Ndërlidhjet

EKSPERTËT PRESIN QË PETERSEN T'I JAPË FUND STAGNIMIT EKONOMIK


Albana Isufi, Prishtinë

Ekspertët ekonomikë thonë se është koha që t’i jepet fund ngecjes së procesit të privatizimit, por edhe në përgjithësi ngecjes së zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Kjo sipas, drejtorit të RIINVEST-it Muhamet Mustafës mund të arrihet nëse shefi i ri i UNMIK-it Soren Jessen Petersen, ka vullnet që të bëjë transferim të shpejtë të kompetencave tek institucionet vendore si dhe misionin e UNMIK-ut ta shndërrojë në mision monitorues.
“Petersen me të drejtë e ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik, sepse me punën e përbashkët të tij dhe të institucioneve vendore, duhet tejkaluar ngecja ose stagnimi i këtyre dy vjetëve të fundit të zhvillimit ekonomik. Dhe për të bërë këtë duhet vënë theksi te privatizimi”, thotë Mustafa.
Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Ismail Kastrati, thotë se Petersen duhet të jetë kryeadministratori i fundit që do duhet të zgjidhë problemet ekonomike, por edhe që do të merret me zgjidhjen e statusit final të Kosovës:
“Zoti Petersen do të ketë një nga problemet më të mëdha me të cilin do të merret- privatizimin, meqë për një kohë të gjatë prona shoqërore ka mbetur pa status të zgjidhur. Mendoj se ai do të ketë sens që të merret me problemet ekonomike pasi kemi probleme shumë të mëdha ekonomike”, thotë Kastrati.
Udhëheqësi i RIINVEST-it Muhamet Mustafa, thotë se ajo që i duhet Kosovës tani, është përmirësimi i politikës ekonomike.
“Kosova duhet të bëhet një vend më miqësor për investime dhe për këtë nevojitet që të shihet problemi i financimit në Kosovë, problemi i raporteve tregtare me fqinjët, ku duhet të zbatohet reciprociteti dhe inkuadrimi i Kosovës në Marrëveshjet për tregti të lirë. Për këtë do të jetë e nevojshme që përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të punojë në transferin e shpejtë të kompetencave te institucionet vendore, dhe me një asistencë të këtyre institucioneve kosovare dhe me një rol monitorues të përmirësohet qeverisja e ekonomisë së Kosovës, “ tha Mustafa.
Shefi i ri i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, që sot ka filluar zyrtarisht detyrën në këtë post, ka thënë se një nga prioritetet e tij do të jetë zhvillimi i ekonomisë së Kosovës.
Institucionet kosovare vazhdimisht kanë akuzuar ndërkombëtarët për ngecjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në procesin e privatizimit.


XS
SM
MD
LG