Ndërlidhjet

ZËDHËNËSI BIELEY SHPREHET SE RAPORTI I ZOTIT EIDE NUK E OBLIGON UNMIK-un


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Raporti i të dërguarit të Sekretarit të Përgjithshëm Kofi Anan, Kai Eide do të përdoret nga shefi i ri i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen si një mjet për të zhvilluar politikën e UNMIK-ut, thanë zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke komentuar disa nga rekomandimet e këtij raporti, ku ndër të tjera i sugjerohet UNMIK-ut që të bartë tek institucionet vendore edhe kompetencat e rezervuara nga kapitulli tetë dhe të fillohet përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Jeff Bieley tha se këto janë rekomandime nga raporti i zotit Eide dhe jo politika aktuale e UNMIK-ut, prandaj kur zoti Petersen ta marrë postin e tij në Kosovë do ta diskutojë raportin me të gjithë faktorët relevantë në Prishtinë dhe në Beograd:
"Raporti është marrë këtu në Misionin e Kombeve të Bashkuara dhe shefi i ri i UNMIK-ut do ta shqyrtojë dhe do të mund ta përdorë atë si një mjet të rëndësishëm për politikën që do ta ndërtojë," tha zoti Bieley, për të shtuar se raporti i ambasadorit norvegjez në NATO, Kai Eide që është hartuar me kërkesë të zotit Anan është dashur të bëjë një analizë të gjendjes dhe të sugjerojë se çfarë mund të bëhet në të ardhmen.
Në vetë raportin që sot e ka publikuar shtypi i Kosovës, zoti Eide ka thënë se të pesë shtyllat e UNMIK-ut duhet të shuhen deri në vitin 2005, ndërkohë që kompetencat nga kapitulli tetë do t’u lihen në dorë institucioneve vendore, mirëpo UNMIK-u ende do të ketë fuqinë e anullimit të vendimeve që konsiderohen kontestuese dhe jo që UNMIK-u të shndërrohet në trup monitorues dhe këshilldhënës, siç kanë kërkuar drejtuesit e institucioneve dhe liderët politikë të Kosovës. Mirëpo, pavarësisht nga rekomandimet, zyrtarët e UNMIK-ut thanë se vetë raporti si i tillë nuk e obligon UNMIK-un të sillet në pajtim me ato rekomandime:
"Nuk është fjala për obligime, pasi synimi i raportit ishte që të bëjë një vlerësim politik të politikave dhe praktikave të të gjitha palëve në Kosovë dhe për të sugjeruar rrugët për më tutje drejt jetësimit të rezolutës 1244," tha Bieley, për të përsëritur se raporti është një mjet që mund të përdoret si informacion dhe analizë dhe në ditët e ardhshme, por shumëçka mbetet në duart e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, i cili të hënën do të marrë postin e përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë. Më pas, zoti Petersen do të këshillohet me sekretarin Anan se si duhet të veprohet në raport me rekomandimet e zotit Eide:
"Zoti Anan ka thënë se do ta diskutojë raportin me Këshillin e Sigurimit pas konsultimeve me shefin e ri të UNMIK-ut, Jesen Petersen dhe me palët e tjera relevante këtu," tha Bieley, sipas të cilit këtu nuk mund të flitet për çështje obligative, por për atë se si do do të shfrytëzohet ky raport, si mjet mbi të cilin do të mbështetet politika e UNMIK-ut.
Vëzhguesit e këtushëm ndërkaq vetë raportin e kanë vlerësuar si shansin e fundit të UNMIK-ut për të ndryshuar misionin e tij në Kosovë.
Zoti Kai Eide, me qëllim të hartimit të raportit ka qëndruar në Kosovë dy herë brenda dy javësh, me ç’rast ka biseduar me zyrtarë vendorë dhe drejtues të UNMIK-ut, të cilët i ka fajësuar se nuk kanë arritur siç thuhet të lexojnë gjendjen shpirtërore të popullatës shumicë të Kosovës, gjë që ka çuar drejt trazirave të marsit.


XS
SM
MD
LG