Ndërlidhjet

KUVENDI I MAQEDONISË MIRATON LIGJIN PËR ORGANIZIMIN TERRITORIAL


Isuf Kadriu, Shkup

Pas miratimit të "Ligjit për Organizimin Territorial", Kuvendi i Maqedonisë ka filluar debatin për miratimin edhe të "Ligjit për Qytetin e Shkupit", si pjesë e paketës ligjore për decentralizimin e pushtetit. Me këtë rast shumica parlamentare ka shfrytëzuar të drejtën e paraparë në rregulloren mbi punimet e Kuvendit, për kufizimin e fjalimeve të deputetëve në 10 minuta, me qëllim të pengimit të siç thuhet obstruksioneve të opozitës, të cilët me fjalimet e tyre zgjatën më shumë se dy javë miratimin e "Ligjit për Organizimin Territorial".
Deputeti i VMRO-DPMNE-së Zharko Karaxhovski tha se partitë në pushtet me këtë dëshmuan se dëshirojnë të heshtin opozitën për të njoftuar opinionin me ligjet skandaloze të pushtetit lokal.
"Mendoj se pushteti duhet të kuptojë se me kufizimin e diskutimeve dhe heshtjen e dhunshme të opinionit, nuk mund të përfitojë asgjë. Përkundrazi revolta do të jetë edhe më e madhe, që do të ketë pasoja për zhvillimet e mëtejme në vend," tha deputeti i VMRO-DPMNE-së Zharko Karaxhovski. Ai bëri të ditur se opozita do të kundërshtojë dhe projektligjin për qytetin e Shkupit, me të cilin, nëse miratohet, në kryqytetin e Maqedonisë, përveç maqedonishtes do të jetë zyrtare edhe gjuha shqipe.
"Problemi qëndron në dygjuhësinë pasi ajo po realizohet në mënyrë artificiale. Zonat e banuara me shqiptarë i janë bashkangjitur Shkupit, me të vetmin qëllim, rritjen e numrit të shqiptarëve dhe me këtë zyrtarizimin e gjuhës shqipe në kryeqytet. Nëse vazhdohet në këtë mënyrë, pra për arritjen e qëllimeve të caktuara politike, nuk do të dihet se çfarë do të sjellë dita e nesërme", tha deputeti Karaxhovski.
Duke komentuar këto pohime deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim Gëzim Ostreni u shpreh:
"E nesërmja do të sjellë demokratizimin e mëtejshëm të Republikës së Maqedonisë. Hapat që merren në demokratizim gjithmonë janë të dhimbshme në të gjitha shoqëritë dhe në të gjitha shtetet. Por sidoqoftë mendoj se jeta do të vazhdojë, do të mësohen të gjithë qytetarët të jetojnë në mënyrë demokratike, për shkak se të drejtat e shqiptarëve nuk i shkelin të drejtat e të tjerëve në Shkup".
Zoti Ostreni mohon që kufizimi i fjalimeve të jetë bërë me qëllim të heshtjes së opozitës maqedonase.
"Sot në mëngjes ka patur takim të koordinatorëve të grupeve. Të gjithë janë pajtuar për të shkurtuar diskutimin 10 minuta për amendamentet dhe 10 minuta për tekstet e ligjit".
Kundër vlerësimeve të opozitës maqedonase ka reaguar edhe deputeti nga radhët e opozitës shqiptare Ismet Ramadani.
"Ato janë vetëm paraqitje deklarative, të cilat kanë qenë me orientim për të theksuar para zgjedhjeve lokale dhe ata e dinë mirë se këto janë projekte të cilat drejtpërsëdrejti lidhen me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit."



XS
SM
MD
LG