Ndërlidhjet

logo-print

BRAYSHOW: MOSPJESËMARRJA E SERBËVE NUK VË NË PIKËPYETJE LEGJITIMITETIN E ZGJEDHJEVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të bëjë gjithshka është e mundur brenda kufijve ligjorë, që të mundësojë pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e 23 tetorit për parlamentin e Kosovës, ka thënë sot ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow, ndërkohë që sipas tij, mospjesëmarrja e serbëve nuk do të vinte në dyshim as legjitimitetin e përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare dhe as atë të institucioneve të Kosovës. Këto komente zoti Brayshow i ka bërë vetëm një orë pas hedhjes së shortit që ka përcaktuar renditjen e subjekteve politike në fletëvotimet e 23 tetorit, ndërsa po vizitonte në Gazimestan afër Prishtinës monumentin e Betejës së Kosovës nga viti 1389, që u shfrytëzua, siç tha Brayshow, nga Milosheviçi në fund të viteve tetëdhjetë për të nxitur urrejtjen nacionale në këto hapësira. Prej aty zoti Brayshow ka porositur se mospjesëmarrja e dikujt në zgjedhje nuk konteston legjitimitetin e zgjedhjeve:
"Ne vërtet duam që serbët të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo demokracia është për ata që duan të votojnë dhe jo për ata që bojkotojnë," tha Brayshow, për të shtuar se legjitimiteti i përpjekjeve të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë është i pakontestueshëm dhe është i bazuar në mënyrë solide në rezolutën 1244, që është një bazë për veprimin e të gjithëve.
Vetëm një orë më parë në hapje të ceremonisë së hedhjes së shortit për renditjen e entiteteve politike në fletëvotimet e që do të hidhen më 23 tetor, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Pascal Fieschi tha se zgjedhjet janë moment kur njerëzit i zgjedhin udhëheqësit e tyre në mënyrë të lirë dhe korrekte, prandaj, sa herë që jepet një mundësi e tillë është dëshpëruese të shihet se dikush zgjedh të mos marrë pjesë dhe të mos e shfrytëzojë këtë mundësi:
"Nga ky vend dua sërish t’i ftoj serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, pasi bojkoti asnjëherë nuk jep rezultate pozitive," tha Pascal Fieschi, ndërkohë që edhe ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK-ut, Charles Brayshow tha se misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ende dëshiron që serbët të jenë pjesë e zgjedhjeve, pavarësisht se dy afate të rëndësishme tashmë kanë kaluar, por shefi i ri i UNMIK-ut, Peterssen që të hënën fillon punën në Kosovë, do të bëjë gjithshka është e mundur për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje:
"Ne do të veprojmë brenda ligjit dhe atyre që janë ligjërisht të lejueshme dhe që janë të lejueshme në aspektin fizik për të siguruar zgjedhje të lira dhe korrekte," tha zoti Brayshow, duke mos përjashtuar mundësinë e marrjes së ndonjë vendimi politik për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e Kosovës, por kjo, tha Brayshow nuk do të bëhet duke shkelur ligjin.
Edhe pse nuk ka përmendur ndonjë afat tjetër si mundësi për serbët që të marrin pjesë në zgjedhje, zoti Brayshow disa herë ka përsëritur se deri në fund të muajit OSBE-ja duhet të shtypë fletëvotimet, prandaj fundi i këtij muaji mund të llogaritet si afati i fundit për subjektet politike të serbëve që të vendosin për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës.




XS
SM
MD
LG