Ndërlidhjet

KOLAPSI ENERGJITIK PASOJË E SHPËRNDARJES KAOTIKE TË PËRGJEGJËSIVE


Kolapsi energjitik i ditëve të fundit që ka pllakosur Kosovën dhe ka rikthyer atmosferën mbytëse të territ zbulon për të satën herë mungesën e një përgjegjësie konkrete të administratës. Zyrtarët e Koorporatës Elektro-Energjitike të Kosovës lëshojnë komunikata me të cilat justifikohen duke përmendur emrat e blloqeve të prishura, apo duke u ankuar se nuk kanë para për të importuar rrymë.
Zëdhënësja e UNMIK-ut, Methilde Henneke bën me gisht drejt shtyllës së katërt duke thënë se "për mungesën e rrymës duhet pyetur përfaqësuesi i BE-së, që ka shtyllën e katërt dhe që merret me ekonominë". Nga ana tjetër zyrtarët e shtyllës së katërt, përmes zëdhënëses Monnice De Grott pohojnë se "përgjegjësia për këtë gjendje të krijuar është e UNMIK-ut, institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve", dhe në të njëjtën kohë lavdërojnë politikat e tyre ekonomike si të mira dhe të suksessshme. Ndërsa shefi i shtyllës së katërt, Nicholas Lamsdorff, kur ka deklaruar se shtylla e katërt financohet nga Brukseli dhe në të njëjtën kohë është pjesë e Misionit të OKB-së, ndoshta padashje ka bërë të qartë se nuk ka një adresë të vetme të marrjes së obligimeve dhe dhënjes së përgjegjësive.
Sa i përket Qeverisë së Kosovës ajo po ashtu është pjesë e tregimit në mënyrë të panatyrshme. Qeveria nuk ka kompetenca mbi menaxhimin e KEK-ut, as qasje mbi buxhetin, por asaj i kërkohen para për të kompesuar deficitin buxhetor të KEK-ut. Madje komplikimi më i fundit në KEK koincidoi me vizitën më të fundit të kryeministrit, Bajram Rexhepi, në këtë ndërrmarrje publike para dy javësh. Me këtë rast kryeministri Rexhepi kishte deklaruar se KEK-u nuk mund të llogariste më në mjetet nga suficiti i buxhetit të Kosovës.
Të nesërmen e asaj vizite filluan reduktimet e mëdha të energjisë elektrike që u përshkallëzuan deri në 15 orë reduktime të pandërprera në Prishtinë. Vërtet qarkullojnë zëra se këto reduktime janë presion direkt mbi Qeverinë për të dhënë edhe 10 milionë euro të tjera. Natyrisht askush në KEK nuk është aq naiv sa të thotë publikisht se kjo bëhet si mjet presioni mbi qeverinë për t'i marrë edhe 10 milionë euro të tjera. Natyrisht ata nuk thonë as atë se periudha për këtë presion është e përshtatshme, pasi është një atmosferë parazgjedhore dhe askush nuk do të humbë pikë politikisht për shkak të dështimit në furnizimin me energji elektrike.
Sidoqoftë pasojat e këtij kolapsi energjitik të zgjatur janë tepër të rënda për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pengimi i aktivitieteve ekonomike prodhuese është bërë kritik. Edhe aspektet e tjera të jetës sociale kanë pësuar crregullime të rënda, që nga informimi i qytetarëve e deri tek disponimi i tyre në këtë sezon pushimesh. Reduktimet e tejzgjatura të energjisë kanë edhe pasoja në perceptimin politik. Rritja e mosbesimit në administratën civile dhe në institucionet e Kosovës është evidente dhe është bërë gati shpërthyese. Ndërsa rritja e mosbesimit qytetar është e rrezikshme se paraqet akumulim hakmarrës, që në ndonjë situatë mund të shpërthejë në dhunë.
Në kushtet e shpërndarjes kaotike të përgjegjësive të adminsitratës dhe të institucioneve të Kosovës nuk është e lehtë të evitohen pasojat shumplanëshe që po shkakton dhe po akumulohen nga menaxhimi i keq i KEK-ut. Megjithëse të gjithë do duhej ta kishin të qartë se gjendja e padurueshme e kolapsit energjitik nuk mund të bëhet gjendje e durushme, por vetëm mund të bëhet edhe më e padurueshme.
Trazirat tragjike të marsit të këtij viti të gjithëve do të duhej t'ia kishin bërë të qartë se sa lehtë rrënohet për disa ditë edhe ajo që ndërtohet me mundim për disa vite.

Milazim Krasniqi, Prishtinë
XS
SM
MD
LG