazhdimit të misionit të OKB-së në Kosovë dhe formatit që ky mision do të ketë në të ardhmen.
“Shefi i ri i UNMIK-ut pritet të vijë në Misionin e tij në Kosovë nga mesi i muajit gusht dhe se për momentin nuk mund të japim një datë të caktuar", thotë zyrtarja për media e UNMIK-ut, Isabela Karlovitz. Ndërsa lidhur me çështjen e ristrukturimit të UNMIK-ut, Karlovitz thotë se, "Petersen do të jetë ai i cili do ta vlerësoj vet situatën dhe më pas do të marrë vendimin përkatës".
Një element tjetër përcaktues sa i përket ristrukturimit të UNMIK-ut dhe kalimit të më shumë kompetencave dhe përgjegjësive te institucionet e Kosovës, sipas zëdhënëses Karlovitz, mund të dihet më qartë pas raportit të zotit Kofi Anan, që pritet të bëhet publik ditëve të ardhshme, duke u bazuar në rekomandimet e të dërguarit të tij, ambasadorit Kai Aide.
“Së pari ne duhet të shohim se çka do të thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së e në raportin e tij në mënyrë që ne të mund të dimë se çka kërkohet dhe cilat rekomandime do ta pasojnë fjalimin e tij”, thotë Karlovitz.
Ndërkohë, mediat raportojnë se, diplomati norvegjez, Kai Eide i ka rekomanduar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, kalim më të shpejtë të kompetencave te institucionet e Kosovës. Pritje të ngjashme shprehin dhe udhëheqësit kosovarë të cilët në disa raste, madje edhe me vet iniciativë sic ishin ndryshimet në Kornizën Kushtetuese, përpiqen t’i bëjnë trysni UNMIK-ut për kalim të më shumë përgjegjësive te qeveria vendore. Vetë kryeministri Bajram Rexhepi, ka deklaruar disa herë, se ai pret që qeveria e ardhshme e Kosovës, që do të dalë nga zgjedhjet e tetorit, duhet të jetë e kompletuar, duke përjashtuar këtu vetëm Ministrinë e Mbrojtjes, pasi që kjo fushë sipas tij do të mbetet edhe më tutje përgjegjësi e forcës shumëkombëshe të KFOR-it. Fushat e tjera, sipas zyrtarëve kosovarë, institucionet e Kosovës janë të gatshme t’i marrin në përgjegjësinë e tyre, përfshirë këtu dhe segmente të politikës së jashtmë dhe fusha që ndërlidhen me sigurinë e brendshme.

Zijadin Gashi, Prishtinë


XS
SM
MD
LG