Ndërlidhjet

O. IVANOVIÇ: PËR PJESËMARRJEN E SERBËVE NË ZGJEDHJE VENDOSIN AUTORITETET NË BEOGRAD


Bekim Bislimi, Prishtinë

Vetëm dy ditë deri në përfundim të afatit për t’u regjistruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e përgjithshme të 23 tetorit, komuniteti serb vazhdon të mos ketë një qëndrim të prerë mbi këtë çështje, edhe përkundër faktit se ky afat është mundësuar enkas për të. Oliver Ivanoviç nga koalicioni serb “Kthimi” pohon se serbët e Kosovës janë në pritje të një qëndrimi unanim të autoriteteve zyrtare në Beograd.
Ai ka theksuar se vendimi i tillë duhet të sillet me shumë përgjegjësi dhe me konsekuencat e parashikuara.
“Konsultimet janë në vazhdim e sipër, në nivele të larta dhe në forma të ndryshme. Nganjëherë këto janë vetëm konsultime përmes telefonit, e nganjëherë edhe personale. Unë mendoj që përfaqësuesit e serbëve do të jenë të ftuar edhe në një raund më të gjerë konsultimesh dhe shpresoj se në ato konsultime do të jenë të kyçura edhe të gjitha figurat relevante nga Beogradi, por edhe përfaqësuesit relevantë serbë, e jo disa organizata joqeveritare, sepse këto janë çështje të larta politike”, tha zoti Ivanoviç. Ai është i mendimit se në këto konsultime duhet të kyçen vetëm partitë politike të regjistruara, të cilat tregojnë qasje konstruktive, e të tilla, sipas tij, janë të pakta ndër serbët e Kosovës.
Zoti Ivanoviç thotë se në rast të pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, koalicioni “Kthimi” do ta ketë vendin e tij por, ai ka shprehur dyshimin se ky koalicion nuk do ta ruajë përbërjen aktuale dhe se në të nuk do të jenë të gjitha partitë që kanë qenë më parë. Duke folur për pasojat e mundshme të mospjesëmarrjes në zgjedhje, Ivanoviç nuk dha kurrëfarë parashikimesh.
“Nuk e di. Duhet që të ekzistojë ndonjë zgjidhje alternative, por kjo është ajo që duhet ta marrin në konsideratë ata që vendosin në këtë situatë, e ata janë përfaqësuesit përgjegjës të pushtetit në Beograd”, tha zoti Ivanoviç. Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, gjatë ditës së djeshme i ka ftuar publikisht të gjithë qytetarët e Kosovës, e veçanërisht komunitetin serb që të dalin në votime, duke thënë se 23 tetori është mundësi institucionale për të bërë ndryshime thelbësore në jetën ekonomike, politike dhe sociale. Ftesa të ngjashme kanë bërë edhe përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ata të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Për më tepër, gjatë ditës së sotme edhe koalicioni “Fuqia e Serbisë” i prirë nga Momçilo Trajkoviç ka njoftuar Komisionin Qendror Zgjedhor se do të tërhiqet nga procesi elektoral në Kosovë. Koalicioni i zotit Trajkoviç, një prej subjekteve të pakta serbe të paraqitura me procedurë të rregullt për pjesëmarrje në zgjedhje, thotë se këtë vendim e ka marrë në shenjë respekti për, siç tha zoti Trajkoviç, qëndrimin e qeverisë së Serbisë që në rrethanat aktuale të mos dalin në votime.




XS
SM
MD
LG