Ndërlidhjet

TEHOV : SHPRESOJ SE SERBËT DO TË MARRIN NJË VENDIM TË MENÇUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

14 vëzhgues afatgjatë të Këshillit të Evropës kanë filluar sot misionin e tyre të monitorimit të gjithë procesit zgjedhor në Kosovë, duke premtuar se do të mbulojnë gjithë hapësirën e Kosovës dhe duke shpresuar për siç kanë thënë një vendim të mençur të serbëve lidhur me pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës.
Shefi i këtij misioni, Andrej Tehov në një bisedë për Evropën e Lirë tha se detyrë konkrete e misionit do të jenë vëzhgimi i gjithë procesit të zgjedhjeve dhe formulimi i rekomandimeve për shefin e UNMIK-ut lidhur me certifikimin e procesit të zgjedhjeve dhe rezultatit të votimeve.
"Ne do të vëzhgojmë regjistrimin e votuesve, fushatën zgjedhore, ditën e votimeve dhe numërimin e rezultateve dhe këto janë detyrat tona konkrete," tha Tehov, sipas të cilit misioni do të ketë disa ekipe vëzhguesish afatgjatë që do të jenë të vendosur nëpër qendrat kryesore të Kosovës, për të qenë në gjendje që të mbulojnë gjithë territorin e Kosovës.
"Kjo do të thotë se ne do të vëzhgojmë zgjedhjet gjithkund, përfshirë edhe zonat ku jetojnë komunitetet e ndryshme," tha Tehov, duke shpjeguar se në fazën finale të procesit, misionit do t’i shtohen edhe 100 vëzhgues afatshkurtër.
Ai tha se ishte i vetëdijshëm lidhur me rekomandimet kontradiktore që u vijnë serbëve të Kosovës lidhur me pjesëmarrjen apo jo në zgjedhje, ndërkohë që asnjë nga partitë përbërëse të koalicionit Kthimi nuk është paraqitur për të konkurruar në këto zgjedhje. Ndërkohë që shorti për renditjen e partive politike në fletëvotime hidhet më 11 gusht dhe zyrtarët e OSBE-së kanë thënë se ky është afati i fundit për të gjithë ata që duan të konkurrojnë, zoti Tehov tha se sinqerisht besonte që ende ka kohë dhe që serbët do të marrin pjesë në këto zgjedhje.
"Le t’u japim kohë, pasi unë shpresoj se përfaqësuesit serbë do të marrin një vendim të mençur," tha Tehov, duke insistuar se është me shumë rëndësi që të gjitha komunitetet të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit.
Me këtë rast ai e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm faktin se pjesa operacionale e zgjedhjeve për herë të parë organizohet nga vetë zyrtarët vendorë, ndërkohë që tre zgjedhjet e mëparshme janë organizuar tërësisht nga OSBE-ja:
"Ky është një zhvillim shumë i mirëpritur, pasi përgjegjësitë operacionale do t’u takojnë njerëzve të Kosovës, domethënë sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve," tha Tehov, duke shfaqur shpresën dhe bindjen e tij se zyrtarët vendorë do të jenë në nivelin e standardeve evropiane, në mënyrë që më 23 tetor të dëshmohet një proces i suksesshëm zgjedhor për parlamentin e Kosovës, i cili më pas zgjedh edhe kryetarin dhe qeverinë e re të Kosovës.

XS
SM
MD
LG