Ndërlidhjet

PETERSEN TAKON UDHËHEQËSIT VENDORË DHE NDËRKOMBËTARË TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Inkurajimi i serbëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës, si dhe mënyra për ndërtimin e një partneriteti të shtuar ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve të Kosovës, kanë mbizotëruar në takimet e para të kryeadministratorit të Kosovës, Soren Jessen Petersen me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, kryeministrin Bajram Rexhepi dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Holger Kammerhof.
"Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjitha komunitetet dhe banorët të marrin pjesë në një proces kaq të rëndësishëm demokratik siç janë zgjedhjet," tha Petersen duke përkujtuar se Kosova ka ditur të mbajë zgjedhje demokratike dhe të suksesshme disa herë në vitet e fundit.
Këto deklarata zoti Soren Jessen Petersen i ka bërë pas takimeve me presidentin Rugova dhe kryeministrin Rexhepi, të cilët po ashtu kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje. Presidenti Ibrahim Rugova tha se gjendja në Kosovë po përmirësohej e me këtë edhe pozita e pakicave:
"Pas ngjarjeve të marsit gjendja ka filluar të konsolidohet, është më pozitive dhe rindërtimet kanë filluar, ndërsa integrimi i minoriteteve dhe grupeve etnike në shoqërinë e Kosovës, është fushë ku kemi pasur sukses dhe do të vazhdojmë në këtë plan. Po ashtu biseduam, edhe për zgjedhjet e tetorit. Ne kemi përvojë për këtë dhe do të angazhohemi dhe kërkojmë që në to të marrin pjesë të gjitha grupet politike të Kosovës".
Edhe kryeministri Bajram Rexhepi ka nxjerrë zgjedhjet demokratike dhe gjithëpërfshirëse, si një nga prioritetet kryesore të institucioneve vendore:
"Diskutuam mundësinë se si ta inkurajojmë komunitetin serb që të marrë pjesë në zgjedhje që e ka vlerën e vet. Biseduam edhe për transferin e kompetencave se si do të shkojë dhe si do të vazhdojmë me standardet për Kosovën".
Edhe bashkëbiseduesi ndërkombëtar i zotit Petersen, gjenerali Kammerhof tha se zgjedhjet dhe rindërtimi janë sfidat e para më të mëdha të shefit të ri të UNMIK-ut:
"Sfida kryesore do të jenë rindërtimi dhe pjesëmarrja në zgjedhje, ndërsa pas rezultateve të zgjedhjeve do ta kemi qeverinë e re, ndërsa viti i ardhshëm është vit i shqyrtimit të standardeve," tha gjenerali Kammerhof, duke vlerësuar se në Kosovë ekzistojnë kushte të sigurisë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Ndërkohë që zgjedhjet do të jenë në qendër të takimit të pasdites të zotit Petersen me koalicionin e serbëve "Kthimi", një çështje tjetër që ka mbizotëruar në takimet e sotme ka qenë kërkesa e udhëheqësve të Kosovës për më shumë kompetenca dhe përgjegjësi. Shefi i ri i UNMIK-ut Petersen tha se ishte i gatshëm për partneritet:
"Si administrator i UNMIK-ut unë kam autoritet të qartë, por unë synoj që këto kompetenca t’i ushtroj në partneritet të shtuar me autoritetet vendore të mbështetur në besim dhe transparencë," tha Petersen, për të shtuar se sa herë që u ofrojmë autoriteteve vendore më shumë përgjegjësi, ky është edhe një test për seriozitetin dhe vullnetin e tyre.


XS
SM
MD
LG