Ndërlidhjet

RISTRUKTURIMI I KUNDËRZBULIMIT: CIA ME MË PAK PUSHTET


ANDREW F. TULLY

Porter Goss, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve, është i zgjedhuri i presidentit George Bush për të drejtuar Shërbimin Qendror të Kundërzbulimit CIA.
Ky funksion një kohë të gjatë është parë si pozicion i fuqishëm. Por Bushi tani synon të krijojë një post, i cili do ta mbikqyrë CIA-n dhe 14 agjencitë tjera të kundërzbulimit. Presidenti Bush e vlerësoi lartë Goss-in kur shpalli se e emërton në krye të CIA-s.
"Ai do të jetë reformatori i Agjencisë Qendrore të Kundërzbulimit. Mezi i pres këshillat dhe gjykimet e tij për zbatimin më të mirë të reformave të gjera të kundërzbulimit, përfshirë edhe rekomandimet e Komisionit të 11 shtatorit", tha presidenti amerikan.
Nominimi i Goss-it ende nuk është konfirmuar nga Senati, edhepse nuk pritet ndonjë kundërshtim i madh. Por ndryshimet vijnë në kohën kur tërë komuniteti amerikan i kundërzbulimit është nën kritika intenzive për mosparashikimin e sulmeve të 11 shtatorit, dhe për sugjerimet se Iraku kishte arsenal të armëve jokonvencionale.
Komisioni, i cili i hetoi sulmet e 11 shtatorit, e akuzoi CIA-n për mungesë të kreativitetit në mendimet e saj.
Paneli rekomandoi krijimin e një posti të ri për të mbikqyrë të dhënat e kundërzbulimit, dhe Bushi sinjalizoi se planin do ta çojë përpara.
Edward Atkeson është gjeneral në pension i ushtrisë amerikane, i cili ka shërbyer si oficer i kundërzbulimit në Evropë. Ai e mirëpret propozimin për krijimin e pozicionit mbikqyrës të kundërzbulimit.
"Nëse e hiqni anash drejtorin e CIA-s, kontaktet ditore të presidentit të Shteteve të Bashkuara mbeten vetëm me personelin e Shtëpisë së Bardhë", thotë Atkeson.
Ai thotë se situata aktuale i jep drejtorit të CIA-s një lloj epërsia ndaj krerëve tjerë të kundërzbulimit, por jo edhe fuqi të vërtetë. Nga ana tjetër, departamenti i Mbrojtjes fare lehtë mundet t'i hedhë poshtë rekomandimet e CIA-s.
Atkeson thotë se kontaktet ditore me Shtëpinë e Bardhë mund të bëjnë që drejtori i CIA-s t'i thotë presidentit atë që ai dëshiron ta dëgjojë, e jo t'i japë të dhëna dhe analiza të pavarura. Mu këtë e bëri ish drejtori i CIA-a GeorgeTenet.
"Kjo është ajo për të cilën luftohet. Janë dy entitete që nuk duan ndryshime. Njëri është CIA, sepse bie nga pozita. Tjetri është departamenti i Mbrojtjes, sepse do ta humbë kontrollin ndaj disa entiteteve të veta", thotë Atkeson.
Anthony Cordesman është ish analist i kundërzbulimit nga Departamenti i Mbrojtjes.
"Përpjekjet për ta ndrequr problemin në përgjithësi me ndryshimin e lidershipit, duhet ta shmangin politizimin e komunitetit. Ky është problemi tipik i Uashingtonit, sepse nëse e ndryshoni kartën organizative, ju e keni zgjidhur problemin", thotë Cordesmann.
Ashtu si Atkeson, edhe Cordesmann mendon se CIA dhe agjencitë tjera të kundërzbulimit duhet t'u shmangen politizimeve në zbulimet e veta. Por ai thotë se kjo thjesht nuk mund të arrihet me futjen e një tjetri ndërmjet presidentit dhe drejtorit të CIA-s. Problemi nuk qëndron te CIA, por te Shtëpia e Bardhë, thotë ai.
"Reformat nuk u adresohen asnjërës nga problemet që u shfaqën në politikën e komunitetit. Në mënyrë të gabuar, ato për gjithçka e fajësojnë komunitetin e kundërzbulimit", thotë Cordesmann, duke shtuar se administrata e Bushit nuk e filloi luftën në Irak shkaku i kërcënimeve që paraqiste Saddam Husseini, por për shkak se këshilltarët më të ngushtë të presidentit dëshironin ta përmbysnin Saddamin për shkaqe ideologjike, gjë që fare nuk kishte të bëjë me zbulimet e CIA-s.

XS
SM
MD
LG