Ndërlidhjet

"MAQEDONIA: DO TË MBIJETOJË APO SHPËRBËHET"


NICHOLAS WHYTE, shef i zyrës për Ballkanin pranë GNK-së

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, si i shihni zhvillimet e fundit në Maqedoni lidhur me ligjin për decentralizimin e pushtetit?

NICHOLAS WHYTE
Kjo është një pjesë shumë e rëndësishme e legjislacionit, e cila duhet të kalojë, që Maqedonia të jetë në gjendje ta lërë pas vetes procesin e Ohrit, dhe të ecë drejt integrimeve evropiane. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ky ligj të shkojë përpara. Nëse kjo don të thotë që zgjedhjet lokale të shtyhen për disa javë, mendoj se ia vlen.

EVROPA E LIRË
Protestat në Strugë treguan se çështja më e ndjeshme ende janë marrëdhëniet ndëretnike. A jani dakord me këtë?

NICHOLAS WHYTE
Po dhe jo. Mendoj se një pjesë e problemit është edhe gjendja ekonomike në vend, e cila nuk është mjaft e mirë. Kuptohet, nuk duhet lënë anash as marrëdhëniet ndëretnike. Por mendoj se është tepër lehtë të thuhet se gjithçka është pasojë e marrëdhënieve ndëretnike. Ato janë pjesë e madhe e problemit, por jo pjesa e vetme.

EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për rolin e partisë opozitare maqedonase VMRO?

NICHOLAS WHYTE
Më duhet të them që jam i impresionuar se ata përpiqen ta mbajnë opozitën në kornizat legale dhe paqësore. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Kjo tregon një nivel të caktuar të pjekurisë, e cila është e mirëpritur.

EVROPA E LIRË
Nga ana tjetër, partia opozitare shqiptare PDSH-ja nuk merr pjesë në proces. Si e komentoni këtë?

NICHOLAS WHYTE
PDSH-ja ende i shëron plagët që i mori në zgjedhjet, të cilat i humbi në vitin 2002. Mendoj se do t'i duhet edhe ca kohë për tiu përshtatur rrethanave të reja si pakicë.

EVROPA E LIRË
Raporti i fundi i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se natyra jo-demokratike e partive politike në Maqedoni është në qendër të krizës së përfaqësimit politik. Përse mendoni ashtu?

NICHOLAS WHYTE
Nëse u bëni një vështrim të gjitha partive politike, do t'i shihni përpjekjet për të balancuar ndërmjet interesave të anëtarëve dhe interesave të lidershipit. Mendoj se është fare e qartë se në Maqedoni partitë më shumë anojnë nga udhëheqësia, se sa nga anëtarët. Është shumë e rëndësishme që partitë politike në Maqedoni të bëhen organizata demokratike të qëndrueshme.

EVROPA E LIRË
Raporti i ICG-së mban titullin Maqedonia: Do të mbijetojë apo shpërbëhet.
A mendoni se Maqedonia do të bëhet, apo do të shpërbëhet?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se Maqedonia do të mbijetojë. Në këtë do të kisha vënë bastin. Maqedonia ka kaluar nëpër kriza shumë më të rënda se sa problemet aktuale. Në përgjithësi jam optimist, por është detyra jonë që t'i ngrejmë shqetësimet, dhe këtë do të vazhdojmë ta bëjmë edhe në të ardhmen.

Intervistoi VULLNET POSHKA
XS
SM
MD
LG