Ndërlidhjet

Ministri i Financave të Maqedonisë, Nikolla Popovski, thotë se me decentralizimin fiskal mundësohet që komunat t'i realizojnë me sukses kompetencat e tyre, pasi që për komunat do të ndahen 2.5 % të TVSH-së dhe 2.5 e tatimit personal.


"Komunat do të marrin buxhete serioze dhe ato nuk do të jenë më buxhete relativisht të vogla. Komunat gjithashtu do të mund të marrin hua tek bankat e vendit, por edhe tek ato jashtë vendit, por natyrisht me lejen e qeverisë", tha ministri Popovski, duke shtuar se komunat në aspektin fiskal do të paraqesin minishtete.
Por, për Partinë Demokratike Shqiptare në opozitë, decentralizimi i propozuar fiskal me ligjin për decentralizim paraqet vetëm dekoncentrim të mjeteve buxhetore. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ruzhdi Matoshi thotë:
"Ne kemi kërkuar që TVSH-ja të jetë 6% e jo prej 2.5% dhe tatimi personal të rritet deri në 13 për qind. Në rast se rriten këto tatime, do të ishin parametra që do t'i krijonin hapësirë më të mirë zhvillimore komunës."
Ndërkohë, deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Abdulhaqim Ademi tha:
"Me ligjin për financimin e komunave është arritur një bazë e mirë që komunat në të ardhmen të kenë burime financiare të mjaftueshme dhe mjete buxhetore të mjaftueshme për të realizuar kompetencat e tyre që u takojnë me anë të ligjit për pushtet lokal. Kjo do sjellë edhe shërbime sa më cilësore për qytetarët".
VMRO-DPMNE e opozitës konsideron se komunat do ta kenë mjaft të vështirë që të funksionojnë në mënyrë normale për shkak të mjeteve të pakta financiare që do t'u ndahen.
Kordinatori i grupit paralmentar të VMRO-DPMNE-së, Koce Trajanovski theksoi:
"Një pjesë e tatimeve do të decentralizohet në vetë administrimin lokal, por mjetet që do t'u ndahen komunave nuk do të jenë të mjaftueshme dhe për fat të keq edhe në të ardhmen do të vazhdohet me transferimin e buxhetit për komunat nga ana e qeverisë".
Me paketën e re të ligjeve të decentralizimit nga pushteti qendror në kompetencë të komunave kalojnë sfera e arsimit, kulturës, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, ekologjisë dhe urbanizmit.
Nëse disa prej këtyre kompetencave nuk mund t'i realizojnë komunat, qeveria do t'u ndihmojë me anë të donacioneve.

Sefer Tahiri, Shkup
XS
SM
MD
LG