Ndërlidhjet

REGJISTRIMI I PËRGJITHSHËM NË KOSOVË ËSHTË I DOMOSDOSHËM


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Pavarësisht faktit që në Kosovë prej 23 vitesh me radhë nuk është bërë një regjistrim i përgjithshëm i popullsisë, Enti i Statistikës së Kosovës është duke përgatitur një broshurë që përfshin faktografi demografike për njëqind vitet e fundit. Hysni Thaçi, shef ekzekutiv i Entit Statistikor të Kosovës ka thënë se ky botim ka një rëndësi të veçantë për faktin se shumë herë është manipuluar me të dhënat statistikore. Ky botim sipas zotit Thaçi do të publikohet në gjashtë gjuhë.
“Sipas të gjitha këtyre del se popullsia shqipëtare ka qenë popullsi shumicë në të gjitha këto regjistrime. Mendoj se kjo do të krijojë një hapësirë të mjaftueshme, sepse në këtë rrafsh janë bërë shumë keqinterpretime dhe manipulime.”
Rifat Blaku, drejtor i Institutit për Hulumtim dhe Migracion, tha se publikimi i kësaj broshure përmban tiparet e të gjitha regjistrimeve që janë keqpërdorur që nga viti 1921 e deri në vitin 1991.
“Ky material do të japë një pamje, një pasqyrë reale të situatës dhe përspektivës demografike të Kosovës dhe natyrisht se për të gjithë shfrytëzuesit do të jetë tepër i mirëseardhur, pasi do të tregojë më në fund të gjitha shpërdorimet dhe manipulimet, që nuk janë të pakta jo vetëm nga Beogradi, mjerisht, i cili vijimisht i ka shpërdoruar këto, por edhe disa institucione ndërkombëtare që kanë për vëzhgim dhe menaxhim Kosovën.”
Ndërkohë, zoti Thaçi dhe profesor Blaku thonë se rëndësia për të pasur një regjistrim të popullsisë është shumë e madhe. Sipas zotit Thaçi, Kosova është i vetmi vend në botë që nuk e di sa banorë i ka saktësisht.
Ai, për mosregjistrimin e popullsisë civile pas përfundimit të luftës në Kosovë, fajëson administratën ndërkombëtare, duke shtuar se për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare është miratuar ligji nga Kuvendi i Kosovës, mirëpo sipas tij, nuk është nënshkruar nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, për shkak të disa vërejtjeve që kanë bërë deputetet e koalicionit serb “ Kthimi”.
“Realisht përgjegjësia bie mbi UNMIK-un, sepse ne bashkëqeverisemi prej tij. Realisht ekziston një parim i pashkruar tek Kombet e Bashkuara që regjistrimi i popullsisë duhet të bëhet çdo 10 vjet në çdo vend. E nëse kjo është kështu, edhe ata vetë duhet të insistojnë më shumë se nëse ky regjistrim nuk është mbajtur që 23 vite atëherë duhet të mbahet.”
Ndërkohë, zoti Blaku tha se një regjistrim i tillë duhet të diskutohet në përmasa të mëdha, pikërisht tani kur jemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 23 tetor. Sipas tij, për të qenë zgjedhjet reale dhe demokratike mbi të gjitha duhet të kenë vërtetësinë dhe objektivitetin elementar për numrin e saktë të elektoratit. Zoti Blaku është i sigurtë se në të gjitha zgjedhjet e kaluara nuk është ditur numri i elektoratit kosovar mbi moshën 18 vjeç.
“Popullsia e Kosovës brenda vitit shtohet 50 mijë, brenda tre viteve të fundit ne kemi një elektorat të ri hyrës mbi 150 mijë. Prandaj, për të qenë zgjedhjet rezultative dhe për të përmbushur minimumin e domosdoshëm 51 për qind, duhet që në zgjedhjet e tetorit të dalin mbi 780 mijë kosovarë, për të qenë ato ndërkombëtarisht të pranueshme, të vlefshme dhe objektive."
Sidoqoftë, regjistrimi i fundit i popullsisë kosovare është bërë në vitin 1982 nga pushteti i atëhershëm serb dhe që prej atëherë, numri i banorëve të Kosovës zakonisht rrumbullakësohet në 2 milionë.


XS
SM
MD
LG