Ndërlidhjet

ROSS: VLERËSIMI PËRFUNDIMTAR PËR PËRMBUSHJEN E STANDARDEVE ËSHTË VENDIM POLITIK


Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit, që do të bëjnë vlerësimin përfundimtar të përmbushjes së standardeve nuk kanë kërkuar që standardet të përmbushen përpikërisht, siç thuhet në letër, por të arrihet përparim në këtë plan, në mënyrë që në mesin e vitit 2005 të mund të merret vendim pozitiv për statusin e Kosovës, kanë thënë sot koordinatorët e UNMIK-ut dhe të qeverisë për standardet, Carne Ross dhe Zenun Pajaziti. Ata i kanë bërë këto komente vetëm një ditë para se Këshilli i Sigurimit të diskutojë për Kosovën, me ç’rast pritet të përmendet edhe çështja e jetësimit të tetë standardeve që bashkësia ndërkombëtare ka përcaktuar për Kosovën, para përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.
Vlerësimi i standardeve do të shihet në raportet tremujore të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që përfundimisht i takon Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit që të vendosë nëse përparimi i arritur është i mjaftueshëm për vendim pozitiv në vitin 2005, tha zoti Ross.
"Askush nuk ka thënë se standardet duhet të përmbushen sipas letrës, mirëpo është thënë se duhet të ketë përparim në përmbushjen e standardeve, prandaj ky është një vendim politik që i takon Këshillit të Sigurimit", tha Carne Ross, sipas cilit deri më tash asnjëri nga standardet nuk është përmbushur tërësisht, por ka përparim në shumicën e fushave.
Ai tha se UNMIK-u dhe qeveria janë në fazën e zbatimit dhe po punohet, në komuna, në UNMIK dhe nëpër ministri, pasi ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë, meqenëse standardet nuk janë të lehta dhe kërkojnë politikë gjithpërfshirëse.
"Kjo punë po vazhdon dhe ne duhet t’i mbajmë të përqëndruar në këtë punë të gjithë, si UNMIK-un, ministritë dhe komunat", tha Carne Ross, sipas të cilit vështirësia e kësaj pune qëndron se standardet e shkruara në letër duhet të kthehen në realitet. Sipas tij, përmbushja e standardeve përgjatë gjithë Kosovës ka filluar madje qysh para publikimit të planit për jetësimin e standardeve.
Ndërkaq, koordinatori i qeverisë për standardet, Zenun Pajaziti, tha se të gjitha potencialet janë përqendruar në përmbushjen e standardeve, me ç’rast është tejkaluar faza e identifikimit të problemeve dhe ka filluar sistemimi i të dhënave
"Nuk jemi deri në fund të kënaqur me dinamikën, pasi kemi pak kohë dhe na duhet ta përshpejtojmë këtë process. Ne po përpiqemi ta rishikojmë në tërësi se si mund ta bëjmë organizimin tonë të brendshëm që ta rrisim dinamikën e përmbushjes së standardeve", tha zoti Pajaziti, sipas të cilit koha që ka mbetur është mjaft e shkurtër, për shkak të vonesës që është shkaktuar me rastin e trazirave të marsit.
Zoti Pajaziti tha se detyrë prërparësore për qeverinë ende mbetet jetësimi i standardeve, pasi kjo punë nuk bëhet vetëm për shkak të afatit të përcaktuar më 2005, por edhe për të ndërtuar një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës.
Sidoqoftë, zoti Ross tha se standardet nuk janë një lojë apo truk për të shkuar deri te përcaktimi i statusit, por Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit janë shumë seriozë lidhur me këtë çështje, pasi pavarësisht nga statusi përfundimtar i Kosovës, qëllimi kryesor është ndërtimi i jetës më të mirë.
Zoti Ross me këtë rast ka shprehur keqardhjen për mospjesëmarrjen e serbëve në këtë process, ndërkohë që lidhur me përfshirjen e Beogradit në këtë proces ai tha se kjo nuk është punë për Beogradin.

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG