Ndërlidhjet

OSBE-ja SHPREH KEQARDHJE PËR MOSKONKURRIMIN DHE TËRHEQJEN E SERBËVE NGA GARA ZGJEDHORE NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarë të Misionit të OSBE-së në Kosovë kanë thënë sot se janë të zhgënjyer nga fakti se asnjë entitet politik i serbëve të Kosovës nuk ka konkurruar për zgjedhjet e tetorit për parlamentin e Kosovës. Zëdhënësi i Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian, Sven Lindholm ka deklaruar se ky mision është posaçërisht i zhgënjyer nga fakti se një koalicion serb që ishte çertifikuar për këto zgjedhje, dje ka marrë vendim për t’u tërhequr, vetëm dy ditë para se të hidhet shorti për renditjen e partive politike në fletëvotime.
"Ne jemi të zhgënjyer nga fakti se me gjithë thirrjet e panumërta të bashkësisë ndërkombëtare dhe thirrjes së fundit të kryeministrit të Kosovës, një koalicion i serbëve ka vendosur të tërhiqet," tha Sven Lindholm, duke vlerësuar se kjo ka bërë që elektoratit serb në Kosovë t’i reduktohen mundësitë dhe opsionet dhe vetëm sa dëmtohet ky komunitet.
Pas thirrjes që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka bërë në fundjavën e shkuar Beogradit zyrtar që t’u rekomandojë serbëve të Kosovës të dalin në zgjedhje, kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u ka dërguar serbëve një thirrje të hapur për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe për t’u bërë pjesë e institucioneve vendore. Mirëpo, një koalicion i tre partive serbe, që më parë kishin konkurruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe ishin çertifikuar nga Komisioni Zgjedhor, ka vendosur të tërhiqet duke respektuar kështu qëndrimin e zyrtarëve të Beogradit që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.
Zyrtarë të OSBE-së edhe më herët patën thënë se 11 gushti do të jetë dita e fundit për partitë politike, përfshirë edhe ato serbe që të vendosin lidhur me pjesëmarrjen në zgjedhje, pasi që afati i fundit teknik për një gjë të tillë është hedhja e shortit. Këtë e ka konfirmuar sot edhe zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm:
"Shorti i nesërm ka të bëjë me partitë politike që janë çertifikuar dhe ato do të jenë emrat që do të gjenden në fletëvotime më 23 tetor," tha Lindholm, ndërkohë që në një komunikatë të zyrës franceze në Prishtinë, duke u bërë thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, thuhet se do të ishte mirë që serbët sa më shpejt të paraqesin listat për votime, ndërkohë që ky veprim nuk do të paragjykonte edhe vetë pjesëmarrjen në votime.
Një zyrtar i OSBE-së tha ndërkaq, se ekzistojnë disa opsione rezervë për t’u mundësuar serbëve të marrin pjesë në zgjedhje, edhe pse zyrtarisht afati i fundit teknik është shorti i nesërm. Sipas tij, një nga opsionet është që UNMIK-u të vendosë ndryshe, ndërsa opsioni tjetër shumë i mundshëm është që në shortin e nesërm një apo më shumë vende të lihen të zbrazëta për entitetet serbe që eventualisht mund të vendosin ndërkohë për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës.
Analistët në Kosovë kanë vlerësuar ndërkaq, se mospjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e tetorit do të ishte fatale për dialogun e brendshëm që ka filluar ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe liderëve politikë shqiptarë në njërën anë, si dhe përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës, që qe kurorëzuar tre javë më parë nga një deklaratë e përbashkët, e cila shpresohej se do të bindte serbët të marrin pjesë në zgjedhje.



XS
SM
MD
LG