Ndërlidhjet

POLITIKANËT MAQEDONAS DHE SHQIPTARË E VLERËSOJNË MARRËVESHJEN E OHRIT SI TEJET TË RËNDËSISHME


Isuf Kadriu, Shkup

Marrëveshja paqësore e Ohrit ka vendosur themelet e një shteti të ri të Maqedonisë. Ajo gjithashtu garanton paqen, stabilitetin, ndërsa i hap rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, vlerësojnë partitë politike shqiptare dhe maqedonase në trevjetorin e nënshkrimit të këtij dokumenti paqësor, me të cilin iu dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001.
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Rafiz Haliti, thotë se përkundër vështirësive në zbatimin e saj, është arritur të miratohen edhe ligje që nuk shihen në marrëveshjen kornizë.
"Përparësi u kemi dhënë ligjeve, të cilat nuk dalin nga Marrëveshja e Ohrit, pra kemi patur strategjinë tonë. Unë do të përmendja tre ligje shumë me rëndësi të cilat nuk burojnë nga Marrëveshja e Ohrit: Ligjin për Zyrtarizimin e UT, Ligjin për Amnestinë e ish ushtarëve, të cilët nuk kishin kryer shërbimin ushtarak në realitet të rinjtë shqiptarë dhe Ligjin për Marrjen e Nënshtetësisë", tha zoti Haliti, duke përmendur edhe miratimin e ligjeve për decentralizim, me çka sipas tij, veç të tjerash është arritur që gjuha shqipe të zyrtarizohet në Shkup. Ndërkohë deputeti i VMRO-DPMNE-së Sllobodan Çashule, ish ministër i Punëve të Jashtme, u shpreh se marrëveshja kornizë paraqet një instrument që mund të ndihmojë në harmonizimin e raporteve ndëretnike.
"Mendoj se marrëveshja kornizë është kushtetuta e këtij shteti dhe nuk duhet të bisedohet për zbatimin e saj, pasi në rast se nuk zbatohen obligimet e vendosura në vitin 2001, atëhere kemi të bëjmë me mosrespektim të kushtetutës së Maqedonisë", tha Sllobodan Çashule, sipas të cilit partitë politike nuk po iu përmbahen këtyre obligimeve, të cilat lënë hapësira për shfaqjen e pakënaqësive në radhët e bashkësive të ndryshme etnike, se diçka tepër kanë dhënë apo diçka tepër u është marrë.
Nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare Sulejman Rushiti, tha se kjo marrëveshje është arritur për të përmirësuar statusin e shqiptarëve në Maqedoni, por sipas tij realizimi i këtyre të drejtave pamundësohet nga vetë qeveria, për shkak të devijimeve që po i bën marrëveshjes kornizë.
"Kjo qeveri i është qasur gabimisht kësaj marrëveshjeje dhe si rezultat i kësaj qasjeje të gabuar apo truqeve me të cilat qeveria tenton ta anashkalojë këtë dokument, kemi një krizë politike, e cila ne mendojmë se dita ditës do të thellohet edhe më tepër."
Nga ana tjetër koordinatori i grupit parlamentar të Lidhjes Socialdemokrate Jani Makraduli, tha se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm se marrëveshja kornizë e përfshirë në kushtetutë, paraqet perspektivë dhe shans për Maqedoninë.
"Të jem i sinqertë unë jam i kënaqur nga zbatimi i deritanishëm i saj, por mendoj se edhe opinioni. Kemi arritur të zgjidhim problemin me Universitetin e Tetovës në gjuhën shqipe duke e bërë atë një universitet të tretë shtetëror në Maqedoni. Pastaj kemi zgjidhur problemin e qytetarëve me dokumentet e nënshtetësisë, ndërsa së fundi miratuam edhe ligjet për pushtetin lokal. Shpresoj se tani e tutje do të punojmë për zbatimin sa më të shpejtë në praktikë të këtyre ligjeve, nga të cilët qytetarët do të mund të shohin zgjidhjet që u ofron marrëveshja kornizë", tha Jani Makraduli, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.




XS
SM
MD
LG